Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, përditë e më shumë po tërheq vizitorë të borës në çdo fundjavë. Ata vijnë nga zonat rreth parkut, Elbasani, Librazhdi, Tirana por edhe nga Lushnja e Durrësi.
Së fundmi ky park po tërheq edhe turistë të huaj aventurier të ngjitjeve dimërore- malore. Një nismë të mirë në promovimin e turizmit dimëror në këtë park, bën AdZM-ja e Elbasanit në reklamimin dhe organizimin e tureve turistike. Këtë fundjavë, ishin administratorët e këtij parku, që organizuan një ngjitje në pikat më dominuese të parkut me grupe të ndryshme të rinjsh.
Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, shtrihet në pjesen lindore të rajonit të Librazhdit në juglindje te vendit dhe përfshin malet me të njëjtin emër që kufizohen me Maqedoninë. Parku ka shtrirje më të madhe se 40 km, në veri nga fshati Steblevë deri në jug në fshatin Rrajcë, duke mbuluar një sipërfaqe prej 33.929 ha. Malet e Parkut Shebenik – Jabllanicë dominohen nga thepisjet e theksuara dhe variojnë me lartësi nga 300m deri në 2.262 (Maja Rreshpes – Shebenik).
Administrata e Zonave të Mbrojtura e qarkut Elbasan, që me specialistët e saj është në monitorim të përhershëm të këtij parku, për të shmangur dëmtuesit e pyjeve dhe gjuetarët e paligjshëm në këtë periudhë të vështirë të motit, bëjnë dhe shoqërimin e vizitorëve e turistëve aventurierë që vizitojnë pyjet dhe malet tashmë të mbuluar me borë dhe akull.
Nga kjo administatë, shpesh herë në drejtim të ATSH-së vijnë dhe foto tepër pikante ku pasqyrohet peisazhi i këtij parku, aktiviteti turistik si dhe jeta e vetë banorëve.
Këto foto janë shkrepur në fundjavë nga aktivitetet rinore në një nga zonat e parkut, ecje dhe skijim përgjatë shtegut Steblevë-Liqeni i Draganit të Dorëzit.
“Asnjëri nga pjesëtarët e grupit dhe të stafit të AdZM-së, nuk mund ta harrojë këtë ditë shumë të bukur” shprehet Fatmir Brazhda, Drejtor i AdZM-së në Elbasan dhe një prej organizatorëve të guidave turistike me të rinjtë në këtë park.
Diskutime rreth kësaj post