Një biçikletë artistike për 100-vjetorin e qytetit të Tiranës. Ka qenë kjo surpriza ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj e dy të rinjve shqiptarë të cilët prej vitesh jetojnë në Itali dhe punojnë në një nga kompanitë më prestigjioze të prodhimit të biçikletave, “3T”.
Kryebashkiaku Veliaj, pasi falënderoi dy djemtë për dhuratën mjaft të veçantë, u shpreh se, biçikleta është mjeti më i përdorur edhe në sfidën më të fundit me të cilën u përball njerëzimi, pandeminë.
“Gjatë kohës së pandemisë dhe karantinës njerëzit zbuluan më shumë natyrën, sidomos territoret jashtë vijës urbane të Tiranës, në zona rurale, bujtina dhe agroturizëm, ndaj dhe mjeti kryesor ishte biçikleta. Fakti që vitin e kaluar në Tiranë u trefishuan shitjet e biçikletave, do të thotë që kemi bërë edhe një paqe me natyrën,” tha kreu i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj nga ana tjetër shtoi se përmes biçikletës njerëzit janë bërë edhe më solidarë dhe ky është efekti kryesor i shtimit të korsive të dedikuara.
“Jemi bërë më të mirë. Respektojmë më shumë njëri-tjetrin. Njerëzit kanë të njëjtën vlerë, si kur përdorin një makinë 30 mijë euro, ashtu edhe një biçikletë 300 euro, sic i paguan njësoj taksat edhe duhet respektuar njësoj dhe kjo më së pari nga qyteti dhe vetë Bashkia me mënyrën si ofrohen modalitetet e lëvizjes, – korsi makinash, korsi biçikletash, trotuare për këmbësorë, korsi ekspres për autobusët, – për të dhënë mesazhin që njerëzit janë të gjithë njësoj,” nënvizoi kryebashkiaku i qytetit.
Edi Jareci, i cili ishte dhe ideatori i kësaj vepre arti të kuruar së bashku me kushëririn e tij Alban Laçi, thotë se prej kohësh kishte ndjekur me kuriozitet punën e madhe që po bëhet në Tiranë për ta kthyer në një qytet të gjelbër.
“Kjo është mënyra më e mirë për tu kthyer në kryeqytetin ku unë kam lindur, jo me makinë, por me biçikletë. Jam shumë krenar për punën që është bërë në Tiranë, për të gjithë infrastrukturën e biçikletave,” tha ndër të tjera i riu.
Diskutime rreth kësaj post