Luani me sy të nxirë, fotot e të cilit bënë xhiron e mediave angeleze dhe atyre shqiptare, tashmë është kuruar dhe gëzon shëndet të plotë. Ai vetëm 5 ditë më parë mbushi një vit që kur u transferua në Holandë në një qendër të specializuar rehabilitimi, të quajtur Felida.
Ndërkohë Organizata ndërkombëtare “Katër Putrat”, ka shpërndarë edhe disa pamje të Luanit Lenci i cili duket se është shumë i lumtur me jetën e tij të re. Punonjësit e qendrës së përkujdesjes në Holandë thonë se, një vit nga mbërritja, Lenci është sot më miqësor, gazmor dhe aktiv.
Rreth një vit më parë rasti i kafshëve të keqtrajtuara në Safari Park Zoo, ose siç u cilësua ndryshe ‘Kopshti zoologjik i Ferrit’ në Fier, u publikua nga media britanike “Daily Mail”.
Menjëherë pas publikimit, një sërë reagimesh publike përfshinë mediat shqiptare, ndërkohë që institucionet u angazhuan për të sjellë kafshët në Tiranë, dhe u bë e mundur mbyllja e Safari Park Zoo dhe transferimi i tyre.
Ekipi i “Katër Putrave” udhëtoi për në Shqipëri për të dërguar në një shtëpi tre luanët, Lencin, Bobin dhe Zhakun. Vetëm dy muaj pasi kishte mbërritur në Holandë, Zhakut iu dha lamtumira e fundit. Kjo pasi mushkëria e tij ishte dëmtuar shumë keq.
FOTO:
Diskutime rreth kësaj post