Nga Mentor Kikia
Para disa muajsh solla në një shkrim historinë e një çifti mjekësh të rinj, që sapo kishin filluar punë. Nuk kishin ëndërr të fitonin specializimin, si të gjithë mjekët e rinj ndër vite. Por po investonin të mësonin gjermanisht. “Do të ikim. Kur po ikin pedagogët tanë, po ne çtë bëjmë?”
Mu kujtua kjo histori, ndërsa lexova sot në “Gazeta Shqiptare”, një intevistë me rektorin e universitetit të mjeksisë Arben Gjata, i cili thotë se po firmos çdo ditë dokumenta të mjekeve që kërkojnë të ikin. “Mund të them se është situatë alarmante, pasi po na ikin më shumë mjekë sesa prodhojmë. Pra na ikin 200 mjekë të rinj, në një kohë që ne po kaq mjekë diplomojmë në Fakultetin e Mjekësisë. Nga të dhënat rezulton se në dy vitet e fundit kanë ikur 400 mjekë, për të mos llogaritur infermierët, që edhe ata kanë një numër shumë të lartë”.
Alarmi i profesor Gjatës është një alarm kombëtar. Nga Shqipëria nuk janë thjeshtë dhe vetëm të rinjtë që duan të ikin. Nuk janë thjeshtë ata që nuk kanë punë. Po ikën shtresa e profesionistëve, mjekët, agronomët, inxhinierët, veterinerët. Dhe të mendosh që ne ende po “konsumojmë” specialistët e formuar në kohën e komunizmit, brenda apo jashtë vendit, pasi nga të diplomuarit e tranzicionit shkalla e formimit profesional lë shumë për të dëshiruar.
Eshtë një alarm që duhet të na shkundë. Rrezikojmë të mbetemi një shoqëri fasonësh, që prodhojmë vetëm krahë pune për fabrikat. Nuk ka një formulë magjike se si të frenosh këtë erozion tragjik për shoqërinë, por as në heshtje nuk duhet ta kalojmë. Kjo nuk është një gjendje normale. Shqipëria po mpaket, po plaket dhe po zbrazet nga teknicienët
Diskutime rreth kësaj post