Krimi brenda familjes ka shënuar një tjetër ngjarje të rëndë.
Një 49-vjeçare është vrarë nga bashkëshorti i saj në oborrin e banesës në fshatin Blacë të Pogradecit. Ngjarja është regjistruar mëngjesin e së dielës, ku 49-vjeçari Bashkim Mekolli ka goditur me sqepar në kokë bashkëshorten e tij, Demirkë Mekolli, ndërsa shkak për këtë krim të rëndë mendohet të jetë gjendja e rënduar mendore e autorit.
Gjithçka ka ndodhur në oborrin e shtëpisë ku çifti jetonte, ndërsa autori menjëherë pas ngjarjes është parë me sqepar dhe thikë në dorë duke u kërkuar të afërmve të lajmëronin policinë. Sipas të dhënave paraprake, autori vuante nga depresioni dhe prej dy muajsh kurohej, por me sa duket edhe ilaçet nuk kanë dhënë efekt.
Vetë babai i autorit tregon se djali i tij vazhdimisht grindej me bashkëshorten, ndërsa çifti jetonte në skamje.
“Para dy muajsh u vizitua në Tiranë. Duhej të shtrohej në spital, por nuk kishte kartë shëndeti dhe sigurime shoqërore. Mori barnat dhe i përdori. Kishte një vit që jetonte në shtëpinë time. I grindur dhe me depresion ka qenë gjithmonë”, thotë babai i autorit të krimit.
Çifti kishte edhe një djalë 16-vjeçar, i cili prej pak muajsh ishte dërguar tek të afërmit e tyre në Itali për të vazhduar shkollën.
Diskutime rreth kësaj post