Pas katastrofës nga rrëzimi i Urës së Xhenovës autoritetet shqiptare deklaruan se në Shqipëri nuk kanoset asnjë rrezik nga urat.
Por ABC News ka vëzhguar disa nga urat, që aktualisht thuajse janë në prag të mosfunksionimit të tyre.
“Quhet ura e Mifolit dhe është ndërtuar mbi Vjosë rreth viteve ’80. Deri në vitin 2012 ishte nyja kryesore që lidhte Vlorën me Fierin, ndërsa pas ndërtimit të autostradës nuk është më aq e rrahur”.
Përmes saj lëvizin banorët e fshatrave përreth Vjosës. Por tashmë dëmet janë të dukshme. Një nga shkaqet është dalja e lumit Vjosë nga shtrati. Këmbët e saj kanë pësuar gërryerje. Dëmtime ka edhe në trase dhe në pjesët mbrojtëse të saj. Nuk është cilësuar në rrezik nga Autoriteti Rrugor, por pamjet tregojnë se duhet ndërhyrje.
Ura e Tapizës në Krujë mund të jetë sot për sot ura me rrezikshmëri të lartë. Në kufi me Tiranën, ajo është nyjë kyçe drejt Veriut. Nuk mbahet mend që kur këtu s’ka patur ndërhyrje. Ka raste që Ura lëkundet edhe nga këmbësorët. Në të mungon sinjalistika dhe nuk ka tregues për tonazhin e rëndë. Mjetet lëkunden kur kalojnë përmes saj.
“Ka rrezikshmëri, s’kena nga t’ia mbajmë këtej do dalim, s’kemi rrugë tjetër”
Janë ura të vjetra aq sa u është harruar edhe data e ndërtimit. Kjo është ura e Golikut, në Mokër të Pogradecit ngritur në vitin 1964. Ajo lidh gjithë zonën e Mokrës në të dyja Mokrat e Sipërme dhe e Poshtme si dhe mjaft fshatra deri në Gramsh. Janë tetë mijë banorë që qarkullojnë në të. Por pamjet tregojnë se ajo është komplet e dëmtuar. Një nga shkaqet është edhe kalimi mbi të i mjeteve të rënda.
“Kjo është bërë në vitin ‘63 nga brigada e Gollobordës, nga atëherë deri më sot nuk është vënë dorë. Kemi bërë shumë kërkesa, kjo urë lidh gjithë zonën e Mokrës”.
E tillë është edhe ura e Manatrecit në Përrenjas. E ndërtuar në vitin 1963, ajo lidh fshatrat me afro 5 mijë banorë. Edhe në këtë rast dëmtimet më të mëdha janë shkaktuar nga mjetet e tonazheve të rënda.
Diskutime rreth kësaj post