Fëmijët e dy fshatrave transportohen në shkollën e Vithkuqit në Korçë dhe nga shkolla në shtëpi në kushte skandaloze. “Fiks Fare” denoncon se transporti i tyre bëhet nga një furgon, i cili ka 8 vende, veç shoferit, por që në mjet mund të gjesh rreth 20 vetë, ku 10 prej tyre janë fëmijë dhe pothuajse gjysma e tyre mbahen në bagazhin e mjetit, aty ku ndodhet edhe bombola e gazit.
Rasti u denoncua nga vetë banorët e zonës, të cilët fillimisht dërguan një video në “Fiks Fare” dhe më pas u krye verifikimi nga gazetarët e emisionit investigativ. Nga verifikimi i kryer nga Fiksi rezultoi se me furgonin 8+1 transportohen fëmijët e kopshtit, nxënësit dhe mësuesit, por shoferi i merr të gjithë me një rrugë, pavarësisht se distanca për transportin e fëmijëve nuk është shumë e largët.
“Fiks Fare” që ndoqi furgonin konstatoi se në një rrugë të tillë, në furgon hipën 20 persona, 10 fëmijë, 8 mësues dhe dy pacientë, të cilët donin të udhëtonin nga Vithkuqi në Korçë. Kamerat e Fiksit e ndjekin nga pas furgonin, por drejtuesi i mjetit tenton të largohet duke devijuar nga rruga kryesore. Në fshatin e parë, nga furgoni zbresin 3 fëmijë, ndërsa fëmijët e mbetur i kalon në bagazh, me mendimin se arrin t’i shmanget kamerave të Fiksit.
Rrugës, ai zbret sërish 4 fëmijë të tjerë nga bagazhi dhe një nga sediljet. Më tej, ai zbret dhe dy fëmijë të fundit, pra gjithsej 10 fëmijë. Ndërsa vijon rrugën për në Korçë, ai ndalon në disa vende duke zbritur mësuesit, të cilët rezultojnë 10 të tillë. Pra, rreth 20 veta në furgonin 8+1. Pasi i zbret të gjithë, gazetarët e “Fiks Fare” pyesin shoferin sa vende ka furgoni. Ai thotë 8+1. Kur gazetari i thotë që kishte 10 të rritur, ai thotë se mori dy vetë se ishin të sëmurë.
Gjithashtu, ai thotë se fëmijët i mbajnë mësuesit. Shoferi shpjegon se detyrohet t’i marrë të gjithë me një rrugë dhe ndonjëherë t’i fusë fëmijët në bagazh se nuk ka se çfarë bën sepse nuk ia del të bëjë dy rrugë. Në bagazh ai ka një bombol gazi, pasi makina është me gaz-benzinë. Ai thotë se bombola është e sigurtë.
Gjithsesi, ai mban edhe një shenjë invalidi në furgon, por thotë për Fiksin se ka mbetur në furgon që kur e ka blerë. Ai pretendon se kjo është hera e parë që e mbush furgonin me kaq veta, por kur gazetari i Fiksit i tregon videon e bërë kur ai i ka transportuar për në shkollë fëmijët, dhe jo vetëm në kthim, shoferi thotë se kjo është e vetmja zgjidhje, pasi nuk shkon njeri tjetër t’i marrë dhe vetëm kështu mund t’i transportojë dhe më pas largohet me mjetin e tij.
Pas rastit të konstatuar, gazetarët e “Fiks Fare” shkuan edhe në Drejtorinë Arsimore të Korçës. Drejtori i Arsimit, Kristaq Grabocka, tha se ka tentuar disa herë të bëjë tender për transportin në DAR Korçë, por ka dështuar, pasi nuk është ofruar asnjë kompani për të mbuluar shërbimin. Kështu kanë vendosur tu japin rimbursimet mësuesve dhe nxënësve. Ata e kanë zgjedhur vetë furgonin, por ajo që ka konstatuar Fiksi, për drejtorin e arsimit, është e patolerueshme dhe do të merren masa.
Madje, ai thotë se menjëherë do të njoftojë policinë për këtë shofer. Një ditë më vonë, pasi Drejtoria Arsimore e Korçës ka bërë verifikimet, për “Fiks Fare” u tha se drejtuesi i furgonit ka bërë deklaratë në polici dhe ka thënë se nuk do t’i transportojë më në atë gjendje fëmijët dhe do të bëjë nga dy rrugë, si në mëngjes, ashtu edhe në drekë.
Foto:
Diskutime rreth kësaj post