Ndërsa gjithë sytë e qytetarëve shqiptarë ishin dje nga Brukseli, takimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian ka konfirmuar edhe njëherë se Gjykata Kushtetuese dhe Ligji Zgjedhor janë një pengesë kyçe në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit.
Kjo pasi kryediplomatët e BE vendosën ditën e djeshme që të shtyjnë për vitin tjetër mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare me Tiranën dhe Shkupin zyrtar. Ka qenë ministri gjerman i shtetit për Europën, Mikael Roth, i cili në një konferencë për shtyp pas takimit tetë orësh, deklaroi dje se duhet ende kohë për konferencën e parë ndërqeveritare.
“Konkluzionet e muajit prill nga komisioni europian ishin shumë të qarta në përmbushjen e kushteve nga Shqipëria. Gjykata Kushtetuese dhe implementimi i ligjit zgjedhor mbeten çështje kyçe. Ne jemi optimistë se konferenca e parë ndërqeveritare do të ndodhë shpejt, por puna e gjykatës duhet të vazhdojë, procesi i vetingut gjithashtu, duhen më shumë gjykatës dhe prokurorë për të zëvendësuar ata që kanë lënë postin. Shqipëria është një vend i vogël me konflikte politike, duhet gjetur konsensus për ligjin elektoral. Edhe pse Shqipëria është në rrugën e duhur, nuk mund të them nëse mund ta arrijmë konferencën deri në fund të këtij viti”, – deklaroi ai.
Kujtojmë që vendet e BE-së ranë dakord në mars që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mund të fillojnë negociatat për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Fillimi zyrtar i këtyre negociatave të pranimit me dy vendet e Ballkanit do të ndodhte në dhjetor, por që dje u shty për vitin tjetër.
Bullgaria miraton hapjen e negociatave për Shqipërinë
Por pavarësisht këtij vendimi, Sofja zyrtare ka qenë pro Shqipërisë. Kjo pasi Bullgaria ka refuzuar të miratojë hapjen e negociatave të Bashkimit Europian me Maqedoninë e Veriut, por nga ana tjetër ka miratuar atë për Shqipërinë. Ka qenë vetë ministrja e Jashtme, Ekaterina Zakharieva, e cila zbuloi dje se Sofja nuk mund të mbështeste aktualisht fillimin e negociatave me Shkupin, për shkak të gjuhës së hapur dhe dallimeve historike midis Maqedonisë Veriore dhe Bullgarisë.
“Në këtë fazë, Bullgaria nuk mund të mbështesë draftin e kornizës negociuese me Republikën e Maqedonisë Veriore dhe mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, deklaroi Zakharieva, pas përfundimit të Këshillit të djeshëm të Punëve të Përgjithshme. Ndërkohë edhe ministri gjerman për Punët e Jashtme, Heiko Maas bëri të qartë se të gjitha vendet anëtare u shprehën pozitivisht për kornizën e negociatave përveç Bullgarisë. “Bullgaria iu referua disa pikave të rëndësishme. Presidenca gjermane është përpjekur t’i bëjë bashkë të dyja vendet, por kjo do të varet edhe nga vullneti i Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për kompromis. Nuk është vetëm në duart tona. Të dyja vendet kanë treguar kurajo dhe kanë punuar fort dhe Ballkani Perëndimor ka nevojë për një sinjal të fortë pozitiv se projekti i zgjerimit funksionon”, tha Maas.
Gjermania kërkoi dritë jeshile për Shqipërinë
Pak para se të mbahej takimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas iu bëri thirrje kolegëve të tij për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Sot do t’i informojë koleget dhe kolegët e mi për procesin e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet janë fqinjët tonë të drejtpërdrejtë. Është në interesin e BE-së që të fillojmë negociatat me këto dy vende. Shpresoj që të gjithë koleget dhe kolegët nga të gjitha vendet anëtare të ndërgjegjësohen për këtë interes të përbashkët dhe të jenë të gatshëm të bëjnë përparime pragmatike dhe solidare në kuptimin më të mirë të fjalës. Procesi i anëtarësimit nuk duhet të bëhet peng i kërkesave të anëtarëve të veçantë”, deklaroi Maas.
Diskutime rreth kësaj post