Nga; Fatos Tarifa
Kur nipi im i vogël, Heru, i cili ende nuk i ka mbushur pesë vjet, u kthye dje nga kopshti, në ekranin e televizionit pa kryeministrin tonë.
“Edi Rama”, tha ai, si të kish bërë një zbulim.
Ishte hera e parë që e dëgjoja emrin e Ramës prej tij, ndaj edhe u habita, por nuk thashë gjë. Pas pak, Heru më pyeti në sintaksën e moshës së tij:
Tosi, Edi Rama është më i mirë?
Kjo pyetje më habiti edhe më shumë, por nuk i ktheva përgjigje. Heru këmbënguli sërish, këtë herë duke ma thënë të plotë emrin, siç bën sa herë që kërkon vëmendjen time:
“Fatos! Edi Rama është më i mirë”?
Nuk i ktheva as këtë herë përgjigje sepse, në fakt, nuk kisha një përgjigje për pyetjen e tij. Ose, ndoshta, nuk isha i sigurt në përgjigjen që mund t’i jepja. U përpoqa ta “gënjej” me një përrallë nga ato me “xhaxha Stefin” që brezi im i ka lexuar kur ishim fëmijë dhe Herusë i pëlqejnë shumë.
Në moshën e tij, fëmijët kanë nevojë të rriten me përralla e me lodra, jo me politikë; me “supermenë” dhe “xhaxha Stefë” që bëjnë të mira për njerëzit, jo me emra politikanësh.
Nuk do të doja në asnjë mënyrë që nipi im, në këtë moshë të vogël, të bëhej sado pak i interesuar për politikën.
Politika është një botë për të rriturit, jo për fëmijët dhe të miturit.
Fëmijët duhen lënë dhe inkurajuar të rriten e të zhvillohen në botën e tyre, e cila është shumë më e bukur, shumë më e pasur, shumë më e gjerë e më e hapur ndaj imagjinatës së tyre dhe, pa dyshim, shumë më e sinqertë në të vërtetat dhe të pavërtetat e saj sesa bota e të rriturve.
Në fakt, kisha një arsye më të rëndësishme pse nuk iu përgjigja pyetjes së nipit tim për Edi Ramën. Pyetja e tij (shumë e habitshme ta dëgjoja nga goja e një fëmije 5-vjeçar), provokoi tek unë, aty për aty, imazhin e një kryeministri që e sheh veten në postin dhe me pushtetin e pakufizuar të një monarku, që është mbi popullin dhe mbi parlamentin.
Rama nuk ishte i tillë. U bë i tillë, një monark që e sheh shtetin si të ishte “prona e vet” dhe që mund të bëjë ç’të dojë e të veprojë si të dojë me subjektet e tij, me qytetarët e këtij vendi: të vendosë cilëve t’ua rrisë rrogat dhe sa; ç’pensione t’u japë të moshuarve dhe invalidëve; ç’moshë duhet të ketë kryetari i një akademie shkencash; kujt duhet t’i jepet dhe kujt s’duhet t’i jepet (dhe për sa kohë) diploma pas përfundimit të studimeve universitare; në ç’datë duhet të fillojë viti i ri akademik për të gjitha universitetet (publike dhe private) të vendit; pse duhet kultivuar dhe përdorur kanabisi; cilët figura historike duhen quajtur atdhetarë etj.
Lista është shumë e gjatë dhe për to vendos vetëm ai.
Të tjerët, ata që ka rreth vetes, ose që janë të partisë së tij në parlament, vetëm ngrenë dorën.
Gjithnjë siç i pëlqen atij, të parit të partisë, të parit të qeverisë, kryeministrit “monark” të republikës sonë parlamentare. Vetëm një monark bën si do vetë dhe nuk mban përgjegjësi para askujt, për asgjë.
Si mund t’i thoja nipit tim 5-vjeçar se Edi Rama është “më i miri”!
Më i miri nuk është kurrë i vetëm.
Këto fjalë i kam dëgjuar nga Nelson Mandela.
Më i miri di gjithnjë të zgjedhë të tjerë njerëz të mirë, të zotë e të ndershëm rreth tij, që të konsultohet e të drejtojë bashkë me ta.
“Më i miri” nuk mund të bënte bashkëpunëtorin e vet më të ngushtë dhe zëvendësin e vet në krye të qeverisë, më të keqin.
“Më i miri” nuk mund t’i varte në gojë ujkut mëlçinë e qingjit.
Nuk mund t’ia besonte atij paratë e popullit dhe të thesarit të shtetit, fondet e rindërtimit, të pandemisë etj, etj.
“Më i miri”, si kryeministër, nuk mund të mbledhë rreth vetes, si bashkëpunëtorë, njerëz që t’u mundësojë të vjedhin e të bëjnë ç’të duan me portofolin që u jep në kabinetin e tij qeveritar me argumentin “nëse bëni gabime, vidhni apo shpërdoroni dhe kapeni, përgjegjësinë e mbani vetë. Unë nuk ju mbroj”.
Pra, si mund t’ia shpjegoj nipit tim 5-vjeçar ç’ka bërë zëvendësi i kryemimistrit “më të mirë” dhe pse ai është në arrati?
Si mund t’ia shpjegoj nipit tim se “më i miri”, ai që është në krye të vendit, nuk gjen kohë të marrë pjesë në një seancë plenare shumë të rëndësishme të kuvendit, ku si kryeministër duhet të japë llogari dhe të votojë ligjet që ai vetë ka propozuar, ndërsa gjen kohë të inspektojë, po atë ditë, ndërtimin e një rrugë në Vlorë?
Si mund t’ia shpjegoj nipit tim 5-vjeçar se “më i miri”, ai që i ka zgjedhur me dorën e vet socialistët që ulen në kuvendin e Shqipërisë , shpenzon më pak kohë në atë kuvend të përfaqësuesve të popullit se sa në Facebook, në Twetter, në Instagram, në podcast me Luiz Ejllin apo në studio televizionesh?
Kemi zgjedhur të drejtojë vendin një kryeministër, apo një “social media influencer” dhe një “TV star”?!
Me thoni, ju lutem, ç’përgjigje mund t’i jepja nipit tim 5-vjeçar kur më pyeti: “Fatos, Edi Rama është më i mirë?”.
Të vërtetën?
Cilën të vërtetë?
Gjykova se ishte më mirë t’ia merrja mendjen me një prej historive me xhaxha Stefin, sesa të gjeja një sinonim të thjeshtë e të kuptueshëm për moshën e tij të konceptit “self-aggrandizement”, apo “self-absortion” (vetë-lëvdim), me të cilin do ia cilësoja Ramën një të rrituri.
Nipi im do e kuptojë përmbajtjen e këtij koncepti kur të rritet, njëlloj si gjyshja ime e mirë gjirokastrite, ndjesë pastë, për burra si Edi Rama thoshte: “Eeeh, mor djalë, ai është SHIKOMËNI MUA…”.
Diskutime rreth kësaj post