Nga Dritan Hila
Përplasja në tunelin e Kalimashit ka dy anë medaljeje.
Njëra anë është politike. Cilido qoftë shkaku i protestës: elementë të PD apo popullsi e thjeshtë, e vërteta është se ndjeshmëria tek njerëzit është e lartë. Hyjnë edhe ata që janë të rreshtuar qartazi me të majtën. Për herë të parë hyra në profilin e kryeministrit, që komentonte ngjarjen e tunelit të Kalimashit dhe e vërtetova se shumë të njohur të mi, jugorë e veriorë, të cilët në rreshtimin e tyre janë të majtë, e kundërshtonin. Ndoshta kjo është pika e ujit që mbush gotën e zemërimit, por tashmë Rama ka ardhur koha që t’i bëjë pyetjen vetes se kë përfaqëson.
Në pesë vjet të qeverisjes së tij, ai ka zgjedhur qartazi krahun e të pasurve. A vjen kjo për arsye përtese të drejtimit të shtetit; a vjen sepse nuk ka ide dhe ia lë privatit barrën; apo për arsye korruptive, ky tashmë nuk është një problem i njerëzve, por i tij. Por ka ardhur koha që ai të vendosë se çfarë të hedhë në tregun e ekonomisë. Nuk mund të vazhdojë më me një ekonomi, e cila mbahet vetëm nga taksat, të cilat pastaj shpërndahen nëpër klientelën e tij, duke krijuar pozita oligopoli që po u marrin frymën njerëzve.
Ana tjetër e medaljes është ekonomike. Po sot, erdha për fundjavë pas kaq muajsh në bregdetin e Golemit. hotel “Fafa” ku ndenja për drekë ishte plot me kosovarë që kalojnë fundjavën. Hotel “Flower” po në këtë zonë duhej prenotuar ditë përpara se ishte gjithashtu i mbushur me kosovarë.
Por ndërkohë pas protestës, klientët nga Kosova kanë anuluar prenotimet për javët e ardhshme. Tani shtrohet problemi, a u ka hyrë njeri llogarive kur merr këtë taksë nëse vendit i interesojnë 5 euro në grykën e tunelit që punësojnë 100 vetë, apo qindra e mijëra euro që harxhojnë edhe jashtë sezonit në bregdetin tonë, mijëra kosovarë të cilët punësojnë mijëra vetë, ku këta mijëra vetë krijojnë eksperienca që në verë të presin polakët dhe suedezët? Mesa duket, duhet të mbledhim mendjen që t’i bëjmë rrugët pa pagesë direkte për vendësit dhe me një taksë vjetore për të huajt, pavarësisht nëse futen një herë apo 100.
Ndërkohë, nuk mund të lihet pa cituar problemi i rrugëve. Pesë vjet pasi ka ardhur në pushtet e majta, ende nuk janë mbyllur rrugët që la të hapura Berisha. ‘By Pass’ i Fierit dhe Vlorës janë paguar nga dy herë dhe nuk po përfundojnë, rruga Tiranë-Elbasan po ashtu, duhet të përfundojë urgjent segmenti Tiranë-Milot ku makinat ecin me shpejtësinë e hapit të njeriut, si dhe të zgjerohen segmente të tjerë si ai Elbasan-Pogradec, që është atrofizuar komplet. Ky vend të vetmen të ardhme që ka është turizmi, ndaj shtrohet urgjente modernizimi i rrjetit rrugor, i cili nuk mund të bëhet duke e pasur mendjen të nxjerrësh dhjamë nga pleshti, por me biznes-plane të qarta dhe afatgjata.
Diskutime rreth kësaj post