Prej skenarit të Hollywoodit e deri tek liberalizimi i vizave: të gjitha mashtrimet që iu bënë presidentit
Nga Agron Demi
Andre Poisson mund të jetë biznesmeni më fatkeq i të gjitha kohërave. Në periudhat më të vështira ekonomike nëpër të cilat po kalonte vendi i tij Franca, ai ishte një tregtar i metaleve të papërpunuara. Në vitin 1925 ai kishte marrë një ftesë në emër të institucioneve shtetërore franceze që të merrte pjesë në një ankand për të blerë Kullën Eiffel.
Në shkresën që kishte pranuar thuhej se Parisi po kalon nëpër një gjendje të vështirë ekonomike dhe mirëmbajtja e Kullës ishte bërë e pamundur financiarisht. Kësisoj Kulla do të shitej për skrap. Poisson ishte një biznesmen i ri dhe ndihej inferior ndaj konkurrentëve të tij. Blerja e Kullës së Eiffel do ta vendoste atë në krye të elitës Parisiene të tregtarëve të skrapit.
Kështu ai bëri ofertën për ta blerë atë. Dyshimet e tij për ankandin u shuan kur shitësi kërkoi edhe ryshfet. Në kohën kur korrupsioni ishte një ndër problemet kryesore të institucioneve franceze, një zyrtar publik ishte më i besueshëm nëse kërkonte ryshfet sesa nëse paraqitej si i ndershëm.
Por shumë shpejt Andre Poisson do ta kuptonte se kishte rënë pre e mashtruesit më të madh të asaj kohe, Victor Lustig. Përveçse kishte paguar një çantë me para për të blerë Kullën Eiffel nga një mashtrues, ai i kishte dhënë atij edhe ryshfet. Nga tërë ky transaksion ai ishte aq i turpëruar sa nuk e raportoi rastin në polici.
***
“Jam mashtruar nga bashkësia ndërkombëtare”, deklaroi Presidenti Hashim Thaçi në një debat të shoqërisë civile të mbajtur në fillim të kësaj jave për të diskutuar për perceptimin publik ndaj Gjykatës Speciale të Kosovës. Sipas presidentit, nëse Kosova do ta pranonte Gjykatën Speciale, atij i ishin premtuar liberalizimi i vizave, shtimi i njohjeve ndërkombëtare, anëtarësimi në UNESCO dhe në organizma të tjerë ndërkombëtarë, themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, etj. Ndaj fjalimit të Thaçit reaguan ambasadorët e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, duke potencuar se kjo nuk është fare e vërtetë ngase askush nuk mund të premtojë diçka që nuk është në fuqinë e tyre për ta realizuar, ashtu siç është sigurimi i njohjeve apo anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare.
Po sikur t’i besojmë për një moment presidentit Thaçi, se ai u mashtrua nga bashkësia ndërkombëtare? Si do të ndiheshit po të ishit në pozitë të presidentit? Më shumë se i mashtruar, do të duhej të ndiheshit i turpëruar. Por, për dallim nga Andre Poisson i cili nga turpërimi nuk e raportoi mashtruesin, presidenti Thaçi me krenari tregon se u “mashtrua”. Të pranosh se je mashtruar dhe ke pranuar një Gjykatë ndërkombëtare në këmbim të liberalizimit të vizave apo anëtarësimit në UNESCO, është më e rëndë se sa të blesh nga një mashtrues Kullën Eiffel për skrap. Më shumë se për mashtruesin, kjo tregon për inteligjencën e të mashtruarit. Madje, kjo do të duhej të ishte bazë e mjaftueshme për të iniciuar shkarkimin e presidentit, duke u bazuar në paaftësitë e tij, ashtu siç parashihet në pikën 2 të nenit 91 të Kushtetutës.
Deklarimet skandaloze të presidentit u thelluan edhe më tej kur në prani të presidentit të Shqipërisë z.Ilir Meta, Thaçi kërkoi pasaporta për qytetarët e Kosovës, me qëllim që të hiqen pengesat për liberalizim të vizave. Përgjigjen negative e mori aty për aty nga presidenti i Shqipërisë. Tek e fundit, Shqipëria nuk do të bëjë një hap mbrapa dhe të rrezikojë revokimin e vizave nga BE-ja, vetëm se presidenti i Kosovës pretendon se është mashtruar në mënyrë banale.
***
Me insistim të presidentit Thaçi, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka kaluar në nivel presidentësh. Tani e tutje Thaçi do t’u prijë negociatave. Por, si mund t’i besohet një negociatori, i cili pranon se është mashtruar nga bashkësia ndërkombëtare?! Për mënyrën si ka negociuar Hashim Thaçi që nga Rambujeja e deri më tani është raportuar gjerësisht në librat e shkruar nga pjesëmarrësit në këto procese. Në librin “Këmbët e Gjarprit”, Veton Surroi, pjesëmarrës në negociatat në Rambuje, rrëfen se si Hashim Thaçi bëri kompromis në Rambuje, pasi iu premtua një skenar filmi në Hollywood. Disa vite më vonë, kur kishte filluar demilitarizimi i UÇK-së, Mike Jackson, komandant i parë i KFOR-it, në librin e tij autobiografik, tregon prapaskenat që sollën nënshkrimin e marrëveshjes për demilitarizim. Sipas tij, për të nënshkruar marrëveshjen për demilitarizim, Thaçit i ishte premtuar një bisedë telefonike me presidentin e SHBA-së, Bill Clinton.
“Pasi nënshkroi marrëveshjen duke iu dridhur dora, James Rubin iu drejtua Thaçit duke i thënë se tash do ta marrësh shpërblimin. James nxori një telefon satelitor dhe pasi shkëmbeu disa fjalë me presidentin, ia kaloi telefonin Thaçit, të cilit ende po i dridhej dora gjersa mbante telefonin”, thuhet në librin autobiografik “Soldier”. Vitin e kaluar, Mike Jackson do të dekorohej nga presidenti Thaçi me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.
Përderisa Thaçi edhe më tej pret për skenarin hollywoodian që nuk u realizua kurrë, ne presim për plotësimin e lirisë elementare njerëzore – të drejtën për të lëvizur lirshëm, e cila na mohohet pikërisht për shkak të politikave të ndjekura nga Thaçi tani e shumë vite. Më e keqja, “i mashtruari”, arrin që të mashtrojë një vend të tërë dhe të qëndrojë në krye të institucioneve shtetërore tani e një dekadë.
Diskutime rreth kësaj post