Anëtari i opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Fabian Topollaj, komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, buxhetin e vitit 2020 për kryeqytetin.
Topollaj deklaroi se ky buxhet nuk reflekton asnjë element për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Ai pranoi se ky është buxheti më i madh që ka pasur ndonjëherë Bashkia e Tiranës, po shtoi se paratë nuk përdoren në mënyrë efiçente.
“Ky këshill i kompozuar vetëm nga një ngjyrë do ta miratojë buxhetin. Ky buxhet nuk ka reflektuar asnjë element për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. E tërë fatura, edhe për pjesën e Tiranës, mesa duket bashkia ia ka lënë qeverisë. Ky buxhet nuk mbështet as një fatkeqësi natyrore.
Është e vërtetë që ky është buxheti më i madh që ndonjëherë ka pas Bashkia e Tiranës, por paratë nuk përdoren në mënyrë efiçente. Asnjë projekt nuk është i konkretizuar, janë vetëm ide.
Të vetmet objekte të reja që ndërton ky buxhet për 2020 janë piramida dhe një rindërtim i Kopshtit Zoologjik, që nuk i kalojnë 15 milionë euro. Nëse këto janë dy vepra, mirë se të vijnë, por në fakt nuk janë rrugë, ujësjellës. Tirana do duhej të mbështeste me para ndërtimin e Unazës së Madhe, si dhe të bënte investime në ujësjellës. Ky buxhet nuk ka asnjë fond si për ujësjellësin, si për Unazën e Madhe të Tiranës”, tha ai.
E ngritët ju këtë shqetësim?
Sigurisht, kjo ishte hyrja e fjalës sime. Nënkryetari i bashkisë më hodhi poshtë vetëm idenë se ndërtimi i piramidës nuk është një ndërtim strategjik. Mund ta quajmë pa frikë këtë buxhet, si një buxhet që sponsorizon karrierën politike të Erion Veliaj. Kjo sepse 30% janë vetëm paga të punonjësve, shton punonjës. Një armatë kaq e madhe punonjësit është e panevojshme, që Veliajt i shërben për të dhënë mesazhin që s’ka bir nëne ta mundë, është një shifër e tejmadhe, që mund të përdoret vetëm për këtë gjë. 35% tjetër e buxhetit janë që këta punonjës të bëjnë punën, shpenzime për ta, përveç punës. Pjesa tjetër, 35%, është për investime. Për 2019 Veliaj ka tejkaluar parashikimin e tij, taksën prej 4 miliardë e ka mbledhur 6 miliardë për kullat e reja. Veliaj ka tejkaluar veten dhe një gjë të tillë e parashikon edhe për vitet në vijim. Kjo është një çmenduri.
A do lejohet prishja e Teatrit?
Nuk di ta them këtë. Një mënyrë për ta penguar këtë ka qenë ligji për qeverisjen vendore, por Veliaj nuk e ka më këtë pengesë, dhe kjo është edhe për faj të partive opozitare, që ja lanë fushën të hapur atij. Nëse opozita do kishte bërë punën e saj, Veliaj nuk do t’i kishte 1/3 e votave sot. Shoh një ndërgjegjësim jo të vogël të qytetarëve për ruajtjen e teatrit, por me lirinë që iu është lënë Veliajt e Ramës, nuk është çudi që të prishet.
Çështja e Unazës së Madhe…
U tha që Unaza do ndërtohet nga qeveria dhe bashkia do merret vetëm me rregullimin e familjeve të prekura nga projekti. Nuk e di nëse qeveria do ta financojë këtë projekt, por bashkia thotë që kjo gjë do të ndodhë. Duhet pasur parash që qeveria na ka gënjyer edhe herë të tjera, ndaj mendoj se ky projekt është shumë e vështirë të realizohet me financimin e qeverisë.
Çfarë parashikon buxheti për banorët e prekur nga tërmeti?
Ka zero parashikime për dëmet e tërmetit, nuk ka parashikuar asgjë. Janë fondet e emergjencës, por nuk ka një fond specifik. Bashkia e Tiranës do ta përdorë gjithë fondin e banesave sociale për të prekurit nga tërmeti, kjo gjë do të ndodhë. Fondin që duhet t’ua japë nevojtarëve që janë në banesa sociale, bashkia nuk do ua japë më atyre, por të prekurve nga tërmeti.
Si e ka menaxhuar bashkia situatën pas tërmetit?
Nuk di ta them me bindje të madhe, nëse është bërë punë, apo jemi në kuadrin e propagandës.
Çfarë opozite mund të bëni ju?
Ja kjo që po bëj këtu është një opozitë. Nëse unë s’do të isha, opozita do të ishte edhe më pak se kaq.
Diskutime rreth kësaj post