Doug Jones është bërë demokrati e parë pas 25-vjetësh që fiton një vend në Senatin amerikan në Alabama, pas një fushate tepër të ashpër kundër republikanit Roy Moore.
Fitorja e tij e papritur është një goditje për presidentin Donald Trump, i cili mbështeste Moore në këtë garë dhe ngushton shumicën republikane në Senat 51-49.
Rezultati i garës shënon gjithashtu një plagë të re për Partinë Republikane tashmë të përçarë.
Republikani Moore nuk u tregua i gatshëm për ta pranuar rezultatin.
Bashkëpunëtorët e tij thanë se meqenëse rezultati ishte mjaft i ngushtë, me 0,5 për qind diferencë, ose rreth 21 mijë vota, ata do të veprojnë sipas rregullave dhe do të kërkojnë rinumërimin e votave.
Jones pas fitores mbajti një fjalim të shkurtër përpara mbështesëve në Alabama.
“Ne, treguam jo vetëm në shtetin e Alabamës, por edhe në të gjithë vendin rrugën sesi mund të qëndrojmë të bashkuar”, tha ai.
Moore me gjithë mbështetjen e kreut të Shtëpisë së Bardhë, nuk arriti të fitojë edhe pse pati një fushatë të ashpër për akuza për sjellje të pahijshme me vajzat adoleshente.
Presidenti Trump bëri një koment në “Twitter”, duke uruar fituesin demokrat Doug Jones.
“Republikanët do të kenë një rast tjetër për ta marrë këtë vend të Senatit brenda një periudhe të shkurtër kohe”, shkruajti Trump.
Diskutime rreth kësaj post