Ish-kryeministri britanik, Tony Blair ka reaguar për tërheqjen ushtarake të Perëndimit nga Afganistani. Teksa ai ka çuar në Afganistan trupat ushtarake në vitin 2001, e konsideron këtë tërheqje si të ‘rrezikshme’ dhe të panevojshme’.
Blair ka thënë më 21 gusht se Rusia, Kina dhe Irani do të “përfitojnë” nga largimi ushtarak i Perëndimit, pas 21 vjetëve të luftës dhe sulmeve terroriste.
Blair i ka bërë këto komente në një deklaratë të publikuar në faqen e tij Fondacioni Tony Blair për Ndryshime Globale. “Braktisja e Afganistanit dhe njerëzve të tij është tragjike, e rrezikshme, e panevojshme dhe nuk është as në interesat e tyre, as në tonat”, ka vlerësuar ai në komentet e para publike rreth krizës, prej kur talibanët kanë marrë pushtetin dhe kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi.
Ai ka shtuar se “pyetja që duhet të bëhet nga aleatët, por edhe nga armiqtë është se ‘a e ka humbur Perëndimi gatishmërinë e tij strategjike?’” “Si lider i shtetit tonë, kur kemi marrë vendim që t’iu bashkohemi Shteteve të Bashkuara për të rrëzuar talibanët nga pushteti – e kush ka parë shpresat e mëdha për atë se çfarë mund të arrihej për njerëzit dhe botën – e di më mirë se shumëkush sa të vështira janë vendimet e udhëheqësive dhe sa e lehtë është që të kritikohesh dhe sa e vështirë është të jesh konstruktiv”.
Ai i ka bërë thirrje Perëndimit “që të evakuojë dhe t’i strehojë ata për të cilët ka përgjegjësi – ata afganë që na kanë ndihmuar, kanë qëndruar afër nesh dhe kanë të drejtë të kërkojnë që t’iu qëndrojmë afër”. Udhëheqësia e lartë e talibanëve është raportuar të jetë mbledhur në Kabul më 21 gusht, për të analizuar qeverinë e ardhshme, pas kthimit të grupit islamist në pushtet. Talibanët kanë premtuar udhëheqësi “ndryshe” në krahasim me periudhën e fundit sa kanë qenë në pushtet më 1996-2001, kur kanë udhëhequr përmes një interpretimi të ashpër të ligjit islamik. Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti. Talibanët kanë fituar kontrollin e Afganistanit pak ditë para afatit të fundit – 31 gusht – për tërheqje të forcave ndërkombëtare nga ky shtet. Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001. Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.
Diskutime rreth kësaj post