Sulmet ndaj deputetëve në parlament tregojnë se kriza politike në Maqedoni po del nga kontrolli dhe se BE-ja e SHBA-ja duhet të veprojnë tani për të ndaluar përkeqësimin e situatës.
Nga Erwan Fouere
Edhe një herë Maqedonia ia ka dalë të përfshihet në kryetitujt e lajmeve në botë.
Me dhunën që shpërtheu në parlament javën e kaluar, imazhet që njerëzve do t’u shkojnë në mendje tani kur të shohin reklamat “Investo në Maqedoni” në CNN nuk do të jenë mundësitë financiare, por fytyrat e përgjakura të politikanëve të lartë brenda parlamentit.
Mbi të gjitha do të jetë imazhi ikonë i Zoran Zaev – liderit të partisë kryesore opozitare, LSDM dhe kreu i koalicionit qeveritar të propozuar pas zgjedhjeve të dhjetorit – me gjakun që i rrjedh nëpër fytyrë, bashkë me deputetët e tjerë të përgjakur në parlament.
Imazhet i shfaqin ata në përleshje me një bandë të pabindur që i ka rrethuar si një tufë ujqërish që po ndjek prenë, gati për të vrarë.
Fakti që kjo u lejua të ndodhë brenda parlamentit është e tmerrshme – dhe është provë e mëtejshme që ky vend kandidat në BE, me institucionet që janë ende në duart e Nikola Gruevskit dhe partisë së tij VMRO DPMNE, është zhytur në paligjshmëri.
Në një kohë kur tensioni është shtuar pas refuzimit të vazhdueshëm të presidentit për t’i dhënë mandatin e formimit të një qeverie Zaevit dhe LSDM-së dhe kur protestat në rrugë janë të përditshme – kryesisht të udhëhequra nga persona të paguar nga VMRO-DPMNE, të inkurajuar dhe të mbështetur nga Gruevski, pritej që parlamenti të ishte më i mbrojtur.
Jo vetëm që ky nuk ishte rasti, por disa forca sigurie lejuan qindra individë të hynin brenda dhe nuk bënë asgjë për të ndaluar sulmet e egra ndaj deputetëve dhe shkatërrimin e pamëshirshëm brenda parlamentit.
Makineria e propagandës së VMRO-DPMNE hyri menjëherë në punë, duke u përpjekur t’ia hedhë fajin kundërshtarëve politikë.
Ministri i jashtëm Nikola Popovski, si për të përjashtuar VMRO-DPMNE nga fajësimet për dhunë, theksoi se deputetë të partisë u përpoqën të mbronin ligjvënësit e sulmuar.
Një deputet i tillë i VMRO-DPMNE, Vladko Gjorcev, në fakt u pa në video duke larguar turmën dhe roli i tij u pranua nga edhe Zaev.
Megjithatë VMRO-DPMNE ka 51 deputetë në parlament. Ndaj ngrihet pyetja – ku ishin 50 të tjerët? Ku ishte shpirti i tyre qytetar?
Të gjithë treguesit të çojnë në lidhje direkte mes sulmuesve që hynë në parlament dhe liderit të VMRO DPMNE Gruevskit.
Në çdo dalje të tij në javët e fundit ai ka përdorur gjuhë përballjeje dhe ka nxitur dhunë, duke i akuzuar kundërshtarët e tij për tradhti dhe duke i nxitur ndjekësit e tij të dalin në rrugë të mbrojnë vendin.
Shumë prej atyre që hynë në parlament janë miq, mbështetës dhe madje anëtarë familje të njohur të zyrtarëve të VMRO DPMNE, përfshirë disa ish-kriminelë.
Gruevski ka përdorur çdo mjet në dispozicion për të parandaluar tranzicionin paqësor të pushtetit te koalicioni qeveritar i drejtuar nga opozita, pavarësisht faktit se ka mjaftueshëm deputetë për të formuar një administratë të re.
Deklaratat e Gruevskit synojnë të shtojnë tensionet mes shumicës maqedonase dhe minoritetit etnik shqiptar dhe kanë marrë kritika të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar, ku shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini, paralajmëroi liderin e VMRO DPMNE të “mos luajë me zjarrin”.
Duket se dyert e rënda të parlamentit u hapën me qëllim për të futur brenda turmën disa minuta pas zgjedhjes së kryetarit të ri të parlamentit, Talat Xhaferi nga partia etnike shqiptare BDI.
VMRO-DPMNE pretendon se zgjedhja e Xhaferit nuk ndoqi procedurën e rregullt.
Megjithatë partia refuzon të pranojë se në shtatë javët e fundit me abuzimin e kryeparlamentarit në largim, Trajko Veljanovski, manipuloi rregulloren e parlamentit për të parandaluar zgjedhjen e kryetarit të ri.
Nuk ishte ‘stërzgjatje e bisedimeve’, një procedurë e pranuar në shumë parlamente, por një sabotim i procesit parlamentar për të parandaluar një transferim paqësor të pushtetit te një qeveri tjetër.
Nëse VMRO-DPMNE dëshiron të shprehë kundërshtim me zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, një tjetër shpërthim dhune nuk mund të përjashtohet.
Por si BE, ashtu dhe NATO dhe SHBA, e kanë mirëpritur zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.
Përjashtim ka bërë zyra e kryetarit të OSBE, ministrit të jashtëm austriak, Sebastien Kurz. Në një deklaratë të përbashkët me sekretarin e OSBE, Kurz nuk përmendi zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.
Nuk është çudi kjo duke marrë parasysh miqësinë e tij me VMRO DPMNE, pavarësisht faktit se si Gruevski dhe personalitete të tjera të partisë janë në hetim për shumë aktivitete kriminale.
Partia Popullore Europiane gjithashtu po gabon rëndë duke e lejuar Gruevskin të jetë një nga anëtarët e saj pavarësisht shumë sinjaleve që çuan në ngjarje të përgjakshme të javës së shkuar dhe përgjegjësisë së Gruevskit dhe partisë së tij.
Përballur me krizën në përkeqësim, ndërhyrja e BE-së dhe SHBA-së është tashmë e vonuar.
BE-ja nuk mund të mbetet në hije ndërkohë që një vend kandidat zhytet në paligjshmëri dhe kur ish-kryeministri dhe lideri i VMRO DPMNE refuzon të nderojë zotimet e tij të nënshkruara me ndërmjetësimin e BE-së në vitin 2015 dhe 2016.
Një nga këto lidhet me Zyrën e Prokurorit Special, që u krijua për të investiguar listën e gjatë të krimeve të akuzuara dhe abuzimit me pushtetin të zbuluar kur LSDM zbuloi përgjimet e bisedave të zyrtarëve të lartë të partisë në pushtet.
Gruevski ka kërkuar fund të mandatit të Zyrës së Prokurorit Special, ndërsa prokuroria publike dhe sistemi gjyqësor kanë bërë gjithçka për të penguar hetimet e prokurorisë.
Nëse BE-ja do ta ndalojë kasaphanën dhe të mbështesë tranzicionin paqësor të pushtet, duhet të miratojë një strategji të qartë që synon imponimin e sanksioneve kundër zyrtarëve të VMRO DPMNE që vazhdojnë të pengojnë dorëzimin e pushtetit.
Kjo kërkon unanimitet nga 28 vendet anëtare por nuk ka asgjë që i ndalon institucionet e BE-së nga përgatitja e një propozimi formal për të vënë këto sanksione.
Përveç dhunës së javës së shkuar, ka prova të mjaftueshme për të bindur edhe anëtarët më skeptikë si Austria dhe Hungaria.
I ashtuquajturi Raporti Priebe në qershor 2015, që ishte pjesë e marrëveshjes mes qeverisë dhe opozitës në Maqedoni duhet të rikthehet në vëmendje për të treguar abuzimin e madh dhe krimet për të cilat akuzohej VMRO DPMNE kur ishte në pushtet.
Shumica e rekomandimeve në raport duhet të zbatohen.
Nëse BE-ja nuk vepron dot me vendosmëri tani, duhet të fajësojë veten nëse dhuna vazhdon dhe ngërçi politik nuk zgjidhet.
Kjo do të dobësonte imazhin e BE-së, jo vetëm në Maqedoni por në të gjithë rajonin, ku ngjarjet e Shkupit kanë tashmë një impakt negativ.
Kjo krizë e gjatë nuk do të zgjidhet pa përfshirjen e përbashkët të BE-së dhe SHBA-së, ashtu sikurse me krizat e tjera të 11 viteve të fundit që kanë shënuar regjimin shkatërrimtar të VMRO DPMNE.
Diskutime rreth kësaj post