Nga Darina Tanushi
Një fjalë e urtë e populit thotë se “nuk çalon gomari nga veshët”. Dhe në rastin e Partisë Socialiste, nuk çalon asnjë këmbë e saj nga kritikat e Ben Blushit. Si për asnjë çështje tjetër ka ditë që janë ngritur në këmbë ministra e deputetë për të kundërshtuar “me argumenta” çfarë thotë Ben Blushi.
Blushi mund të jetë ndoshta një nga deputetët që mbase i ka sjellë më pak vota PS-së nëpër zgjedhje, mund të jetë një nga deputetët që ka marrë më pak pjesë nëpër protestat opozitare të PS-së, ndër vite, mund të jetë një nga njerëzit indiferentë, në një pjesë të madhe të politikës së ditës të kësaj partie.
Por, ato që po thotë sot, janë mëse të vërteta. A jemi ne vendi, ku na ka mbuluar mirëqenia? A jemi ne vendi, ku njerëzit duan të jetojnë me dëshirën më të madhe? Jo, ne nuk jemi. Ne jemi ata njerëz që sapo u hap llotaria amerikane vrapuam të aplikojmë dhe jo pak, por 200 mijë aplikime. Çfarë po thotë gabim Blushi, deri tani?!
Çudia qëndron në faktin se përse nuk flasin ata që mendojnë si ai brenda grupit parlamentar? Dhe ka shumë prej tyre. Ben Blushi po i bën nder të gjithë socialistëve, jo sepse është “hero” dhe po thotë diçka që nuk po merr guximin ta thotë askush kudnër kryetarit, por për momentin mbetet i vetmi zë kritik, në këtë parti.
Nëse edhe ai nuk do fliste çfarë ndryshimi do të kishte me partinë që e mbylli etapën në Kongresin e X. Ndaj, ministra e deputetë mos kundërshtoni si me komandë, atëherë kur është e nevojshme të falenderohet.
Diskutime rreth kësaj post