Seanca për ish-Kryeprokurorin, Adriatik Llalla është shtyrë sërish. Ditën e djeshme, teksa pritej që të jepej vendimi nëse ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla do të shpallej i pafajshëm apo do të shkonte në burg, seanca është shtyrë për në datën 29 korrik. Shkak është bërë mungesa e avokatit Sokol Hazizaj dhe Llalla ka kërkuar që vendimi të jepej në prani të tij. Kjo kërkesë është pranuar nga GJKKO, megjithatë avokati Sokol Hazizaj, është gjobitur me 20 mijë lekë për shkak se mungoi pa arsye në seancën e djeshme. Një tjetër detaj nga kjo seancë, është se SPAK ka ndryshuar prokurorët. Fillimisht çështja në shkallë të parë ishte ndjekur nga prokurori Klodian Braho, e ndërsa SPAK ka vendosur ndryshimin e tyre duke ia lënë në dorë 2 prokurorëve Manjola Kajana dhe Enkelejda Millonai. Ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla kërkon pafajësinë, e ndërsa organi i akuzës lënie në fuqi të vendimit për dënimin me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga postet publike.
Adriatik Llalla u bë zyrtari më i lartë shqiptar i dënuar ndonjëherë nga një gjykatë në vend. Pas kërkesës së SPAK, GJKKO mori një vendim historik, në një seancë ku nuk munguan edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Ish-Prokurori i Përgjithshëm i vendit, Adriatik Llalla, u dënua me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga postet publike. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi pretencën e SPAK duke mbyllur kështu në shkallë të parë këtë çështje. Llallës i janë sekuestruar 4 sipërfaqe toke dhe një shtëpi në Durrës për llogari të shtetit. Sipas gjykatës Llalla ka blerë prona me çmim të ulët, i ka rivlerësuar nga 4 deri në 12 herë me çmime më të larta pasi nuk kishin origjinë të ligjshme për krijimin e këtyre pasurive.
Ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla akuzohet për veprën penale të parashikuar nga neni 257/a, i cili parashikon: “Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”. Më 20 korrik 2018, prokuroria vendosi në sekuestro preventive pasurinë e ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla. Prokuroria në atë kohë bëri me dije se u bë sekuestrimi i një apartamenti banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës. Po ashtu në sekuestro janë vënë: tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë. Prokuroria ka dyshime se përmes këtyre pronave ka pasur pastrim parash. Kur dosja vajti në gjykatë pronat u hoqën nga sekuestro, më pas Apeli i riktheu po në sekuestro.
Diskutime rreth kësaj post