Sot mbushen 20 vjet që është ndarë nga jeta aktori i mirënjohur Ferdinand Radi, nje aktor me shumë humor dhe me shumë vlera. Nderim dhe respekt për figurën e tij!
Ferdinand Radi (1942-2004). Aktor, dramaturg. Lindi në Durrës, më 29 gusht. U aktivizua herët në Lëvizjen Amatore Teatrore në Tiranë si aktor, si regjisor dhe si dramaturg.
Pas një kursi njëvjeçar për regjisor, në vitin 1972 filloi punë si aktor profesionist në Teatrin e të Rinjve pranë Institutit të Lartë të Arteve.
Luajti aty disa role, por u pëlqye veçanërisht me rolin e punëtorit të uzinës (Tak-Faku) në dramën “Një shok i klasës sonë” të Kujtim Spahivoglit. Në vitin 1991 u emërua aktor në Teatrin Kombëtar.
Ka interpretuar kryesisht role të dyta dhe episodike, duke synuar krijimin e karaktereve komike, njerëz të vrazhdë, shpotitës, tuhafë apo me vese, si në shfaqjet “Vizita e damës plakë”, “Dhelpra dhe rrushtë”, “Bregu i pikëllimit”, “Rikardi III”, “Kush vjedh një këmbë ka fat në dashuri”, “Magjia e madhe”, “Monserati”.
U aktivizua mjaft edhe në kinematografi me 19 role, ndër to: “Kur zbardhi një ditë” (1971) episodi Armët, “Ndërgjegjja” (1972), “Shtigje të luftës” (1974), “Rrugicat që kërkonin diell” (1974), Boti te filmi “Ilegalët” (1976), “Shembja e idhujve” (1977), Zaho tek “I treti” (1978), “Nga mesi i errësirës” (1978), kapiteni te “Skëterrë 43” (1980), “Dëshmorët e monumenteve” (1980), “Fushë e blertë fushë e kuqe” (1984), “Asgjë nuk harrohet” (1985), “Kur ndahesh nga shokët” (1986), “Përsëri pranverë” (1987), kapter Mevlani te “Historiani dhe kameleonët “(1988), me të cilin fitoi kupën e Festivalit, “Kush është vrasësi” (1989), qehajai te “Balada e Kurbinit” (1990), “Vdekja e kalit” (1992), “Nata” (1996).
Ndahet nga jeta më 11 shkurt të vitit 2004.
Diskutime rreth kësaj post