Pas arrestimit te disa ish drejtoreve te ARRSH, frika tani eshte per “peshqit e medhenj”.
Dosja e rrugëve për të cilat deri tani janë arrestuar në dy çështje të ndryshme Dashamir Xhika, Andi Toma dhe 11 persona të tjerë, mund te prekë edhe Emond Haxhinaston, deputet i LSI-së dhe ish-ministër i Transporteve.
Keshtu raporton sot Top Channel.
Hetimet nisën pasi Damian Gjiknuri bëri kallëzimin në prokurori në dhjetor të vitit të kaluar, çka lë të kuptohet se kjo dosje ka nisur të aktivizohet pas prishjes se koalicionit PS-LSI.
Ish-ministri i transporteve Edmond Haxhinasto, aktualisht deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, është nën verifikim nga prokuroria e Krimeve të Rënda në dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan.
Për këtë dosje krimet e rënda kanë nxjerrë 3 masa arresti për ish-drejtorin e rrugëve Dashamir Xhika dhe dy ish-zyrtarë, Albens Alite dhe Aksel Qurduka. Të tre ish-zyrtarët dyshohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre me fondet dhe projektet për rrugën Tiranë-Elbasan, me një dëm që prokuroria e përllogarit në 80 milionë euro.
Krimet e Rënda po verifikojnë nëse për të njëjtën dosje Edmond Haxhinasto e ka kryer apo jo detyrën si ministër. Burimet i konfirmuan Top Channel se ka dyshime paraprake se pavarësisht kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2016 për keqmenaxhim të projektit, ministria e Transporteve nuk ka marrë masa. Por dyshimi më i fortë që po verifikohet është nëse vetë ish-ministri, pas shkeljeve të konstatuara, a ka urdhëruar apo jo ngritjen e një komisioni të brendshëm për vlerësimin e situatës.
Për rrugën Tiranë-Elbasan janë depozituar dy kallëzime në prokurori, më i fundit i dorëzuar nga ministri Damian Gjiknuri më 12 dhjetor 2017, bazuar në një audit të brendshëm. Nga ky audit u evidentua një dëm prej 54 milionë dollarë. Pas hetimeve të prokurores Elisabeta Imeraj, të dielën gjykata e Krimeve të Rënda shpalli arrestin me burg për Dashamir Xhikën, dhe dy ish-zyrtarët e tjerë. Por për Dashamir Xhikën të njëjtën ditë gjykata e Elbasanit konfirmoi një tjetër masë sigurie me burg, për dosjen e rruges Elbasan-Gjinar. Në seancë gjyqësore ishte i pranishëm vetë ish-ministri i transporteve Haxhinasto, për të mbështetur jo vetëm ish-vartësin e tij, por edhe një ish-kandidat për deputet të LSI-së në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e fundit.
Burimet i konfirmuan për Top Channel se edhe dosja e rrugës Elbasan-Gjinar do të vijë te Krimet e Rënda për t’u bashkuar me dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan. Gjatë javës Dashamir Xhika do të dalë për njohje me masën e sigurisë edhe para Krimeve të Rënda. Pyetja që shtrohet sot është sa larg do të shkojë ky hetim?
Diskutime rreth kësaj post