“Kanë përdorur çdo lloj formash për të na ndalur!”, kështu është shprehur në studion e Fax News studenti Kristi Bello, i cili është pikasur në të gjitha këto ditë proteste për kaskën që mban në kokë.
Ai thotë se kaska është shenjë e qëndresës dhe e mburojës, mburojë e cila nuk iu është dhënë asnjë ditë nga ana e institucioneve të vendin. Më tej Bello u shpreh se ai është student në një universitet privat, po kjo nuk e pengon që të jetë në mesin e kësaj proteste.
Bello tregon se një nga arsyet se pse studentët zgjedhin universitetet private është për faktin e shumë raundeve në shtet, dhe frika se mund të mbeten pa arsim të lartë.
“Me frikën se do të humbja vitin akademik u detyrova që të futesha në një universitet privat. E kemi parë sesi ka degraduar dialogu në rastet e tjera, si psh në rastin e Teatri Kombëtar ku u shitën artistë që i kanë dhënë kaq shumë vendit dhe u shitën.
Është si rasti i BE-së që i ka vendosur kushte vendin tonë, dhe ne pa përmbushjen e kërkesave nuk do të tërhiqemi. Në protestën tonë nuk do flasim me numra, po do të flasim me cilësi.
Duhet të kuptojmë që kemi të bëjmë me njerëz që qëndrojnë për 24 orë në këmbë, këta e kanë humbur toruan falë këmbënguljes që ne po shfaqim përballë tyre. Përmes ekranit tuaj më lejoni që t’iu bëj thirrje dhe vëllezërve dhe motrave të mi në Vlorë që ti bashkohen protestës ditën e nesërme, mos u gënjeni nga stolat inteligjentë.
Ejani nesër dhe t’iu tregojmë se kush është sovrani, ejani t’iu tregojmë fuqinë e popullit, pasi kjo nuk është vetëm kauza e studentëve është kauza për shpresën e së nesërmes”, u shpreh Bello, ndërsa më tej shtoi se nesër protesta pritet që të jetë më masive.
Diskutime rreth kësaj post