Presidenti Bujar Nishani, me ftesë të Kryetarëve të Komunave të Bujanocit dhe të Preshevës u nis të martën për të kremtuar 130-vjetorin e hapjes së mësonjëtores së parë shqipe dhe të Ditës së Mësuesit, me mësuesit, nxënësit dhe prindërit e shkollave shqipe të këtyre komunave, në Republikën e Serbisë.
Sipas njoftimit për shtyp nga Presidenca, gjatë qëndrimit në këto dy komuna, Kreu i Shtetit do të zhvillojë takime të veçanta me drejtues të tyre, do të vizitojë shkollën fillore të fshatit Tërnoc, si dhe do të marrë pjesë në aktivitetet e posaçme kulturore të organizuara nga komunat për këtë ditë të shënuar për shqiptarët.
Me këtë rast, komunat e Bujanocës dhe Preshevës, që janë treva të banuara nga shqiptarë në Serbi, kanë nisur përgatitjet për pritjen e Presidentit Nishani, raporton agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”. Anash rrugëve në Bujanoc, shihen flamujt kuqezi dhe banderola që i urojnë mirëseardhjen kreut të shtetit shqiptar.
Këtë vizitë, e para e një Presidenti shqiptar në këtë krahinë, e kanë mirëpritur edhe autoritetet e Luginës së Preshevës, që e konsiderojnë “vizitë historike”.
Presidenti Nishani do të mbërrijë mesditën e sotme në komunën e Bujanocit, ku do të pritet nga kryetari i komunës Shaip Kamberi dhe nga kryetari i Këshillit Nacional, Jonuz Musliu.
Më pas ai do takohet me përfaqësues të Komunës së Medvegjës, ndërsa rreth orës 13:00 do të vizitojë shkollën fillore “Muharem Kadriu” (shkolla e re), Tërnoc.
Rreth orës 15:00 axhenda e Kreut të shtetit do të vijojë me vizitën në komunën e Preshevës.
Diskutime rreth kësaj post