Nga Adelheid Woelfl, Der Standard
Më herët, kur shtigjet kufizoheshin për blegtorët, ata luftonin edhe me dhunë për ligjin e tyre të vjetër. Kur osmanët u përpoqën që të vendosin taksa, malësorët refuzuan. Kishte raste kur ‘hajdukët*’ sulmonin përfaqësuesit e thesarit. Në periferi, mohimi i shtetësisë ishte diçka normale. Edhe sot, mbledhësit e taksave duhet të presin kryengritje.
Fillimisht nisi me disa gurë të hedhur, më pas erdhën adoleshentët dhe goditën me leva pajisjet që lexonin targat e makinës. Pak më vonë, e gjithë kabina e pagesës u dogj. Në Shqipëri u tentua disa ditë më parë që të vendosej një taksë për përdorimin e autostradës drejt Kosovës, me vlerë nga 2.5 deri në 22 euro. Por më kot. Këshilli vendor i Kukësit bëri thirrje për protestë. Banorët e Kukësit janë thuajse të detyruar që të përdorin këtë rrugë, për shkak të mungesës së alternativave. Ata janë edhe shumë të varfër. Këtu në male, disa njerëz jetojnë me 150 euro në muaj.
Po ashtu duhet thënë se autostrada me dredha-dredha është përdorur pa pagesë për disa vjet. Vendosja e taksës u interpretua si një vjedhje arbitrare e rrugës. Qeveria argumenton se rruga ka nevojë për para që të mirëmbahet. Autostrada është privatizuar pak vite më parë dhe firma që do e operojë, mund të mbledhë taksat.
Dyshohet për korrupsion
Shumë shqiptarë besojnë se ka korrupsion në lidhjen e kontratës me koncesionarin. Disa thonë se kryeministri socialist, Edi Rama u ka bërë nder miqve të tij të pasur me këtë kontratë. Ata e quajnë thjesht vjedhje. Edhe disa socialistë protestuan kundër taksës në Kukës.
Rama fillimisht njoftoi se do të përgjigjet me forcën e ligjit. Ai tha se do përjashtojë nga familja socialiste protestuesit. Por tani ai është gati për negociata. Padyshim ai është i shqetësuar se vala e protestës po përhapet.
Ai premtoi se nuk do vendoset pagesa derisa të gjendet një zgjidhje. Ai tha se do ketë ulje për njerëzit që e përdorin shpesh rrugën. Praktikisht kjo do ishte e vështirë për momentin, pasi kabinat dhe pajisjet elektronike janë djegur plotësisht.
Kryeministri e pranoi se qeveria nuk ishte e përgatitur për problemet psikologjike nga kjo praktikë e re. Por kjo nuk e prek shumë thelbin. Kjo për shkak se për shumë shqiptarë, problemi nuk është tek shpirti, por tek xhepi.
Shefi i opozitës i bashkohet protestave
Zemërimi për autostradën u përzie gjithashtu me motive të tjera. Kishte postera kundër “diktaturës” së Ramës. Demokratët e opozitës u përpoqën që ta përdorin lëvizjen për vete dhe u bënë thirrje mbështetësve që të bllokojnë rrugët. Në disa vende u dogjën goma makinash duke bllokuar trafikun. Kreu i opozitës, Lulzim Basha ishte i pranishëm në këto tubime.
E gjitha kjo të kujton pak a shumë atë që ndodhi disa vite më parë me qytetarët e Mariborit në Slloveni. Ata dogjën pajisjet e radarëve në qytet, që të mos paguanin më gjobat. Më pas vijuan protesta të gjata në gjithë Slloveninë. Meshkujt, që janë arrestuar për shkak të sulmit në Shqipëri, janë bërë heronj. Kur dolën përpara gjykatës në Tiranë, rrugët u mbyllën- kaq shumë frikë kishte ndaj figurave simbolike të rezistencës.
Hakmarrje ndaj të pasurve
Historiani i ndjerë britanik, Eric Hobsbawm, e përshkruante rebelimin social si një protestë lokale rurale kundër shtypjes dhe varfërisë, një “hakmarrje kundër të pasurve dhe shtypësve”, “si një kompensim ndaj padrejtësive personale”. Banditi social nuk shihet nga shumica e shoqërisë si një kriminel, por vepron përgjatë vlerave të popullsisë. Kështu ndodhet me ‘hajdukët’, kështu ndodh edhe sot me ata që refuzojnë taksat.
*Hajdukët në kohën e osmanëve ishin zona që nuk qeveriseshin nga ligji
Diskutime rreth kësaj post