Nga foltorja e Kuvendit, ku ftoi deputetët e opozitës të votojnë ligjet e mbetura të reformës në drejtësi, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla akuzoi opozitën që dogji mandatet se po bën çdo përpjekje për të penguar të ardhmen europiane të Shqipërisë. Balla tha me garanci të plotë se raporti përfundimtar për Shqipërinë i KE-së, do të jetë pozitiv dhe komisioni do të kërkojë fillimin e bisedimeve për anëtarësim.
“Vota juaj dhe e opozitës t’i bashkohet votës tonë për reformën në drejtësi. Është themeli kryesor i rrugës europiane të Shqipërisë e që unë besoj se pavarësisht ndasive, kur bëhet fjalë për të mirën e vendit duhet të bëhemi të gjithë bashkë. Kolegët tuaj sot po bëjnë gjithçka për të dëmtuar të ardhmen europiane. Se çdo bllokim rruge çdo dhunë ndaj institucioneve është pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Dje në takim me z. Ruçi morëm të gjitha garancitë se raporti përfundimtar, vlerësimi për hapat e hedhura nga Shqipëria do të jetë pozitiv, komisioni do të garantojë fillimin e bisedimeve. Të gjithë këto përpjekje dashakeqe nuk ia kanë dalë. Shqipëria ka plotësuar tërësisht parakushtet për të filluar bisedimet. Nuk është rastësi që përmbyllim paketën e reformës në drejtësi sot, në javën e Europës.”- u shpreh Balla.
“Luli mori çfarë deshi, përfshirë edhe drejtorin e Burgjeve. Se për çfarë i duheshin burgjet Lulzim Bashës, nuk e kuptojmë akoma.Çfarë kuptimi ka që qytetarët të presin derisa Luli, Mona, Saliu dhe Mziu të plotësojnë kuotën e protestës që kanë planifikua” – tha më tej kreu i Grupit të PS.
Diskutime rreth kësaj post