“Nisma për Kosovën” duket se ka në plan që të dërgojë presidentin e vendit, Hashim Thaçi, në Gjykatën Kushtetuese. Partia e Fatmir Limajt, materialet e mbledhura mbi përfshirjen e Thaçit në zgjedhjet për kryetar të Drenasit, të denoncuar deri më tani me komunikata publike, pritet t’i dërgojë te “gardiani” i Kushtetutës së vendit.
Në këtë parti, gjithsesi as nuk e pohojnë dhe as mohojnë një opsion të tillë.
Megjithatë, burime të portalit “Indeksonline” njoftojnë se kjo parti ka në plan që të angazhojë avokat ndërkombëtar për ta dërguar presidentin në Gjykatën Kushtetuese. Sipas burimeve, “Nisma” ka mbledhur materialet e nevojshme, me të cilat pretendon se Gjykata Kushtetuese do të ketë baza të mjaftueshme për të konstatuar se Thaçi po shkel aktin më të lartë juridik në vend.
Një ditë më parë, kjo parti ka lëshuar një komunikatë për mediet, ku ndër të tjera shihen disa foto të presidentit Thaçi me kryetarë të fshatrave dhe përfaqësues të bizneseve të Komunës së Drenasit.
Po ashtu, “Nisma” kishte reaguar më herët për darkën e Thaçit me punëtorë të arsimit të kësaj komune, në prag të hapjes së fushatës për kryetarin.
Në të kaluarën, Gjykata Kushtetuese me aktgjykimet e saj është bërë shkak për dorëheqjen e dy presidentëve. Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli janë dy presidentë, të cilët kanë dhënë dorëheqjen nga ky funksion pas vendimeve të Kushtetueses.
Diskutime rreth kësaj post