Presidenti i vendit, Ilir Meta, me anë të një njoftimi në rrjetin social ka reaguar pas dorëzimit të draftit të opozitës për zgjedhjet e Prillit, në Këshillin Poltik. Meta shprehet se ky draft realizon hapjen 100% të listave dhe respekton marrëveshjen e arritur më 5 Qershor mes palëve.
“Përshëndes zyrtarizimin e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik dje. Opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensus në të kundërt të Rilindjes, që kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimarrës konsensual.
Drafti i paraqitur nga Opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga Rilindja. Drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe Marrëveshjen e 5 Qershorit. Drafti i Opozitës kërkon opinionin e ODIHR për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve”, – shprehet Meta.
Duke mbështetur draftin e opozitës, Presidenti thotë ndër të tjera se çdo akt i njëanshëm do të ishte atentat ndaj rendit kushtetues.
“Opozita ka ndërmarrë çdo hap, që çon përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyç që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim.
Çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes europiane të vendit”, deklaron presidenti.
Kujtojmë se në draftin e paraqitur nga opozita kërkohet ndër të tjera edhe ruajtja e koalicioneve sipas formulës aktuale, kundërshtuar nga mazhoranca me argumentin se bie në kundërshtim me ndryshimet kushtetuese të votuara në kuvend.
Ndërkohë lidhur me çështjen e listave, opozita kërkon lista të hapura 100% me renditje sipas rendit alfabetik. Por ky argument është kundërshtuar nga mazhoranca, sipas së cilës një listë e tillë nuk do të mundësonte respektimin e kuotave gjinore.
Diskutime rreth kësaj post