Auron Tare*
Gati një vit të shkuar nga Arkivi i Topkapi Sarajit në Stamboll erdhi më në fund përgjigjja se dokumenti E9695 që kisha kërkuar prej kohësh ishte miratuar për botim.
I përmendur për herë të pare nga studiuesi turk Tahsin Öz në një shkrim mbi periudhën e Sulltan Mehmetit të II-të fatkeqësisht ky dokument Persian nuk ishte i përkthyer asnjëherë.
Dr. Oz përmend se në dokument kishte mundur të dallonte fjalen Akhisar por pa shtjelluar më asnjë shpjegim. Ishte kjo e dhënë që na bëri të besojmë se ky dokument mund të kishte lidhje me Krujën e Skënderbeut .
Dokumenti i ardhur nga Stambolli i cili sot botohet nga DITA për herë të pare është i shkruar në persishten e vjetër dhe deri më sot nuk ishte përkthyer nga asnjë studiues i fushës. Interesant është fakti se për arsye të ndryshme dokumenti i ka shpëtuar vëmendjes së historianëve të periudhës së Sulltan Mehmetit të II-të si dhe marrdhënieve të tij me Venecian, veçanërisht në lidhje me territoret shqiptare.
Në rrugën e gjatë të përkthimit të këtij dokumenti janë përfshirë një sërë orientalistësh të disa prej universiteteve më të mira në Amerikë. Duke filluar nga miku im i vjetër, Viktor Freedman nga Instituti i Studimeve Orientale në Universitetin e Çikagos, i cili rekomandoi një sërë studiuesish të fushës, e deri tek disa profesorë iranianë të Universitetit të Kalifornias. Fatkeqësisht, të gjithë u dorëzuan nga stili i vështirë i këtij dokumenti të pazakontë.
Kërkesa për ndihmë nga Ambasada e Iranit në Tiranë nuk dha fryte dhe ndoshta lutja për përkthimin e një dokumenti nga persishtja mesjetare mund të ketë humbur në kanalet e burokracisë iraniane. Mbas 8 muajsh përpjekjesh, rastësisht kërkesës sime për ndihmë iu përgjigj një emër totalisht i pa njohur për mua, por një ndër emrat më të rëndësishëm botërorë të studimeve orientale, Prof.Wheeler Thackston nga Universiteti i Harvardit, i njohur veçanërisht për veprat monumentale të përkthimit në Farsi, Arabishten Klasike si dhe kujtimet e Perandorëve Mugale të njohura si Babur Name dhe Jahangir Name.
Njohuritë e thella në Arabishten Levantine, Ottomanisht, Uzbek dhe Kurdish i kanë dhënë atij një famë të madhe në lëmin e orientalizmit. E megjithatë edhe Prof. Thackston e kishte të vështirë si fillim përkthimin e këtij dokumenti të rrallë. Për disa javë me rradhë kemi komunikuar në përgjithësi natën deri në mëngjes pasi profesori, me sa dukej ulej të punonte në pasditen e vonë që i binte gati mëngjes në Tiranë.
-“Auron – shkruante Profesori – kaligrafia e këtij dokumenti i quajtur Nasta’liq është një formë e shkrimit mesjetar Persian, por ky dokument është ajo kaligrafi që ne e quajmë Ta’liq, një formë djallëzore e të shkruajturës persisht. Në mënyrë të përsëritur, shkronjësit e vjetër vendosnin pika të cilat ti nuk do ti lexosh dhe lënë jashtë ato pika të cilat ti duhet ti lexosh”
Në fakt përcaktimi i këtij dokumenti nga Prof. Wheeler si dokument i shkruar në kaligrafinë persiane Ta’liq ishte një hap i rëndësishëm për të përcaktuar vërtetësinë e tij si një dokument i dalë nga shkruesit mbretërorë të Sulltanit. Kjo kaligrafi e persishtes mesjetare përdorej kryesisht në korespondenca zyrtare të Portes së Lartë në fillimet e shtetit Otoman.
*****
Dokumenti E9695 përbëhet nga 22 vargje të shkruara në mënyrën më elegante të mundshme. Në krye duhet të ketë pasur Tugren (vulën) sulltanore e cila mungon si dhe emrin e Sundimtarit të cilit ky dokument duhet t’i jetë drejtuar. Ka disa ide të ndryshme se kujt personazhi mund ti jetë drejtuar ky dokument . Në fillimin e punës për përkthimin e këtij dokumenti Prof. Thackston dalloi se bëhej fjalëpër pushtimin e një Kështjelle të quajtur Akhisar.
“Në vështrimin e parë mendoj se është një mënyrë e retorikës së lartë Persiane për të thënë gati asgjë përveç faktit se një Fortesë e fuqishme është pushtuar. Dalloj fjalën Aqcha Hisar dhe Mevlana Murad Celebi ” – shkruante Profesori.
Në fakt, të dhënat e para nga Prof. Thackston ishin me shumë interes, pasi Akhisar apo Kështjella e Bardhë ishte emri me të cilin otomanet quanin fortesën e fuqishme të Krujës, e cila me rezistencën e saj kishte lënë gjurmë të thella në Oborrin Sulltanor.
Ndërkohë Mevlana Murad Celebi është një emër tejet intrigues, pasi mund të kemi një të dhënë të rëndësishme historike për pjesmarrjen e një pasardhësi të familjes së Xhelaledin Rumit në rrethimin e Krujës. Titulli Mevlana, në përgjithësi, mbahej nga pasardhësit e Rumit. Nga konsultimi me burimet e kohës mendojmë se dokumenti ynë duhet ti referohet Karaman Mehmed Pashës një pasardhës i Xhelaledin Rumit i ngjitur deri në shkallën e Vezirit të Madh gjatë periudhës së Mehmetit të II.
Sipas Dr. Mehmet Tutuncu, specialist i Otomanishtes së vjetër, dokumenti është datuar sipas sistemit Arab 4 Rebiul Sani (5 korrik) por pa dhënë një vit specifik. Por nga përmbajtja e dokumentit (rënia e Krujës) mund të nxjerrim përfundimin se ai është shkruar në Hixher 883 apo në kalendarin gregorian 1478. Dokumenti Persian mund tëthemi se mban datën e 5 Korrikut 1478.
Më poshtë po japim një përkthim të përafërt me transkriptimin e bërë nga Prof. Thackston Wheler i Universitetit të Harvardit.
Përmbajtja e dokumentit fillon në10 rreshtat e parë të cilat janë një gjuhë oborrtare e mbushur me fjalë që në thelb nuk thonë asgjë
Më poshtë:
“Le të bëhet e ditur se midis ndodhive të lumtura me mbërritjen e Vezirit të madh është ardhja e lajmit të pushtimit të Kështjellës së Krujës e cila ishte rrethuar nga një prej shërbëtorëve të Oborrit. Edhe pse një kështjellë e fuqishme, me Kulla të larta që imagjinata nuk i përfytyron dot, nga ku rrëkejt e detrave qiellore pinë, themelet e saj nuk krahasohen me Piramidat dhe lartësia e mureve është baraz me lartësinë e majës së Saturnit”
Vargu 15/16:
“Edhe pse kjo Fortesë si dhe të tjerat përqark nuk janë veçse degë të Perandorisë, pushtimi i saj do të sjellë qetësi për njerëzit e tjerë si dhe do të ndalojë lulëzimin e armiqve të besimit. Ne jemi të vendosur me të gjithë vëmendjen tonë në arritjen e këtij qëllimi”
Vargu 18:
“Kemi shpresë se me vazhdimin e këtyre fitoreve të mëdha ky pushtim do të jetë burimi i arritjeve dhe qëllimeve të tjera tona”
Vargu 19-21:
“Në këtë kohë, për mbylljen e marrveshjeve dhe pakteve për hedhjen e themeleve të dashurisë dhe respektit të ndërsjelltë. Ekselenca e Tij, Veziri i Madh, Mevlana Murad Celebi një shërbëtor i rëndësishëm i Oborrit është dërguar për t’ju sjellë detaje nga afër”
Vargu 22:
“Me shpresën se kjo do të jetë faqja e historisë përgjithmonë. Meqënëse Arsyeja për këtë letër ishte për t’ju dërguar lajme shpresojmë të mos jemi zgjatur”
4 Rabi II (viti mungon)
Firmosur
Në Iskanderie (Shkodër) pushtuar nga pushtuesi i Konstandinopojës.
Sipas Prof. Tutunçu ky dokument mund të cilësohet si FATHNAME apo e njohur ndryshe si Dokument Pushtimi (një deklarim zyrtar i një fitoreje). Këto dokumenta të rralla janë mjaft të rëndësishme pasi japin përshkrime edhe pse të shkurtra të betejave historike.
Analiza historike
“Ne nuk kemi bërë asgjë kundër armiqve të Kryqit” – Papa Pius.
Kur Venecia i shpalli Luftë Perandorisë Otomane në Korrik të 1463, ndoshta Sinjoria nuk e kishte parashikuar se Lufta që do të zgjaste për gati 16 vjet do t’i sillte humbjen e pakthyeshme të Shqipërisë dhe Peloponezit.
Humbja e një sere kështjellash strategjike përgjatë bregdetit do të sillte pasoja të mëdha për tregëtinë e Lindjes, duke zvogëluar gjithashtu edhe prestigjin venecian në rajon. Ndërkohë rëndësia strategjike e Shqipërisë në ekspansionin otoman drejt perëndimit shpjegon arsyen se përse Mehmet II, një prej Sulltanëve më të njohur tëPerandorisë, merr pjesë personalisht në fushatën shqiptare. Në këtë kontekst historik duhet parë edhe rëndësia e dokumentit E9695.
Nga burimet e kohës duket se Mehmeti II megjithëse kishte provokuar disa inkursione në zonën e Peloponezit kundër zotërimeve Veneciane kërkonte paqe me Venedikasit. Me shumë mundësi, ai nuk dëshironte një front të dytë konflikti me Venecianët, pasi për momentin ishte i angazhuar në prapavijat e zotërimeve të tij ku Uzun Hasani Sulltan i Grigjës së Bardhë kishte filluar një sërë provokimesh.
Uzun Hasani i nxitur nga Sinjoria po nxiste Mehmetin në një përplasje frontale por duket se Sinjoria për të qenë e sigurtë po komplotonte vrasjen e Mehmetit nëpërmjet atentatorëve të fshehtë . Në këtë kontekst mund të shikojmë ambasaden e dërguar nga Mehmeti II për Dozhen e Venedikut Cristofero Mauro, ku kërkon paqe nga Sinoria dhe mbajtjen e territoreve nga secila palë me përjashtim të rikthimit të ishullit të Lesbos dhe “kthimin e Krujës, e mbajtur nga ju që nga vdekja e Skënderbeut, në duart tona” .
Por me thyerjen e rëndë të Uzun Hasanit në Konia tashmë Mehmeti i II i kishte duart e lira për fushatën e tij Ballkanike. Mehmeti, i cili në fushatën e të atit kundër Krujës, kishte marrë pjesë aktive e njihte më së miri territorin arbëror . Një prej Gjeneraleve të tij më të suksesshëm, Gedik Ahmet Pasha vinte nga këto territore. I shquar në disa fushata vendimtare të Mehmetit, Gehdik Pasha kishte qenë kundër marshimit drejt Shkodrës.
I izoluar për pak kohë në Burgun Imperial ai u lirua me ndërmjetësinë e Vezirit të Madh dhe u emërua Pasha i Vlorës duke marrë pjesë aktive në rrethimin e Shkodrës.
Epopeja e Krujës dhe Shkodrës vjen tek ne ndër të tjera edhe nëpërmjet veprës së fratit Barleti i cili në De Scodrensi Obsidione, përshkruan me ngjyra të ndezura dhe plot egzagjerime përleshjet midis mbrojtësve të kështjellave dhe ushtrisë Otomane. Sipas Barletit, Mehmeti pasi mori në dorëzim Kështjellën e Krujës dhe masakroi të gjithë mbrojtësit e saj, u drejtua në Veri drejt Shkodrës, ku trupat Otomane tashmë ishin vendosur përqark Bunës, të prira nga Shqiptari Daut Pasha, Bejlerbeu i Rumelisë dhe Evrenos Oglu Ahmed Pasha,Sanxhakbeu i Shqipërisë.
Dokumenti ynë mbështet kronikën e Barletit për kohën e rënies së Krujës. Kruja bie në 1478 një fakt i konfirmuar edhe nga burimet venedikase. Por dokumenti që sjellim sot në DITA në mënyrë eksplicite thotë se Iskanderie (Shkodra) është pushtuar nga Mehmeti II, fakt ky i pa konfirmuar nga burimet e kohës pasi dihet se Shkodra ra disa muaj pasi Mehmeti ishte larguar nga rrethimi i saj. Ndërkohë, vërtetësia e këtij dokumenti të rrallë na bën të mendojmë se Shkodra teorikisht ka rënë më herët se sa njihet deri më sot.
Në botimin e Bombacit “La collezione di documenti turchi dell Archivio si Stato di Venezia”mësojme se Sinjoria me të marrë lajmin se trupat otomane po marshonin drejt Arbërisë dërgon provedorin e Flotës Tomaso Malpiero në brigjet shqiptare me vendimin për pranimin e termave të Sulltanit per Paqe. Fillimisht, Sulltani kishte kërkuar dorëzimin e Krujës pa luftë. Për këtë ai kishte dërguar si negociator nje çifut (me shumë mundësi mjekun e tij personal Maestro Jakopin) në Krujë e cila ishte e rrethuar nga Ahmed Beu, Sanxhak Beu i Shqipërisë.
Ambasadori Otoman i cili nga Kruja udhëtoi me një galerë të Admiralit Loreto drejt Venedikut, vdiq papritur duke lenë negociatat në mes por që për rëndësinë e tyre nuk mund të vonoheshin më tej. Për këtë arsye Sinjoria dërgon Ambasadorin Malpiero i cili duke udhëtuar nëpërmjet Via Egnatia mbërrin në kampin e Sulltanit, i vendosur diku afër Kusendilit. Në këtë takim ai mëson se tashmë Sulltan Mehmeti kërkon jo vetem dorëzimin e Krujes por edhe Shkodrës, Drishtit dhe Lezhës.
Admirali Venedikas i pa fuqishem per te negociuar me Sulltanin per kerkesat e reja rikthehet prane Flotës së pozicionuar në Adriatik duke pritur. Pasi Mehmeti merr Krujën dhe i drejtohet Shkodrës, Malpiero rikthehet në brigjet shqiptare dhe mbrrin në Shkodër menjëherënëpërmjet Bunës për të mbrritur në Kampin e Sulltanit vetëm disa ditë përpara se trupat e kalorsisë së lehtë të Mihal Oglu Ali Bej dhe Davud Pasha Shqiptarit të mbërrinin në fshatrat aty pranë.
Mbërritja e Malpieros në Shkodër dhe takimi me Sulltanin janë përshkruar nga disa burime të kohës por negociatat mes tyre nuk dihen. A sillte valle Malpiero një propozim të ri për Sulltanin? Robi Italian Gian Maria Angiollelloi cili ishte nje funksionar i rendesishem prane Mehmetit ka lene deshmite e tija ne “Kroniken”, ku flet edhe per kete takim.
“Malpiero erdhi me nje galere te shpejte ne Bune dhe zbriti ne nje vend te quajtur San Celso. Ai dergoi Sekretarin e tij Manentite shoqeruar nga 40 kalores otomane tek Cadra e Sulltanit”
Nga ky takim ka mbetur vetem nje dokument i prodhur nga Sekretari Manenti per Sinjorine derguar me 27 Gusht duke raportuar per deshtimin e Misionit per shpetimin e Shkodres. Manenti u kthye ne Venedik ndersa Admirali prane flotes duke ju afruar Lezhes e cila ishte gjithashtu e rrethuar.
Në mënyrë kronologjike mund të ndjekim ngjarjen si më poshtë:
- Mehmeti i çliruar nga presioni i Uzun Hasanit të Grigjës së Bardhë përgatit ekspeditën ndaj Arbërisë.
- Venedikasit tentojnë një paqe me kushte të vështira për ta por Mehmeti vazhdon marshimin
- Mehmeti nëpërmjet Via Egnatia-s mbërrin në Krujë ku merr pjesë personalisht në dorëzimin e saj nga Venecianët më 15 Qershor 1478 (15.RI.883)
- Në 2 Korrik ai e zhvendos kampin e tij në brigjet e Bunës ku pret emisarët e Dozhës Venedikas (Malpieron dhe sekretarin e tij Manenti) të cilët i kishte pritur disa javë më parë në kampin e tij në Manastir
- Në 5 Korrik shkruan letrën e cila dërgohet nën mbikqyrjen e besnikut të tij Mevlana Murat Celebi për sundimtarët Lindorë të cilët po ndiqnin me vëmendje fushatën e Mehmetit në Ballkan, ku deklaron rënien e Shkodrës. Pasi tenton edhe nje sulm te pergjithshem mbi Keshtjellen Mehmeti le rrethimin ne 8 Shtator duke u kthyer ne Stamboll.
Kronologjia e Fathname në Persisht nuk lë dyshim mbi datën e nënshkrimit të saj nga Mehmeti II nën muret e Shkodrës. Por Burimet Venedikase janë të pagabueshme mbi datën e rënies së Shkodrës si 4 Janar i 1479.
Çfarë ka ndodhur midis kohës kur Mehmeti deklaron pushtimin e Shkodrës dhe datës zyrtare të braktisjes së saj nga banorët shkodranë?
Burimet vendikase dhe kronika e Barletit hedhin dritë mbi përpjekjet e mëdha të Shkodranëve dhe garnizonit Venecian në mbrojtjen e Shkodrës. Jo vetëm garnizioni i kalasë por e gjithë popullsia e Shkodrës, përfshirë edhe gratë, morën pjesë në betejat e përgjakshme.
Frati Domenikan Bartolomeu i Epirit, Gjon Kapistrano dhe komandanti i kavalerisë Nikollë Moneta, udhëhoqën disa sulme jashtë Kalasë duke rritur shpresat e mbrojtësve për një çlirim të mundshëm. Por duket se Mehmeti i II lajmëronte marrjen e kësaj Kështjellë 7 muaj përpara se mbrojtësit të braktisnin Fortesën.
A mos vallë Ambasadori Malpiero i cili e kishte takuar Sulltanin në bregun e Bunës kishte pranuar në fshehtësi kapitullimin e Shkodrës?
Në se ky dokument i rrallë do të merret si një dokument autentik i dalë nga kancelaria e Mehmetit, atëherë duket se një marrvëshje e fshehtë ishte nënshkruar midis tij dhe Sinjorisë venedikase nëpërmjet Admiralit Malpiero. Nëse kjo është e vërtetë, sakrificat e mbrojtësve të Fortesës të kenë qenë një përpjekje e dëshpëruar e Venedikasve për të krijuar një iluzion të rremë për mbrojtjen e Shkodrës, duke e sakrifikuar këtë të fundit për interesat tregtare në Lindje.
*****
Sipas Prof. Thackler dora që ka nënshkruar dokumentin është e ndryshme nga dora e shkruesit të këtij dokumenti. Një fakt tejet interesant ky dhe nëse do të donim të ishim pak të egzagjeruar në hipotezën tonë mund të mendojmë se ndoshta nënshkrimi është i vetë Mehmetit.
Është fakt se Sulltanët nuk nënshkruanin asnjëherë dokumentet zyrtare, por nëse marrim parasysh faktin që Mehmeti i II ishte një person mjaft i edukuar dhe lidhja e Shkodrës me kultin e Aleksandrit, nënshkrimi i dokumentit nga dora e tij është një mundësi.
Nëshkrimi i letrës së Mehmetit me titullin e pushtuesit të Iskanderies mund të shpjegohet me edukimin klasik që Mehmeti kishte marrë në rini. Është e njohur vizita e tij në rrënojat që mendohej se ishte Troja antikeme 1462 (sipas kronikanit grek Kritoboulos), apo pretendimi i tij se pushtimi i Konstandinopojës ishte një hakmarrje për shkatërrimin e Trojës. (Kritobulus)
Dihet nga burimet e kohës se Mehmeti e stilizonte veten e tij nën modelin e Aleksandrit. Nicolo Sangudino i cili pati një audiencë personale me Mehmetin pas Pushtimit të Konstandinopojës raporton në interesin e këtij të fundit në historinë antike dhe në vecanti per Aleksandrin e Madh. Po keshtu ne studimin e historianit Julian Rabi mbi figurën e Mehmetit mësojmë se në Librarinë e Sulltanit përveç të tjerave ishin vëllime të Arrianit Anabasi një vepër klasike kjo mbi Aleksandrin e Madh si dhe një kopje e Iliadës së Homerit.
Iskanderie përkthehet nga arabishtja si Qyteti i Aleksandrit. Por përse Mehmeti me krenari të dukshme dërgon lajmin e pushtimit të këtij qyteti tek sundimtarët e lindjes? Është një pyetje tejet interesante.
Nga thellësia e shekujve, Shkodra njihet për legjendën e saj të famshme të Rozafës dhe gojëdhënat lokale nuk kanë asnjë burim që e lidh këtë qytet me Aleksandrin e Madh apo edhe sundimtarë antik me këtë emër, me përjashtim të Statutit të Shkodrës ku themelimi i qytetit lidhet me emrin e Gjeneralit të famshëm Maqedonas.
Megjithatë këtë pretendim të lashtësisë së qytetit, mund ta marrim në kontekstin e kohës, ku nën influencën e modës europiane edhe hartuesit e Statuseve të Qytetit kërkonin një prejardhje të lavdishme të tij. Po kështu, një burim i besueshëm por pak i përdorur nga historiografia jonë është Evliha Celebiu një udhëtar otoman mjaft i njohur për udhëtimet e tij në territoret e Perandorisë.
Në përshkrimin që ai i bën qytetit të Shkodrës ai shkruan: “Udhëtuam në qytetin e fortifikuar me mure Iskanderie. Ky qytet ishte themeluar nga Iskendër Zulkarneyn (Aleksandri i Madh) dhe quhej Iskenderiyye” .
Pra sipas Celebiut, Shkodra në periudhën e tij kishte si legjendë themelimin e saj nga Aleksandri i Madh. Identifikimi i Shkodrës me Aleksandrin e madh të paktën sipas studiuesve otomanë është një rrugë e pashkelur më parë. Ndoshta insistimi i Mehmetit për pushtmin e Shkodrës përveç çështjeve strategjike mund të ketë lidhje edhe me ambicien e tij për të pushtuar një qytet të themeluar nga Aleksandri i madh.
Ndoshta gërmimet arkeologjike të munguara mund të hedhin dritë mbi vërtetësinë e këtij pretendimi, por ajo që ka shume rëndësi është fakti se për Otomanët Shkodra ishte një qytet jashtëzakonisht i rëndësishëm për pozicionin strategjik që zotëronte. Për studiuesit do të ishte me interes hipoteza se Mehmeti II përveç arsyes strategjike ka pasur edhe arsye personale për marrjen e Shkodrës.
Sipas specialistëve të periudhes otomane në periudhën e Mehmetit II njiheshin vetëm tre qytete të quajtura Iskenderie. Shkodra në Arbëri, Aleksandria në brigjet e sotme Turke që shërbente si port kryesor për qytetin Sirian të Aleppos dhe i treti Aleksandria e famshme e Egjyptit. Deri në periudhën e Mehmet Fatihut asnjë prej këtyre qyteteve nuk ishte pushtuar nga otomanët. Për këtë arsye dokumenti ynë specifikisht cilëson Shkodrën si qytetin e Aleksandrit të pushtuar nga Mehmeti dhe epiteti që ai i njeh vetes si pushtues i saj është mjaft interesant.
Botuar në DITA – Bibliografia e përdorur:
- (Topkapı Sarayı Müzesi Arşivinde Fatıh II/ Sultan Mehmede Ait belgeler Belleten 53, 1950, pp 49-56 (page 54))
- F.Babinger “Jakub Pascha ein Leibartz Mehmed II Revista degli Studi Orientali 1951.
- (The Uygur account of Mehemmed II’s victory in 878/1473 over Uzun Hasan (R. Rahmeti Arat, Fatih Sultan Mehmed’in yarlIǧI, in TM, vi (1939), 285-322; cf. idem, Un yarlIk de Mehmed II, le Conquerant, in Annali del R. Ist. Sup. Orientale di Napoli, n.s. i (1940), 25-68).)
- Stavrides, Théoharis (August 2001). The Sultan of Vezirs: The Life and Times of the Ottoman Grand Vezir Mahmud Pasha Angeloviu (1453-1474) (Ottoman Empire and Its Heritage Series, Volume 24). Brill Academic Publishers, Inc. p. 65. ISBN 90-04-12106-4.
- Heath W. Lowry (2003). The Nature of the Early Ottoman State. SUNY Press. p. 116. ISBN 978-0-7914-8726-6. Retrieved 20 February 2013.
- Setton, Kenneth M. (1978), The Papacy and the Levant (1204–1571), Volume II: The Fifteenth Century, DIANE Publishing, p. 340, ISBN 0-87169-127-2 Babinger, Franz. Mehmed the Conqueror and His Time. New Jersey: Princeton University Press, 1978.
- Ecthesis Chronica 40. Mukrimin Halil Yinac “Ahmed Pasha Gedik” IA 1 193-199
- Halil Inaklcik “Ahmad Pasha Gedik” EI2, 292-293
- Sehabeddin Tekindag, “Mehmed Pasha Karamani” 1A 7, 588
- Sehi Beg, Hest Bihist: the Tezkire by Sehi Beg ed Gunay Kut (cambrigde MA 1978) f24r, Tekindag “Mehmed Pasa Karamani” 1A 7 588
- İnalcık, Halil, “Aḥmad Pas̲h̲a Gedik”, in: Encyclopaedia of Islam, Second Edition, Edited by: P. Bearman, Th. Bianquis, C.E. Bosëorth, E. van Donzel, W.P. Hans J Kissling “Die Anonyme Altosmaniche Chronik uber Sultan Bayezid II” Munich 1967 .134
- P.Xhufi Arberit e Jonit”
- Inalcik.H “Mehmet the Conqueror” 1432-1481 1960
- Inalcik.H Perandoria Osmane. Periudha Klasike 1300-1600.Tirane Dituria 2013 Seven ottoman Documents from the Reign of Mehmet II V.L.Menage
- Da Lezze ( Gian Maria -Angiolello)
- K.Jirecek “Skutari und sein Gebiet im mittelalter”
- L.von Thalloczy, Illuyrisch-Alnanische Forschungen Munich 1916 pp 94-124
Diskutime rreth kësaj post