Nga Mero Baze
Kancelarja gjermane Angela Merkel i dha Shqipërisë një përkrahje thelbësore në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, duke shkëputur fatin e këtij vendi nga forcat antiperëndimore. Me qartësinë e një shtetareje që ka udhëhequr së paku tre vitet e fundit pajtimin në Ballkanin Perëndimor dhe shkrirjen e akujve mes Serbisë, Shqipërisë e Malit të Zi, kancelarja Merkel ka inkurajuar Shqipërinë të tejkalojë bllokimin e reformës për drejtësi, e cila ka mbetur pezull për shkak të ankimimit nga opozita të ligjit për “Veting”-un dhe i ka kërkuar që gjatë procesit të negociatave, të përparojë në pesë prioritet e Bashkimit Europian për Shqipërinë.
Ky qëndrim është një pavarësi e re për Shqipërinë.
Është një pavarësi e re dhe e qëndrueshme pasi është një 28 Nëntor i tretë për Shqipërinë, i cili konsolidon frymën e saj Perëndimore. Nëntori i parë, ai i Skënderbeut, ishte shenja e parë historike që Shqipëria po luftonte në emër të Perëndimit. Nëntori i dytë i 1912 ishte shkëputja nga Perandoria osmane në emër të një kombi që i përkiste Perëndimit. Vendimi i sotëm i kancelares Merkel është konsolidimi i rrugës europiane të Shqipërisë. Ajo shkëputi fatin e Shqipërisë nga fati i një grupi të vogël njerëzish, të cilët për shkak të interesave të tyre tërësisht personale dhe familjare, donin të përdornin Shqipërinë si peng për rikthimin e tyre në pushtet.
Për gati një vit rresht, Sali Berisha, i cili ka marrë peng partinë e parë pro-perëndimore të Shqipërisë, po lufton që të bllokojë reformën në dejtësi me qëllim që Shqipërisë t’i bllokohej hapja e negociatave. I qartë në qëllimin e tij dhe i vendosur pa asnjë skrupull për ta realizuar atë kundër vullnetit të Perëndimit, Sali Berisha kundërshtoi deri në fund reformën dhe kur pa që nuk kishte vota, çoi tek ushtarët e Gjykatës Kushtetuese ligjin për “Veting”-un.
Është e sigurt se ata edhe pas përgjigjes pozitive të “Venecias”, do ta zhbëjnë atë ligj dhe do bëjnë ç’është e mundur që Shqipëria të pengohet në rrugën e saj drejt Europës.
Për këtë arsye, qëndrimi i kancelares Merkel është historik, pasi ai ndan fatin e Shqipërisë nga fati i një palo shqiptari, që për hir të djalit, vajzës dhe një familjeje tërësisht kriminale, po përpiqet të mbajë peng Shqipërinë. 28 nëntori i këtij viti është fitorja e pavarësisë së Shqipërisë nga Sali Berisha. Ai nuk e mban dot më peng Shqipërinë, pasi fati i saj sot është vendosur nga njeriu më i fuqishëm i Perëndimit.
Shqipëria ka realisht shumë probleme për të qenë një vend anëtar i Bashkimit Europian, por bllokimi i negociatave do të kishte pasoja të rënda për hapat e këtij vendi, pasi zhvillimet e reja botërore mund ta nxirrnin nga vemendja historike që ka pasur për të këto 25 vjet dhe mund ta degradonin.
Qëndrimi i sotëm i kancelares Merkel, është inkurajimi më i madh që shqiptarët kanë marrë prej dhjetorit 1990 për të vazhduar në rrugën europiane.
Shqipëria ka ende probleme të rënda me korrupsionin, krimin e organizuar, mosndëshkueshmërinë e politikanëve që kanë bërë krime, të atyre që sot duan të bllokojnë reformën dhe natyrisht me ekonominë e saj ende jo konkurrente. Hapja e negociatave do t’i japë Shqipërisë startin e fundit të rrugës europiane, ku do të përputhen pritshmëritë e Europës me vullnetin tonë për t’u bërë një vend europian.
Sot ia vlen ta festojmë 28 Nëntorin si një pavarësi e re, si një pavarësi e Shqipërisë nga ata që nuk e duan në Europë. Mbi të gjitha, si një pavarësi nga Sali Berisha. Njeriu që po i vë deri në fund stërkëmbsha në këtë rrugë, por që për fat nuk po ia del dot. Jo për meritën tonë, por për meritë të Perëndimit. Faleminderit kancelarja Merkel!
Diskutime rreth kësaj post