Mashtrim romantik ose mashtrim përmes konfidencialitetit e quan FBI-ja skemën e përdorur nga persona që pasi njihen e krijojnë besim tek ‘viktima’ e studiuar paraprakisht me detaje, arrijnë t’i marrin kësaj të fundit shuma të mëdha parash në këmbim të premtimit për t’ia kthyer.
Po këtu tek ne si quhet? Sikur nuk më ka zënë veshi ndonjë emërtim specifik për këtë lloj zhvatjeje, por ndoshta duhet. Unë vete di tre raste femrash që shpenzojnë dukshëm shumë më shumë se sa mund t’u lejojnë të ardhurat.
Që të treja njihen në shoqëri për blerjet super të shtrenjta. Që të treja marrin borxhe, duke i kërkuar për ndonjë ndërhyrje mjekësore ose për ndonjë blerje të çmendur që ty arrijnë të ta shesin për diçka ‘shumë urgjente dhe të domosdoshme”. Borxhi nuk kthehet kurrë, por bëhet pjesë e piramidës. Ato nuk e kanë problem të përballen me borxhdhënësin.
Përkundrazi, është ky i/e fundit që vihet në një pozitë aq të sikletshme sa arrin edhe të mendojë t’ia falë e madje të mos ia përmend hiç. Po edhe sikur t’ia përmendë, ato e kanë gati përgjigjen, të cilën ta japin pa iu dridhur qerpiku.
Në të tre rastet e mësipërme, protagonistet janë vëzhguese të jashtëzakonshme të presë së tyre. Ato shfrytëzojnë çdo informacion të mundshëm për t’ia njohur ndjeshmëritë viktimës dhe gjejnë mënyrën dhe kohën më të përshtatshme për t’i kërkuar para borxh. Kjo e fundit ia jep, se i duket sikur del nga natyra e vet përndryshe.
Unë vetë jam habitur shumë nga këto raste, por mesa duket, s’qenkam vetëm. Probabiliteti që të më ndodhë mua apo ty mund të jetë shumë i vogël, por prapëseprapë, njeriu duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Po edhe ca informacion nga agjencitë që i studiojnë këto vepra, nuk do ishte keq, siç bën për shembull FBI.
Ajo publikon raste, përmes së cilave publiku njihet me fenomene të pazakonta, madje edhe numër telefoni për ata që duan të kontaktojnë si për këshillim, parandalim, apo raportim./Dritare.net
Diskutime rreth kësaj post