Gjuha që Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Suela Braverman po përdor për azilkërkuesit shqiptarë po “përkeqëson” një situatë tashmë të rrezikshme, ka paralajmëruar një deputet veteran konservator.
Sir Roger Gale dënoi retorikën e përdorur nga Sekretarja e Brendshme e cila ka veçuar shpesh shqiptarët pasi përbëjnë numrin më të lartë të emigrantëve që kalojnë me gomone.
Komentet e Sir Roger pasuan ato që ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar Qirjako Qirko u tha deputetëve se fëmijët nga vendi i tij po bullizohen në shkollat e Mbretërisë së Bashkuar për shkak të një “fushate diskriminimi”.
“Kam frikë se gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme dhe të tjerët po përkeqësom atë që tashmë është një situatë shumë e brishtë dhe e rrezikshme”.
Braverman muajin e kaluar u kritikua për deklaratën se emigrantët që mbërrijnë me gomone po pushtojnë vendin. Ajo tha se Mbretëria e Bashkuar kishte parë një “rritje të numrit të të ardhurve shqiptarë” dhe i cilësoi ata kriminelë.
Sir Roger, zona elektorale e Thanet-it të Veriut të të cilit mbulon objektin e përpunimit të emigrantëve në Manston, u pyet nëse Sekretarja e Brendshme duhet ta zbusë gjuhën e saj. Ai tha: “Epo, nuk mendoj se ngacmimi është i pranueshëm nga askush në çdo vend dhe në çdo kohë. Dhe nëse fëmijët shqiptarë ngacmohen në shkollë, atëherë kjo është shumë e padëshirueshme dhe e dënueshme. Pra, a e dënoj? Po, sigurisht që po”.
Shqiptarët përbënin pak më shumë se një të tretën e kalimeve të Kanalit në nëntë muajt e parë të vitit, treguan shifrat e publikuara nga Home Office muajin e kaluar. Qeveria thuhet se po shqyrton planet për të përshpejtuar largimin e azilkërkuesve nga vendet e përcaktuara “të sigurta”, një listë që do të përfshinte Shqipërinë.
Diskutime rreth kësaj post