Në emisionin “Opinion” gjatë mbrëmjes së sotme është diskutuar për cilësinë e karburanteve në vendin tonë.
Gazetarja Fatjona Mejdini ka thënë se nga një investigim i kryer, ka rezultuar se nafta në Shqipëri nuk është cilësore.
Mejdini ka treguar se nga pesë mostrat e naftës, të marra në disa pika të ndryshme në Shqipëri, dy prej tyre ka dalë në nivelin zero, për përdorim.
“Për njërën, norma tregonte se ishte vajguri. Shumica e shqiptarëve, që jetojnë afër pikave kufitare, shkojnë e furnizohen me naftë në Malin e Zi, Maqedoni dhe Greqi, po kjo është pak më e vështirë”.
Gazetarja Fatjona Mejdini, të martën, tregoi gjithë procesin dhe rrugën që kanë ndjekur gazetarët për të zbuluar cilësinë e naftës në vendin tonë.
Mejdini u shpreh në studion e emisionit ‘Opinion’ se kompanitë më të rëndësishme të shpërndarjes së naftës në vend rezulton se tregtojnë në pjesën dërrmuese gazoil të përzier me solar apo vajguri, në një kohë kur rafinimi i produktit nuk bëhet i plotë.
Një investigim, i shtrirë në disa muaj, provon qartësisht se nafta, e cila shitet në pikat e karburantit përreth Shqipërisë është në pjesën dërrmuese të saj jashtë standardeve normale të cilësisë.
Ajo tregoi se mostrat e naftës u morën në pikat e shpërndarjes së kompanive Eko Al, Alpet, Gega Oil, Gulf dhe Kastrati.
Në Malin e Zi, Maqedoni dhe Greqi mostrat u morën në pika kufitare, nën emrin e shpërndarësve të rëndësishëm të naftës në këto vende, përkatësisht në Kalamper Oil, MakPetrol dhe Elin Oil.
Mostrat u ekzaminuan në një laborator të Greqisë, për t`u analizuar më pas nga një inxhinier me eksperiencë në fushën e hidrokarbureve, i cili përdori për to shkallën e vlerësimit nga 0 deri në 5 (yje), ku zero ishte cilësia më e ulët e gjetur dhe pesë ajo më e larta.
Sipas saj, ekspertit iu dhanë elementët për t`u interpretuar, pa përcaktuar se cilës kompani i përkisnin apo nga cili vend mostrat vinin.
Më tej, Mejdini tregoi se për analizimin e të dhënave të përfituara nga analizat e kryera nga laboratori grek; ishin shumë të vështira për t’u shpjeguar, pasi specialistët shqiptarë nuk preferonin për t’i parë të dhënat.
Ajo tha se sa u thuhej atyre se kemi ca analiza, ata u thonin gazetarëve: ju lutem mos na fusni në telashe.
Diskutime rreth kësaj post