Norvegjia nënshkroi një marrëveshje për armë me vlerë 5 miliardë korona norvegjeze (500 milionë dollarë) me SHBA-në për furnizim me raketa që do të montohen në avionët luftarakë F-35.
“Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme si për aftësitë mbrojtëse të Norvegjisë ashtu edhe për bashkëpunimin amerikano-norvegjez të mbrojtjes”, tha të hënën në një deklaratë ministri norvegjez i Mbrojtjes, Bjorn Arild Gram.
Oslo thotë se raketat AMRAAM-D do të shërbejnë si arma kryesore që do të përdoret për mbrojtjen e hapësirës ajrore norvegjeze në dekadat e ardhshme dhe paraqet furnizimin e vetëm më të madh ndonjëherë të armëve për Forcat e Armatosura Norvegjeze.
“Jemi shumë të kënaqur që edhe Norvegjia tani do të ketë qasje në raketa të tilla të avancuara dhe se po realizojmë një blerje kaq të madhe të raketave ajër-ajër me rreze të mesme veprimi (AMRAAM) që do të shfaq potencialin e F-35”, tha Gram duke shtuar se me këtë do të forcohen “aftësitë e ardhshme mbrojtëse” të vendit”.
Ai theksoi se kjo është veçanërisht e rëndësishme në aspektin e situatës aktuale të sigurisë, raporton Anadolu Agency.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, AMRAAM-D është version i avancuar i raketës që është përdorur më parë si nga avionët luftarakë F-16 ashtu edhe nga sistemi i mbrojtjes ajrore NASAMS.
Avioni luftarak F-35 është i pajisur me sensorë që i mundësojnë të lokalizojë dhe identifikojë një gamë më të gjerë kërcënimesh në distanca shumë më të mëdha se avionët e mëparshëm.
“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, F-35 norvegjez do të kenë qaje në një armë që në vete ka përmirësime të mëdha në aspektin e sensorëve dhe rrezes, e cila do të jetë efektive kundër çdo gjëje, nga dronët dhe raketat kryqëzuese, deri te avionët e tjerë luftarakë”, tha Gro Jaere, drejtor gjeneral i Agjencisë Norvegjeze të Materialeve të Mbrojtjes (NDMA).
Sipas ministrisë, raketat do të dorëzohen deri në vitin 2028 në kuadër të programit të gjerë “Joint Strike Fighter”.
Diskutime rreth kësaj post