Nga Bedri Islami
Në të vërtetë ne kemi dy 21 janar: atë që ndodhi pesë vite më parë, dhe ky është 21 janari i përgjakshëm; dhe këtë që është sot: dhe ky është i turpshëm.
I përgjakshmi tashmë dihet në të gjithë hollesitë e tij; që nga përgatitja e demonstratës, marshimi i më shumë se 100 mijë njerëzve nga të gjitha drejtimet drejt sheshit kryeministror, provokimi i paturpshëm i policisë qeveritare,pastaj realizimi i një skenari makabër duke nisur që nga fillesa e goditjes, kundërgoditje e demonstruesve, tërheqja për të menduar për një ditë tjetër demonstrative, vrasja e katërfishtë, bërë qetësisht, me mendimin e qartë për të dhënë një mësim force përmes dhunës, fshehja e provave, deklarimet brutale të qeveritarëve, sajesat me çadra pistoletë, për makinat me armë që prisnin tek “Taivani”, brutaliteti i shefit të qeverisë që, si në mal, thërriste për grusht shteti e për të goditur edhe 300 të tjerë, këto ishin çastet e halucinacionit të plotë politik dhe delirit të çmendurisë qeveritare; e si një vijë e zgjatur, deri tek përsëritja pak ditë më parë e së njëjtës makutëri, kësaj here nga ish ministri i Mbrojtjes, Imami, që ende mendon se beson njeri tek një përpjekje për grusht shteti.
21 janari i përgjakshëm ishte i përgatitur deri në detaje. Filmimet e bëra në koridoret kryeministrore, në të cilat dukej një njeri që ulërinte pse nuk po qëllohej janë ende diku; nuk besoj se të gjitha provat janë zhdukur. Një ditë koha e së vërtetës do të vijë dhe njerëzit do të flasin, por do të jetë një vonesë po aq e dënueshme sa edhe vrasja. Enigmat që janë zbardhur nuk janë asgjë në krahasim me ato që janë fshehur. Njeriu që ngriti të gjithë skenën e goditjes është ende në Tiranë, i atashuar pranë parlamentit, qoftë si ekspert njëri e tjetri si deputet; ai që i miratoi këtë makabër është ende në lojën e politikës; njëri si ish shef partiak e tjetri si vazhduesi i tij; mjekët që morën urdhërin për të deformuar të vërtetën, në mënyrën më çnjerëzore janë ende aty, në spitale dhe si janë detyruar të bëhen pjesë e krimit, ku ta dish, ndoshta një ditë do të jetë pjesë e zbulimit të së vërtetës.Për fat të keq, çfarë nuk ndodh askund në botë, të dy mjekët janë ende të tillë dhe nuk e di se si mund të ju besohet jeta e të tjerëve, ata që u bënë avoketër të vdekjes, më keq, të vrasjeve. Në Shqipëri është edhe ish shefi i gardës së republikës, që të nesërmen doli me një sy të nxirë, por asnjë pamje filmike nuk e tregonte se ku dhe nga kush ishte nxirë ai sy, përmes së cilit mori në shenjë jetën e dy njerëzve të pafajshëm.
Të gjitha këto dihen. Ajo që mund të thuhet në të ardhmen do të jetë në faktin se kush i udhëzoi Berishën e bashën që të vrasin në janarin e 5 viteve më parë. Nga kush e morën udhërin për të vrarë apo ishte vetëm e thjeshtë një notë dëshpërimi nga droja e pushtetit. Dëshora e herëshme e berishës ka qenë vrasja. Nuk e ka provuar këtë për herë të parë: edhe në vitin 1997, si do të çiltërohej më pas truproja e tij kryesore, ishte i gatshëm të merrte një kallashnikov dhe të dilte në shkallët e presidencës për të vrarë rebelët e jugut. Edhe kur e nisi Azemin drejt një makine të panjohur e mendoi vrasjen dhe e thirri atë. Në ditën e 21 janarit, sado mendje diabolike të kishte një shef qeverie, ai nuk mund të shkonte vetëm për hatër të pushtetit drejt vrasjeve.
Berisha e Basha vranë kur njerëzit po iknin ose kur po sodisnin me duar në xhepa. Dikush aty, pranë hyrjes, një tjetër disa dhjetra metra më tej, një i tretë në podumin e gazetarëve, i katërti, Aleksi, ndërsa ishte drejt familjes së tij. Pra, kur gjithçka po shuhej. Aty nis edhe alarmi i Berishës dhe mbshja e Bashës: ata po ikin. Po iknin duke i kthyer shpinën një njeriu që kishte qëndruar pas xhameve të blinduar dhe nuk i kishin hedhur një gur në drejtimin e tij. Nuk e donin atë, donin shtetin, të cilin ai po e vriste. Si e vrau.
Asaj nate, ndërsa gjithçka po zbardhej marramendshëm shpejt, megjithëse njeriu vrasës përpiqej fillimisht të fshihte të vërtetën e më pas të kërcënonte me vrasje të tjera, pyetja e parë që i kam bërë vetes, e si unë edhe shumë të tjerë: përse ai qëlloi në momentin kur gjithçka po largohej, përse nuk qëlloi kur turma ishte e egërsuar ndaj policisë së tij, në pikun e momentit të shpërthimit të zemërimit?
Dy ishin shkaqet: në momentin e ashpërsimit ai ndjente frikën dhe kjo frikë shpëtoi nga vdekja dhjetra njerëz që mund të ishin pasojë e çmendurisë së tij. Më pas, kur turma po largohej , ai priti gjithë ankth se dikush do të futej në oborrin kryeministror, si futeshin dikur në arat e njëri tjetrit dhe aty do të vriste , gjithnjë me justifikimin se, ja ku i vrava, i zura në sinorin tim. Dhe, kur as njëra e as tjetra nuk po ndodhnin, ai tha urdhërin për të vrarë. I doli nga koka e tij, ashtu befas, ia deshi qejfi, apo i thanë të vrasë? Tabulatet e shefit të asaj kohe të qeverisë, në ditënatën e 21 janarit askurrë nuk janë zbardhur. Askush nuk e di se me cilët ka folur ai, dhe, nuk do të ishte e pazakontë nëse në ato tabulate do të gjendeshin edhe thirrje nga larg. Ka qenë në natyrën e punëve të tij: edhe në shtator të vitit 1998, kur ai po shpërthente kryeministrinë, një telefonatë nga larg, përmes së cilit vinte zëri i një shqiptaro malazezi, e detyroi të kthehej. Kush i telefonoi Berishës dhe i tha: vrit. Mendja e tij apo një telefonatë nga larg?
Ky ishte 21 janari i përgjakshëm: njëditë e zezë në pluralizmin shqiptar, që nuk ka lidhje rastësore me 2 prillin e vitit 1991, dhe që, asnjëra e as tjetra, nuk po ndriçohen, duke i lënë në një terr të vazhdueshëm. Për 21 janarin , si edhe per 2 prillin, u ngritën komisione parlamentare, të cilat , edhe pse për vrasje, kanë qëndrime të ndryshme: karakteri njerëzor ende nuk ishte flakur në grumbullin e plehrimit politik, për më tepër, në qeverisje nuk ishte një monstër. Komisioni parlamentar i ngjarjeve të 21 janarit është pa dyshim turpi më i ndjeshëm i një parlamenti të 25 viteve të fundit, por , kur mendon se cilët ishin në atë turbullirë, nuk çuditesh për asgjë.
21 janari ka edhe anën e tij tjetër, të cilën e theksuam që në krye të herës: të turpshmen.
Tani dihet që provat u fshinë që asaj nate, por ata ishin provat qeveritare dhe veç tyre ka patur e ka edhe sot mjaft prova të tjera: disa nga tët duket sikur ulërasin për të qenë të efektshme. Por nuk janë. Turpërimi i 21 Janarit nuk lidhet me ish qeveritarët. Ata nuk bënë turp, ata bënë krim. Bënë krim ata që vranë, bënë krim ata që e fshehën: që nga ministrat e deri tek mediat pro qeveritare, të cilat u bësh njësh me krimin.
Turpërimi lidhet me qeverisjen e sotme. Lidhet me atë çfarë bënë drejtuesit e kësaj qeverie për të ndriçuar një të vërtetë të frikshme dhe për të cilën ishin betuar dhjetra herë se do ia arrinin.
Në të vërtetë, dhe kjo është një e vërtetë e hidhur, ata nuk kanë bërë asgjë. Sa më shumë që vitet kalojnë, aq më tepër mjegulla fillon e dendësohet, deri sa vjen një ditë dhe harresa mbulon çdo gjë.
Qeveria e sotme, për fat të keq, asnjëherë nuk e mori seriozisht hetimin dhe gjetjen e së vërtetës. E gjitha që është bërë deri më tani lidhet me anën e jashtme të asaj që fshihet më pas: vizitat tek familjet e të vrarëve, lulet e ceremonitë, zbusin një dhimbje, por nuk e vrasin dhimbjen. Është njerëzore të shkosh dhe të qëndrosh me vajzat e Aleks Nikës, me të gjithë ata që mbetën pa prindër e pa djemtë e tyre, të kujdesesh për të mbuluar një plagë, e cila nuk shërohet. Është e dobishme të kujdesesh për jetën e atyre që mbetën pas, por këtë mund ta kishte bërë edhe shoqëria cibile, edhe njerëz të veçantë, edhe të afërm apo edhe të panjohur. Mund ta kishin bërë në vazhdimësi e jo në një ditë përkujtimi, si ndodh rëndom.
Që para ditës së 23 qershorit premtimi për të ndriçuar të vërtetën e 21 janarit ishte më solemni i qeverisë së re. U përsërit edhe më pas, ndoshta me tone edhe më pompoze, u bënë takime dhe u shkulën vendit disa pllka bulevardi, por më tej ka vetëm heshtje.
Të vrarët e 21 janarit nuk ngrihen më, edhe nëse fajtorët do të dënohen, ashtu si në të vërtetë e meritojnë të dënohen. Por shpirti i tyre mund të jetë më i qetë nëse përmes kumtit të ndëshkimit do të kishte ardhur mesazhi i mospërsëritjes së krimit. Sepse një krim që nuk dënohet, ai përsëritet.
A do të jetë dosja e 21 janarit një çështje e mbyllur?
Si duket, gjithçka po shkon drejt mbylljes. Do të mbetin ende në skenën e politikës , pa asnjë droje, edhe ai që vrau, edhe ai që u kërcënua se do të vritej; edhe bashkëfajtori i vrasjes edhe ata që një ditë mund ta pësojnë si katër të vrarët.
Përse hesht qeveria e sotme për një krim të djeshëm?
Unë nuk e di shkakun, vetëm e di se në këtë 21 janar, kur ata do të vendosin edhe një herë lule në nderimin e të vrarëve, lulet do të thahen ende pa kaluar kjo ditë e zezë, që nuk do të zbardhet kurrë.
Ne kemi sot përballë njëri tjetrit dy shembuj që për fat të keq binjakozojnë : një qeveri që vret dhe një qeveri që hesht.
Mes të dyjave, zgjedh atë që hesht, kur nuk kam mundësi të zgjedh një tjetër.
***********
FOTO: Ana, vajza e Ziver Veizit, një nga viktimat e 21 janarit, fotografuar nga DITA dy vjet më parë.
Diskutime rreth kësaj post