Si shpëtoi kur bëri kryqin fshehurazi gjatë një ndeshjeje të Dinamos me Marsejën dhe transferimi tek klubi i Janinës falë një taksisti.
Nga Edmond Ismailati
Për të shkruajtur rreth legjendës Foto Strakosha, çdo shqiptar që të pyesësh, do të japë mbresa të vyera, jo vetëm në artin e futbollit, por dhe të personalitetit të tij të pasur plot virtyte fisnike. E kush e dinte, se qyteti i Memaliajt në rrethin Tepelenë, do të ndërtohej enkas për të lindur legjenda Strakosha?! Si çdo familje shqiptare, dhe familja Strakosha e ardhur nga Dhërmiu shekullor i trimave dhe i Bilbilenjve të Bregdetit, dhanë kontributin e tyre gjysëm shekullor për ndërtimin e këtij qyteti. I pari i familjes Lefter Strakosha, edhe pse ishte sistemuar me banim në qytetin e Vlorës ku punonte me përkushtim si shofer, shikohej me një sy tjetër, me atë të persekutimit! Arsye kjo që vinte, pasi babai i tij dhe i vëllai i gruas së tij, ishin arratisur për në shtetin fqinjë Grek, qysh në vitet e para të instalimit të regjimit komunist! Duke e ndier se kjo gjendje që po përjetonte, nuk do të gjente përmirësim, por do të shndërrohej në një luftë e egër klasash, iu përgjigj thirrjes që kishte dalë në atë kohë, për të jetuar dhe punuar në qytezën e minatorëve Memaliaj ku kishin nevojë për punëtorë, profesione dhe kuadro të fushave të ndryshme. Edhe Lefteri u sistemua duke punuar me përkushtim në profesionin e tij, në atë të shoferit.
Më 29 Mars 1965, u lind Foto Strakosha, ditë kjo që i gëzoi pa masë prindërit e tij Lefter dhe Vaso Strakosha! Arsimin tetëvjeçar dhe atë të mesëm e kreu në qytetin e lindjes Memaliaj. I lindur dhe i rritur në Memaliaj, ky djalosh shembullor në ç’do drejtim ka lënë gjurmët e një njeriu shpirtmadh, zemër gjerë, bujar, human, atdhedashës, patriot, lab autokton dhe asnjëherë nuk e ka mohuar prejardhjen e tij. Në të gjithë memoriet tepelenase, por dhe atë shqiptare, është skalitur legjenda e tij sportive e veshur me atdhetarizëm, ku na frymëzon dhe na bën krenar. Ai ka ditur gjithmonë ti rezistojë, krahas joshjeve edhe presioneve, për të përfunduar me sukses misionin e tij sportiv në mbrojtje të ngjyrave kombëtare. Virtytet e tij nuk janë një rastësi, ato janë të trashëguara prej familjes dhe prindërve të tij, të cilët në ç’do kohë gjejnë një respekt të veçantë në qytetin e Memaliajt, e kudo që ata jetojnë .
Memaliaj i quajtur ndryshe “Brazili i Vogël” përsa i përket futbollit, ka lulëzuar nga herë dhe ka nxjerrë shumë talente. Në të shumtat e kërkesave të fëmijëve në ato kohëra, të pyetur nga prindërit se: çfarë dhurate dëshironi për ditëlindje? Ata shprehen me kënaqësi: një top llastiku! E pra ky top që Fotua e ka ëndërruar, prindërit nuk e linin as të lozte me të! Por Fotua, si gjithë fëmijët dhe bashkëmoshatarët, herë luante me topa prej llastiku që kishin shokët dhe herë-herë edhe me topa prej lecke të cilat i sajonin me lecka të vjetra ku mbasi i mbështillnin mirë e mirë me plastmasë, i kalonin disa herë rreth e rrotull një tel minash apo prej bakri të bërë më dysh, e pastaj e lidhnin fort. Më vonë, e gjithë kjo, u kthye në një aventurë për Foton, pasi filloi të luante fshehurazi babait, arsye kjo, ngaqë i vëllai i tij më i madh Vasua (një mesfushor i talentuar) kishte dëmtuar shumë kupën e gjurit përgjatë një ndeshje futbolli. Ai ishte një sportdashës shumë i apasionuar dhe ndiqte rregullisht ndeshjet e kampionatit të kategorisë së I-ë të kampionatit shqiptar që transmetoheshin çdo të diel në kanalin e vetëm shtetëror. I magjepsur nga planzhonet, loja e bukur dhe plot fantazi e portierit të mirënjohur Perlat Musta, që luante me ekipin e Partizanit, u kthye shumë shpejt në një idhull për të. Ishte pikërisht loja e portierit legjendar Perlat Musta, jo vetëm që e bëri të pagëzohej si sportdashës i flaktë i Partizanit, por njëkohësisht i zgjoi dëshirën që edhe ai të bëhej një portier i denjë, ëndërr kjo që e udhëhoqi derisa e përjetoi edhe në realitet.
Është e pashmangshme përgjatë kujtesës time, zanafilla e nisjes së, karrierës së tij sportive, që po e ndaj me ju. Për fat ndihesha i privilegjuar, kur shikoja se, apartamenti im, ndodhej vetëm disa hapa larg fushës kryesore të qytetit, ku kryheshin edhe ndeshjet zyrtare të ekipit të “Minatori”-t. Vetëm dy javë më parë trajneri i tij i parë prof. Miço Maçi kishte grumbulluar një ekip pionierësh ku midis tyre ishte dhe Fotua. Shumë sportdashës ndiqnin me shumë interes stërvitjen, sidomos atë të portierëve. Pëshpëritej që është pak i ndrojtur, por ka shumë tregues pozitivë. Fotua ishte i imët, por me shtat të përshtatur për të justifikuar mbajtjen e numrit njësh në fanellën sportive. Nuk mund të më fshihen nga kujtesa, kur shikoje shkëputjet me planzhon në ajër, e më pas mblidhej shpejtas si litar përmbi topin e rrokur. Prof Miço Maçi na afrohet për pak minuta dhe na thotë (unë isha më i vogël) “Nëse do të vazhdojë kështu, është talent”.
Ata ishin grumbulluar dhe po stërviteshin për të marrë pjesë në kampionatin kombëtar të shkollave tetëvjeçare që do të zhvillohej në qytetin e Lezhës (1977). Fotua ishte vetëm 12 vjeç (në klasën e gjashtë) dhe mezi e priste që të luante si portier me përfaqësuesen e pionierëve të Memaliajt, por që ende e shoqëronte gjithmonë pasiguria e marrjes së pëlqimit prej babait të tij. Por nëna e tij, duke parë dëshirën e madhe të Fotos të përzier po dhe me aq shqetësim, bëri të mundur t’a bindte babanë për t’a lejuar të shkonte për të luajtur. Mbas marrjes së pëlqimit nga babai, Fotos do t’i trefishohej betimi, pasi nuk do të luante vetëm për të mbrojtur emrin e ekipit memaliot, por do të luftonte që të ktheheshin me klasifikim sa më të lartë, s’i një dhuratë që ja dedikonte edhe dashurisë për prindërit e tij. Dhe ashtu ndodhi! Legjenda Strakosha sapo kishte filluar të hidhte shtat në djepin e saj. Edhe pse ai u paraqit në një formë shumë të lartë sportive, porta që ai mbronte pësoi vetëm dy gola. Ai bëri të pamundurën që të priste të gjitha penalltitë që u shkelmuan nga futbollistët kundërshtarë, përgjatë të dyja ndeshjeve eliminatore. Nëse Memaliaj nuk do të humbiste me Burrelin 0-1, ajo do të shpallej kampion. Por edhe kthimi në Memaliaj me titullin “Nënkampion”, i bënte krenarë jo vetëm Foton dhe gjithë lojtarët, por edhe prindërit e bashkëqytetarët e tyre.
Mbërritja e tyre me trofe, bëri shumë bujë në qytet dhe jehona e suksesit të tyre iu dha më shumë jetë nga zemrat e sportdashësve të flaktë memaliotë. Vitet iknin dhe bashkë me fillimin e studimeve të tij në shkollën e mesme, ai do të të grumbullohej me ekipin e të rinjve që drejtohej nga prof. Virion Laska. Ai u bë shumë shpejt një lojtar titullar në këtë ekip. Kur shikoja portën që mbrohej aq bukur dhe me inteligjencë, më vinte ndërmend edhe thënia e prof. Miços për talentin e Fotos. Këtë siguri e kam ndierë, përveç lojërave përgatitore, kam lozur vetëm dy ndeshje zyrtare me të rinjtë, ku porta mbrohej prej tij, e më pas atyre momenteve, (në vitin 1982) ai kaloi me ekipin e parë “Minatori”. Në ato vite ai punonte në minierën e qymyrgurit, në repartin e mirëmbajtjes të Pusit Nr.2. Puna ishte e lodhshme, pasi ai ngarkonte vagonët me tranversa prej druri apo profile prej hekuri, i shtynte për t’i çuar galeri më galeri që ndodheshin nëpër thellësitë e nëntokës së atij sektori ku ai punonte. Ngaqë ishte futbollist, kishte të vetmin privilegj, që nuk punonte më shumë se gjashtë orë, por paguhej për tetë orë. Fotua, falë moshës rinore dhe shtatlartësisë së tij të shoqëruar me një fizik të admirueshëm, e mbaronte punën shumë shpejt duke i zbatuar dhe realizuar të gjitha porositë që i jepte brigadieri. Edhe pse i kalonte ditët e punës me lodhje e plot mundime të ndryshme, pasditeve përgjatë stërvitjeve do ta shikoje të stërvitej me plot dëshirë dhe energji! Sukseset e tij filluan të ngjisnin shkallët me shpejtësi. Më poshtë po ju shkruaj sesi zanafilla e talentit i tij, tërhoqi vëmendjen e ekipeve të kategorisë së parë.
Edhe pse Fotua ishte një portier shumë i talentuar, portier i parë i ekipit luante po një tjetër portier memaliot i talentuar dhe ai, quhej Aleksandër Qiqi, i cili edhe pse ishte me shtat jo shumë të lartë, ishte i sigurt në mbrojtjen e portës. Në një nga pasditet stërvitore, portieri Qiqi shemb kaviljen dhe nuk ishte në gjendje që të mbronte portën përballë ekipit kundërshtar fierak, “Apollonia”. I detyruar nga kjo mungese, trajneri Reshat Sala ia besoi portën Strakoshës. Për Strakoshën, emocionet ishin të shumta, jo vetëm se ishte ndeshja e parë zyrtare që do të luante me ekipin e parë, por do të mbronte portën prej një ekipi që kishte zbritur nga kampionati i kategorisë së parë dhe me lojtarë shumë të mirë si Majaci, Tego, Tole, etj.
Edhe pse ekipi i “Minatori”-t e humbi 3 me 0 atë ndeshje, Fotua kishte luajtur shumë bukur duke e mbrojtur portën nga mospësimi i disa golave të tjerë. Në atë ndeshje ku nuk i kishte mbushur ende të tetëmbëdhjetat, i mahniti me lojën e tij jo vetëm sportdashësit fierak por edhe drejtuesit e Klubit “Apollonia”. Këta të fundit drejtuan menjëherë sytë nga Fotua dhe i ofruan ofertën për të veshur fanellën e tyre, pasi ishin duke hyrë përsëri në Kategorinë e I-rë, ngaqë kryesonin tabelën e klasifikimit në atë kampionat. Loja e tij spektakolare në këtë ndeshje, tërhoqi vëmendjen edhe të dy klubeve të tjera të futbollit jugor si atë të “Luftëtari”-t të Gjirokastrës dhe atij të “Butrinti”-t të Sarandës. Por Fotua kalonte shpesh ndërmend ofertën e fierakëve, pasi jo vetëm që do të afirmohej në kampionatin e Kategorinë e parë ku “Apollonia” po ecte e sigurt për ta gëzuar këtë të drejtë, por do të përfitonte edhe më shumë si fjala vjen një vend të mirë pune, pasaportizimin dhe një apartament për të banuar dhe të vazhdonte me korrespodencë shkollën e lartë Institutin e Fiskulturës “Vojo Kushi”. Por Fotos nuk iu bë mbarë për t’u larguar nga “Minatori” dhe të shkonte të luante me ekipin fierak “Apollonia”, ku edhe vetë ai e shikonte si klubin më të përshtatshëm për të shpalosur më tej vlerat e tij si portier. Shumë shpejt tek sportdashësit memaliotë dhe atij tepelenas filluan të qarkullonin fjalë se largimin nuk ia jepte sekretari i parë i rrethit të Tepelenës, Gramoz Ruçi, veprim këtë që e komentonin se ngaqë edhe vetë Gramozi ishte një nga sportdashësit e flaktë të ekipit “Minatori”, e donte Foton që të vazhdonte të luante për ngjyrat e këtij ekipi.
Por talenti Strakosha kishte tërhequr edhe vëmendjen e trajnerit të dinamovitëve, prof. Bejkush Birçe. Ishte fillimi i muajit dhjetor të vitit 1980-të ku Foto Strakosha me kërkesë të dinamovitëve, niset për në Tiranë për t’iu bashkuar stërvitjes të këtij ekipi prestigjioz në ato vite. Por ishte prof. Skënder Ibrahimi, ai që bëri të mundur realizimin e transferimit të Fotos me “Dinamon”, merita këto që janë pohuar hapur në publikë edhe nga vetë Fotua. Stërvitja vazhdonte intensive, bashkë me përpjekjet e Fotos për t’u paraqitur sa më mirë, për ta merituar plotësisht pjesëmarrjen në këtë ekip, por në fund të muajit dhjetor, ai merr lajmin për të ndërprerë stërvitjen dhe të largohej për t’u rikthyer në Memaliaj. Edhe pse arsyet e largimit nuk iu komunikuan, Fotua dhe gjithë memaliotët e dinin psenë e pengesës dhe nga kush vinte! Madje të gjithë sportdashësit memaliotët u dëshpëruan shumë nga ky kthim edhe pse u duhej një portier i talentuar siç ishte Fotua! Arsyeja ishte se familja Strakosha konsiderohej me përbërje të keqe, pasi gjyshi i Fotos nga babai dhe (dajua) vëllai i nënës së tij, ishin arratisur për në shtetin grek, në vitet e para të instalimit të regjimit diktatorial. (Shto këtu edhe dënimin e një dajoje tjetër që vuante në burgun e saj kohe). U mësua se pengesa i kishte ardhur prej Komitetit të Partisë së rrethit Tepelenë. Sekretar i parë i rrethit në atë kohë ishte Gramoz Ruçi, emër ky që i jepte të njohur (babait të Fotos) Lefter Strakoshës. Edhe xha Lefteri, si dhe shumë shoferë të tjerë, i merrnin mësuesit që punonin në fshat dhe i sillnin në qytet. Në të shumtët e rasteve, kur kishin mundësi edhe rrinin dhe i prisnin derisa të mbaronin mësimin, pasi makinat në ato zona s’para kalonin shpesh. Një nga ata ishte edhe mësues Gramoz Ruçi i cili jepte përditë mësim në Salari dhe kthehej në Memaliaj, tek apartamenti ku banonte bashkë me familjen e tij. Madje kam rastisur disa herë kur pasditeve ndalonte përpara pallatit automjeti i tipit Zis që drejtonte xha Lefteri dhe mbasi nga kabina zbriste mësues Gramozi, përshëndeteshin të dy me dashamirësi e secili shkonte në punën e tij.
Xha Lefteri ndihej i shumë i shqetësuar për këtë që po i ndodhte djalit të tij dhe duke kaluar shpesh ndërmend se (dikur) një nga ata që e kishte penguar djalin e tij Foto, për të luajtur futboll dhe realizuar këtë dëshirë, ishte po vetë ai, babai i tij. Madje këtë pengesë personale, padyshim që do t’ia ketë shprehur edhe vetë mësues Gramozit përgjatë një nga ish udhëtimeve të përditshme. Këto orteqe të herëpashershme që sa vinin dhe bëheshin më të rënda në shpirt, por edhe më të fuqishme i dhanë kurajo xha Lefterit që t’i drejtohej personalisht Gramoz Ruçit ku në atë kohë gëzonte postin e sekretarit të parë të rrethit të Tepelenës. Takim ky që pritej t’i jepte shumë shpresa xha Lefterit dhe se do t’i jepte një zgjidhje pozitive, zgjidhje kjo duke u nisur gjithmonë tek burrëria që kishte parë tek Gramozi për aq kohë sa e kishte njohur. Mbasi takimi u krye me mirëpritje nga ana e Gramozit edhe pse xha Lefteri trokiti pa e vënë në dijeni për këtë takim, u shpreh shumë qartë për hallin që e kishte çuar deri aty. “Më kërko çfarë të duash, vetëm për Foton mos më thuaj gjë”, iu përgjigj Gramozi. “Në qafë po ta lë Foton”, u shpreh i dëshpëruar në largim e sipër xha Lefteri. “Në qafë do ta kem”, ia ktheu Gramozi.
Pak a shumë ky mikro-dialog, kështu qarkullonte tek sportdashësit memaliotë. Kur e kam dëgjuar, sidomos përgjigjen mbyllëse të Gramozit, më ka lënë të mendoja se shpresa për transferimin e Fotos kishte ngelur e hapur. Kjo trokitje më vinte, pasi pothuajse pjesa më e madhe e memaliotëve (për mos të thënë të gjithë), nuk kanë patur mundësi ta njohin nga afër atë. Unë e kam patur komshi me dyert përmbi njëra-tjetrës, jo vetëm kur ka qenë mësues, por edhe kur u ngrit në detyrë në zonën e Kurveleshit dhe për disa muaj si sekretar i parë e më pas kjo detyrë e çoi me banim në Tepelenë. Ishte i thjeshtë, jo mendjemadh, korrekt, mikpritës, mirënjohës, fjalëmbajtës, bashkëkohor dhe me tendenca liberale. Kam qenë në klasë të tetë kur më ka ardhur komshi dhe si komshi i ri, babai i bëri disa punime elektrike si bërja e një dushi, avolxhimi i elektromotorit të lavatriçes dhe një zile të portës së jashtme që tingëllonte si cicërima zogu, ku mbi mbajtësen prej druri të kësaj të fundit e kam punuar vetë me pirografi (një zog që rrinte mbi një degë) deri tek ngjyrosja dhe llakimi e saj. Kur kam mbaruar klasën e tetë, i kam qepur një palë pantallona ku edhe pse këmbënguli për t’i marr lekët, nuk ja mora. Edhe pse ishim me përbërje të keqe (pasi regjimi na kishte shpronësuar pa dëshirë me forcë familjen e babait), kur babai ndërroi jetë, ai na hapi shtëpinë e tij për ngushëllime dhe më vonë motra mori një bursë fal ndërhyrjes së tij, pasi nga këshilli qytetit nuk u bë e mundur për asnjë nga të familjes tonë! Më vonë, mbasi të gjithë sekretarët e parë kishin ardhur nga një vizitë që kishin bërë në Spanjë, ai do të fliste hapur në Pallatin e Kulturës për ndryshimet që duhej të bëheshin edhe në Shqipëri. Takim ky që shumë nga të brumosurit të vijës së Partisë nuk e mirëpritën dhe shumë të rinj u çuditën për një çelje shprese që nuk e prisnin nga i pari i rrethit. Pra, të gjitha çfarë shkruajta më lart, të lënë të kuptosh, se Gramozi i dha shpresë me një përgjigje të dykuptimtë, duke i dhënë kohë jo vetëm vetes, por për të tatuar njëkohësisht edhe levat që mbanin me zjarr dhe hekur atë regjim, në të kundërt do ta sulmonin edhe atë…
Mbas gjashtë muajsh (në fund të muajit qershor, 1989) Fotua thërritet në Komitetin e Partisë së rrethit Tepelenë dhe mbasi takohet personalisht me sekretarin e parë të saj Gramoz Ruçi, po prej tij mori edhe vendimin e transferimin për të luajtur me dinamovitët. Për të finalizuar këtë transferim, meritë ka edhe këmbëngulja e trajnerit të dinamovitëve Bejkush Birçe. Tashmë, në një nga ekipet më me zë kryeqytetase – “Dinamo”, përveç futbollistit të talentuar tepelenas Mujo Targa (i cili e ka mbështetur shumë Foton) u bë pjesëtar dhe Foto Strakosha, ku u fitua dhe Kupa e Republikës më 1989, dhe më 1990 fituan që të dy trofetë, Kupën dhe Kampionatin Shqiptar. Meqë dëmtimi që kishte pësuar Fotua, nuk e lejoi që të grumbullohej në nëntor të vitit 1990, ai bashkë me familjen e tij vendosën që të kërkonin vizë për të shkuar në shtetin fqinj grek, për të vizituar të afërmit e tij që banonin në qytetin e Janinës. Pasi e gjithë familja mori vizën në muajin dhjetor (1990), nisen për në Greqi. Pa mbushur 48 orë së qëndruari në qytetin e Janinës, i mbërriti një ftesë për t’u takuar me presidentin e PAS JANNINA, ku nënshkroi edhe kontratën e parë me klubet e huaja të futbollit. Ky interesim kaq i shpejtë erdhi si rrjedhojë e lajmërimit që u kishte bërë taksisti grek, pasi e mori vesh se në taksi kishte portierin e kombëtares shqiptare bashkë me familjen e tij.
Më tej, interesimi u shtua edhe nga klube të tjera sportive greke, ku Fotua kaloi një karrierë të gjatë futbollistike prej 14.5 vjetësh. Pra udhëtimi i tij filloi prej Janinës, “Ethnikos”-n e Pireut,”Olimpiakos”, “Panionios”, “Jonikos”, “Kalithea”, “Ethnikos”, “Asteras” dhe “Prodheftiqi”, pa harruar që ka mbrojtur për një kohë rekord portën e kombëtares kuq zi. Ai ka luajtur si portier, plot 73 ndeshje, duke shënuar një rekord në historinë e përfaqësueses shqiptare!
Por koha ka treguar se Fotua është edhe një bashkëshort dhe prind i mrekullueshëm. Në moshën 26-vjeçare, bashkë me bashkëmoshataren e tij Adelina Shehu vendosën që të krijojnë familje dhe kanë plot 24 vjet që bëjnë një jetë të lumtur. Kjo u shumëfishohet akoma më shumë, pasi Zoti u ka dhuruar edhe dy djem të mrekullueshëm, tashmë të rritur. Ata janë Dhimitri 22 vjeç dhe Thomai 19 vjeç. Njohja e këtij çifti memaliot e ka zanafillën qysh kur ishin shokë të klasës së 8-të, të shkollës tetëvjeçare. Në atë të moshës gjimnaziste, lindi simpatia midis njëri-tjetrit ku u bë edhe më tërheqëse që i çoi drejt besëlidhjes së tyre të shenjtë. Adelina ka qenë një nxënëse shumë e mirë dhe si e tillë fitoi të drejtën e studimeve të larta për inxhinieri elektrike në Universitetin e Tiranës. E nisur nga dashuria e madhe që kishte për Foton, i cili në atë kohë punonte në minierë, ajo i ndërpreu studimet e larta duke i braktisur ato dhe u kthye (për të punuar si rrobaqepëse në Memaliaj) për të qenë pranë të dashurit, njeriut të saj të jetës! Është një nga çiftet e të rinjve shqiptarë (ndoshta edhe të vetmit në Republikë për atë kohë) që kanë bashkëjetuar për disa muaj përgjatë vitit 1990, mbasi prindërit e Fotos shkuan për të banuar në Dhërmi.
E dija që Fotua ishte një ndër ata pak futbollistë që bënin kryqin disi të fshehur përgjatë rasteve me rëndësi të veçanta në lojë. Por tek Fotua binte pak më shumë në sy pauza që krijonte (për ata që ishin në gjendje ta kuptonin), pasi ishte portier dhe sa herë që shpëtonte portën nga gola të sigurt apo ndodhej përballë penalltive, kthente shpinën dhe bënte kryqin me një lëvizje të lehtë që më shumë binte në sy, sikur donte të mbërthente apo zbërthente një komçë. Këtë gjest të Fotos, ma forcoi një bisedë që po bënin disa sportdashës memaliotë ku e kishin mësuar (nga disa shokë të Fotos) pak muaj më vonë me ndryshimin e sistemeve. Ata shpreheshin se në një rast Fotua kishte shpëtuar në paq nga bërja e kryqit përgjatë një loje që luhej jashtë shtetit. Flitej për ndeshjen e vitit 1989-të në Francë ku luante ekipi i Dinamos me Olimpikun e Marsejës. Ndeshja në atë kohë filmohej dhe kur ktheheshin, videokasetën e shikonin edhe udhëheqës të tjerë të lartë e një nga ata ishte Hekuran Isai (ministër i Brendshëm). Falë zemërgjerësisë së një drejtuesi kryesor të ekipit dinamovit që e kishte kontrolluar më parë videokasetën e cila mbante të fiksuar edhe bërjen e kryqit prej Fotos, bëri të mundur që ta redaktonte atë pjesë duke vënë në dijeni mënjanë edhe vetë Foton. Në të kundërt një Zot e dinte se ç’fat e priste!
Edhe pse me karrierë të gjatë, karakteristikat e tij të veçanta shpirtërore, nuk e harruan kurrë djepin e ekipit të parë, që iu dha mundësia për në vazhdim. Ai e ka mbështetur disa herë me vlera të ndryshme këtë ekip. Fotua është nga të paktët vendas që pushtoi zemrat e memaliotëve, e duke e bërë atë të parin “Qytetar Nderi”, për atë qytet dhe memaliotët e festuan me madhështi këtë ditë të shënuar për birin e tyre. Në këtë ceremoni të organizuar, në stadiumin “Karafil Çaushi” fjalën e hapjes e bëri doktor Sefer Shehu, e më pas, kryebashkiaku Albert Zhupa. Ambjentin e bënë akoma më festiv, parodistët e Vlorës, Agron Llaka dhe Agim Bajko, këngëtarët, Kozma Dushi, Aurela Gaçe, Eranda dhe Irma Libohova dhe Petrit Lulo. Titulli “Qytetar Nderi” Foto Strakoshës iu dorëzua nga këshilltari Mërkur Cukalla. Në praninë e babait, dy djemve dhe të bashkëshortes së tij, përmes emocioneve prekëse i drejtohet përzemërsisht bashkëqytetarëve me këto fjalë “Është dita më e bukur e jetës sime”. Atmosferës i dhuroi më shumë duartrokitje, krijuesi i këngëve labe, gjeniu Maliq Lila, ku reciton vargjet e tij të krijuara enkas për këtë ditë. Ja pakëz nga këto vargje: “Hallall o Foto Strakosha, Nderi i Vjosës dhe i Jonit, Rubin i fushës së Blertë, Në krenarinë e Kombit”.
Po për këtë ditë të paharruar për Strakoshën, gazeta “Labëria” (30 Gusht. 2001) kishte botuar një artikull të gjatë. Veç të tjerash, ata i kushtonin një vjershë: “Për ju këndon Shqipëria, Kush e mbron sot portën tonë, Foto Strakosha shqiponjë, Bir i djepit të Lirisë, Himarës së Shqipërisë, Fotot me të trembëdhjetë, Për ju këndojnë Bilbilenjtë…”
Foto Strakosha, duke jetuar gjithmonë me mbresat më të shkëlqyera në karrierën e tij sportive, duke u përballur edhe me disa emra të mëdhenj të futbollit botëror si, Klisman, Bekham, Ouen, Figo, Vieri, Salas, etj, duke përjetuar edhe fitoret e disa trofeve si, fitues i kupës së Republikës – “Dinamo” ’89, Kampion i Shqipërisë – “Dinamo” ’90, Kupën e Shqipërisë – “Dinamo” ’90, fitues i Superkupës së Shqipërisë – “Dinamo” ’90, Kampion i Greqisë – “Olimpiakosin” ’97, Kupën e Greqisë – “Panionios” ’98, e kanë impresionuar akoma më shumë, e për t’i trashëguar ato dhe tek dy djemtë e tij Dhimitri e Thomai të cilët stërviteshin sistematikisht për të patur një të ardhme sportive, por Thomai është ai që po lufton me të gjitha energjitë e tij për të trashëguar legjendën që mban emrin e babait të tij. Sot Thomai është në radhët e SS Lazio dhe luan për kampionatin italian, ku me talentin e tij e ka justifikuar prezencën e tij në këtë ekip.
Shpresojmë që një ditë, Foto Strakoshën ta shikojmë edhe trajnerin kryesor të Kombëtares Shqiptare! Me emocionuese dhe mallëngjyese për Foton kanë qenë ceremonitë, në stadiumet, greke dhe shqiptare ku, në praninë e mijëra sportdashësve, admiruesish, fansash e tifozësh, janë shoqëruar me duartrokitje të gjata, momentet e lënies së karrierës se tij sportive, duke i dhënë mesazhin, FALEMINDERIT STRAKOSHA!
****
Statistika
U lind më 29.3. 1965. Qysh në moshën 12-vjeçare, ka përfaqësuar si portier ekipin e futbollit të pionierëve të qytetit Memaliaj, në një kampionat kombëtar futbolli të shkollave 8-vjeçare që u zhvillua në qytetin e Lezhës. Në këtë kampionat, ekipi memaliot doli nënkampione, mbas humbjes që pësoi nga një gol i vetëm prej ekipit të Burrelit! Trajneri i tij i parë që zbuloi talentin e tij është prof. Miço Maçi, kurse prof. Viron Laska ishte trajneri që e grumbulloi në ekipin e të rinjëve të “Minatorit”. Më pas ka punuar edhe me trajnerët, Reshat Sala, Vladimir Bushi, Qirjako Fani, Bejkush Birçe, Neptun Bajko, Astrit Hafizi, Medin Zhega, Sulejman Demollari, Giuseppe Dossena dhe Hans-Peter Briegel.
Me klubet shqiptare ka luajtur: 1982-1988 “Minatori”, 1988-1990 “Dinamo”. Ndërsa me klubet e huaja ka luajtur: 1991 “PAS Giannina”, 1991-1993 “Ethnikos Piraeus”, 1993-1997 “Olumpiakos”, 1997-1999 “Panionios”, 1999-2002 “Ionikos”, 2002-2003 “Kallithea”, 2003-2004 “Ethnikos Asteras”, 2004 “Proodeftiki 2004-2005 “Panionios”.
Ka luajtur 73 ndeshje me kombëtaren ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit të saj. Ka luajtur 19 ndeshje miqësore, 25 ndeshje kualifikuese për kupën e botës, 28 për atë Evropian, 1 të ndryshme. Ndeshjen e tij të parë me ekipin Kombëtar, e ka luajtur në moshën 25 -vjeçar e 62 ditë (30-5-1990, Iceland 0-2) dhe të fundit në moshën 39 vjeç e 198 ditë (13-10-2004, Kazakhstan 1-0). Gjithsej me ekipin Kombëtar ka luajtur 14 – vjet e 136 ditë. Disa nga përfaqësueset që është ndeshur janë: Islanda, Gjermani, Angli, Turqi, Moldavia, Spanja, Latvi, Norvegjia, Finlanda, Armenia, Sllovenia, Uells, Rusia, Vietnami, Irlanda, Bullgaria, Zvicra, Maqedonia, Gjeorgjisë, Portugali, Suedia, Estonia, Qipro, Greqia, Danimarka, Kazakistani. Marrë nga memaliaj.com
Diskutime rreth kësaj post