Është vetëm 24-vjeҫ, por shkallët e karrierës po i ngjit shpejt, bëhet fjalë për Uendi Kazhelin, e cila është një infermiere e re dhe pjesë e armatës prej 13 mijë infermierësh dhe profesionistë të shkencave teknike mjekësore, të Republikës së Shqipërisë.
“Unë kam nisur punë si infermiere e thjeshtë dy muajt e parë. Në Shtator të vitit të shkuar, kalova në pozicionin e kryeinfermieres. Unë kisha besim tek vetja, drejtoresha pati besim tek mua, dhe ja ku jam. Rrugën profesionale e nisa gati në kulmin e pandemisë. Por ngarkesa e madhe ndonjëherë vjen për mirë e ndonjëherë krijon edhe kaos. Unë përdora këtë të parën. Zakonisht vinim më herët në punë, se kishte shumë njerëz në radhë, që prisnin për sherbim. 20 persona që në mëngjes nuk ishin pak, të paktën për një poliklinikë lagjeje.
Por besoj se puna të mëson, siç thonë edhe prindërit tanë, kështu që edhe ne na mësoi puna gjatë pandemisë.
Të jesh infermier do të thotë të kryesh një mision shumë human, në radhë të parë, se ke të bësh me njerëz, dhe se janë njerëz në vështirësi. Fundja në një poliklinikë, në një spital nuk vihet për qejf, por shkon se është i sëmurë dhe ka nevojë për ndihmën tënde. Dhe duhet të jesh njeri, pa të jesh infermier dhe çfarëdolloj profesioni tjetër në këtë fushë, një fjalë e mirë, mënyra si e pret, dhe të gjitha këto bashkë të bëjnë të ndihesh mirë, sepse merr një kënaqësi, feedback, nga pacienti. Qoftë edhe një fjalë e mire. Unë të paktën që jam edhe e re, një fjalë e mirë nga një moshë e madhe, është një kënaqësi e jashtëzakonshme kjo pjesë.
Për momentin nuk kam plan të udhëtoj apo të largohem jashtë si shumica e të rinjve. Më pëlqen që gjithë energjinë time ta jap në shtetin tim. Duket ndoshta klishe, se të gjithë e përdorin si shprehje, por unë këtë kam në fokus për momentin dhe nuk po mendoj të shkoj në Gjermani apo në këto vendet që janë bërë trend i viteve të fundit. Dua të qëndroj këtu, në Tiranë, ose në Vlorë, pse jo, në vendin tim të lindjes, nuk do të thosha kurrë jo, sepse dua të punoj këtu”, u shpreh Uendi Kazheli, Kryeinfermiere e Qendrës Shëndetësore 3 në Tiranë.
Diskutime rreth kësaj post