Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka dhënë sot sinjale pozitive për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në një intervistë për gazetën “Real News” me gazetarin Jorgos Siasidhas, kreu i diplomacisë greke ka komentuar tri çështje “të nxehta”, marrëdhëniet e Greqisë me Turqinë, zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, çështjen e Qipros dhe Kosovës.
Lidhur me mesazhin e rolit të ri më të zgjeruar të Përfaqësisë diplomatike të Kosovës në Athinë dhe dy vizitave brenda pak muajsh në Prishtinë, ministri Dendias është pyetur nëse Greqia planifikon njohjen e Kosovës dhe nëse ky akt është kundër të Drejtës Ndërkombëtare.
Ministri grek ka komentuar se “integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen europiane të BE-së përbën një çështje prioritare, pasi stabiliteti në rajon ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e vendit tonë. Nuk jemi pro krijimit të “vrimës së zezë’ në veriun tonë. Edhe pse nuk ka ndryshuar pozicionimi ynë në lidhje me statutin e Kosovës, mbajmë një qëndrim konstruktiv dhe mbështesim dialogun mes Prishtinës e Beogradit. Lidhur me ligjshmërinë e një njohje të mundshme, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës rezultoi në vitin 2010 se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të së Drejtës Ndërkombëtare, pasi nuk ishte produkt i përdorimit të dhunës së paligjshme të dënuar nga Këshilli i Sigurisë, siç ishte shpallja e pseudoshtetit (rederohet në pseudoshtetin turk në Qipro) në vitin 1983. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë u themeluan mjaft shtete të reja, asnjë prej të cilëve nuk ishte rezultat i një sulmi të jashtëm”.
Diskutime rreth kësaj post