Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në një ekspluzive për emisionin “Arena” të Dritan Hilës se situata aktuale është tejet shqetësuese. Sipas tij, nëse nuk adresohet do të degradojë më tej.
Duke folur për krimin në vend, Nishani thotë se situata është serioze dhe kërkon menjëherë dhe me çdo kusht një adresim në nivelin e përgjegjësive shtetërore, pasi sipas tij ka një evidentim të grupeve kriminale me establishmentin politik.
Hila: Si e shikoni situatën e sotme politike?
Nishani: Do të jem shumë i sinqertë me qytetarët përmes emisionit dhe televizionit tuaj, pa shtuar nota tragjike, por edhe pa e neglizhuar situatën, mund të them se është një situatë shumë shqetësuese, e cila nëse nuk adresohet do të shkojë drejt acarimit dhe degradimit të mëtejshëm për një sërë arsyesh. Situata është shumë kritike pavarësisht se nuk ka një tonalitet të konfrontimit në rrugë dhe unë i përgëzoj palët që nuk kanë nxitur konfrontimet dhe duhet të shmangim me çdo konfrontimet fizike mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve pasi jam kundër dhunës dhe besoj që duhet të punojmë të gjithë që të mos eksalojë situata në dhunë të panevojshme. Situata është kritike pasi sot opozita në Shqipëri ka zyrtarizuar mos pjesëmarrjen e zgjedhjeve të 18 qershorit. Janë tejkaluar afatet e regjistrimit dhe kjo krijon komplikacion të madh për legjitimitetin e vijimësisë së institucioneve pas 18 qershorit.
Hila: Mendoni që opozita është përjashtuar nga pushteti apo opozita po vetpërjashtohet?
Nishani: Pa dyshim që përgjegjësia është tek të gjitha palët. Çdo palë duhet të marrë përsipër përgjegjësitë që i jep Kushtetuta dhe sistemi politik. Unë shpesh herë kam adresuar shqetësimin tim që në procese madhore, të cilat kanë impakt për vendin në perspektivë afatmesme dhe afatgjatë, opozita pavarësisht cila forcë politike apo cili krah politik është në opozitë në një moment të caktuar, nuk mund të përjashtohet. Opozita përkundrazi duhet të jetë në pikëpamje cilësore e përfshirë.
Hila: Mos ju duket pak e vështirë pasi opozita ka vënë një kërkesë maksimaliste; qeveri teknike dhe nuk negociojmë me këtë qeveri…
Nishani: Unë nuk kam ndërhyrë dhe nuk interpretoj as qëndrimin që ka mazhoranca apo qeveria, sepse nëse Presidenti do të hyjë për të bërë gjykimet e qëndrimit të palëve, do ta vështirësojë akoma më shumë potencialisht qëndrimin e Presidentit të Republikës për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj krize. Secila nga palët ka të drejtën e legjitimitetit për të bërë kërkesat e saj. Opozita nga njëra anë për të konsideruar mungesën totale të sigurisë dhe të mundësisë që qytetarët të dalin dhe të votojnë lirshëm për cilën forcë ata mendojnë për zgjedhjet e 18 qershorit dhe ky është një pretendim që na vë të gjithëve në një angazhim dhe duhet të na vërë në angazhim, sepse e drejta për të dalë nga shtëpia, për të mos qenë i intimiduar, i frikësuar, i shantazhuar dhe për të vajtur tek kutia e votimit dhe për të votuar për atë që dëshiron të votosh në mënyrë të fshehtë, por ama të lirë është krejt kërkesë legjitime, ashtu siç ju e lidhët me kërkesën e qeverisë teknike. Qeveria gjithashtu është në të drejtën e saj, në qëndrim legjitim, sepse është një qeveri që ka dalë nga zgjedhjet e vitit 2013 me një proces zgjedhor legjitim dhe është brenda mandatit të saj legjitim. Tani jemi në një situatë për të ofruar palët, për t’i ulur në diskutim dhe për të gjetur një zgjidhje që shkon përtej interesit politik të secilës palë por në adresim të një interesi politik (ne shpesh herë termin politik e shikojmë në konotacionin partizan të fjalës) por është politik në raport me vendin, shtetin, institucionet dhe shoqërinë, nga e cila gjenerojnë edhe të gjitha dinamikat e tjera, familjes, komunitetit dhe gjithë vendit. Unë nuk do komenton sa e drejtë apo e padrejtë është qëndrimi i opozitës apo reflektimi dhe përgjigja e qeverisë. Unë them se jemi në një situatë serioze, nuk duhet nënvlerësuar dhe duhet trajtuar sa më parë që të jetë e mundur sepse çdo kohë e cila kalon, nuk riparohet në kontekstin e kohës fizike, në mënyrë që të adresohen pastaj hapat institucional dhe hapat politik.
Hila: Zt. President, a ju kanë afruar rolin e ndërmjetësit nga ndërkombëtarët ose juve vetë a jeni afruar si ndërmjetës për t’i ulur në tavolinën e bisedimeve?
Nishani: Po! Është e vërtetë që kam marrë një iniciativë kontakti për të diskutuar në parim me aktorët kryesor politikë në vend duke i vënë në gatishmëri institucionin e Presidentit për të lehtësuar komunikimin e palëve. Kjo ofertë ka qenë për të marrë një miratim në parim midis palëve. Kam gjetur mirëkuptimin dhe gatishmërinë e të gjitha palëve që e pranojnë parimisht angazhimin e Presidentit të Republikës për të ndërmjetësuar le të themi dialogimin dhe komunikimin e palëve, por duhet që të theksoj faktin që Presidenti nuk mundet të angazhohet për të patur një agjendë që ka të bëjë thjesht me rekomandimet teknike të OSBE/ODIHR-t për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, sepse rekomandimet e OSBE/ODIHR-t për Kodin Zgjedhor janë adresuar nga një komision parlamentar dhe Presidenti i Republikës do të angazhohet, mund të angazhohet për adresuar krizën politike dhe çështje që lidhen me krizën politike.
Hila: Por jo të negociojë problematikën. Në 2007-n, zt. Moisiu ka qenë negociator, bile u banalizua problemi edhe me çështje certifikatash.
Nishani: Unë mendoj që sot nuk është ajo situatë e 2007-s. Situata është shumë herë më serioze, shumë më e agravuar dhe polarizimi i palëve është shumë herë më i madh. Sot, opozita thotë se ne nuk mund të hyjmë në zgjedhje, sepse qytetarët shqiptarë, ata të cilët votojnë opozitën apo dëshirojnë të votojnë opozitën, janë drejtpërsëdrejti të kërcënuar nga persona me rekorde kriminale në shërbim të procesit elektoral për të penguar qytetarët për të marrë pjesë në procesin zgjedhor apo për të votuar sipas orientimeve që vijnë nga bota e krimit. Ky si shqetësim është shumë serioz dhe shumë i madh. Nga ana tjetër, qeveria thotë unë jam në legjitimitetin tim sepse jam një qeveri legjitime e zgjedhur normalisht dhe ashtu është, por duhet më së pari dhe ka përgjegjësinë e madhe të japë të gjitha garancitë opozitës që fushata elektorale dhe procesi zgjedhor duhet të jetë një proces që duhet të ketë garancitë e lirisë dhe të sigurisë nga bota e krimit. Në momentin që garantohen këto dy elementë, unë besoj që opozita duhet të vlerësojë dhe të ndërmarrë hapat e saj dhe të përmbushë përgjegjësitë kushtetuese.
Hila: Sot kemi një problematikë që opozita thotë se mund të manipulohen zgjedhjet. Juve e ndani si problematikë nga informacionet tuaja si president? Nga organet inteligjente dhe nga policie, keni informacion se mund të ndodhë diçka e tillë? Një fuqizim të krimit të organizuar në përkrahje të politikës.
Nishani: Së pari, desha të nënvizoj se as nuk përfaqësoj opozitën, as nuk përfaqësoj mazhorancën. Presidenti i Republikës është institucioni më i lartë i hierarkisë shtetërore, i cili është i gatshëm ta vendosë në dispozicion autoritetin e Presidentit të Republikës edhe në dispozicion edhe për mazhorancën edhe për opozitën. Faktet e agresivitetit të krimit të organizuar në Shqipëri janë evidente. Nuk marr përsipër që t’ia atashoj krimin e organizuar si një aktivitet njërës parti politike apo tjetrën.
Hila: E ka shprehur edhe zt.Meta problematikën..
Nishani: Kushdo e ka shprehur dhe është bindja ajo çka qytetarët shqiptarë kanë parë dhe shohin përditë. Situata e nisur që në vitin 2013 kur në Parlament mbërritën njerëz me rekorde kriminale është evidente. Situata që këta njerëz mbërritën jo vetëm në Parlament, por edhe në hierarkinë e administratës publike. Pra, këta njerëz kanë në rrethin e tyre individë me agresivitet të lartë kriminal dhe që janë angazhuar në procese elektorale edhe kjo është evidente. Ka një shqetësim të OSBE/ODIHR-t që paratë e pista nga kultivimi dhe trafikimi i kanabisit, mund tç përdoren në interes të fushatës elektorale dhe procesit elektoral. Të gjitha këto elementë janë fakte dhe evidenca, të cilat ngarkojnë me përgjegjësi për ta trajtuar çështjen. Unë nuk do të ndërmerrja asnjë gjykim nëse unë do të atashoja një forcë politike apo një tjetër forcë politike se sa e angazhuar është në ndonjë grup kriminal.
Hila: Le të kthehemi edhe një herë tek kriza. A lejon Kushtetuta jonë shtyrjen e zgjedhjeve?
Nishani: Praktikisht sot afatet kushtetuese dhe ligjore të marrjes pjesë të opozitës më 18 qershor janë kaluar. Me afatin që parashikon Kodi Zgjedhor që opozita të regjistrohet, zyrtarisht janë djegur pasi opozita nuk është regjistruar. Nëse duhet të marrë pjesë në datën 18 qershor, atëherë duhet t’i krijohen afati i regjistrimit, por afati i regjistrimit është i lidhur me datën e zgjedhjeve. Pra, domosdoshmërish duhet ndryshuar data e zgjedhjeve që të rivendoset e drejta e opozitës për t’u regjistruar në afat. Rivendosja në afat është e vendosur gjithmonë me shtyrjen e një date.
Jashtë çdo lloj klisheje dhe kompleksi, palët, kjo nuk është një kërkesë e imja, por pikëpamja, palët duhet të nisin diskutimit nëse do të diskutojnë për shtyrjen e zgjedhjeve apo jo. Nëse bien dakord për shtyrjen e zgjedhjeve, atëherë duhet të shikojnë përcaktimet kushtetuese se sa mund të shtyhen dhe nëse shtyhen zgjedhjet, përfshirja dhe përgjegjësia për të përfunduar procedurat e tjera është edhe e opozitës dhe mazhorancës. Nëse nuk do të ketë dakordësi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, atëherë përgjegjësia për të garantuar atë që opozita kërkon, i mbeten qeverisë dhe këtu mbetet të shikojmë.
Hila: Edhe zt.Meta ka thënë se nuk hyhet në zgjedhje pa opozitën….Si ju duket ky skenar?
Nishani: Mund të hyjë vetëm PS-ja, vetëm LSI-ja. Nëse opozita nuk hyn në zgjedhje, teknikisht do të kemi zgjedhje, por nuk do të kemi institucione me legjitimet pas zgjedhjeve. Legjitimet edhe institucional. Ka disa standarde ndërkombëtare për legjitimitetin e institucioneve të një vendi që pretendon të jetë demokraci e lirë. Pluralizmi dhe gara e barabartë në zgjedhje. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon detyrimisht të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur.
Nëse nuk kemi një proces të barabartë edhe në raport me standardet ndërkombëtare ku Shqipëria është palë e deri tek ato të BE-së ku Shqipëria pretendon të hyjë. Ka disa standarde ndërkombëtare për vlerësimin e legjitimitetit. Unë mbetem tek legjitimiteti dhe jo tek teknikaliteti, për të vlerësuar legjitimitetin e institucioneve që prodhohen nga zgjedhjet. Kushtetuta e vendit tonë nuk pranon sistem tjetër politik plural.
Hila: Do jetë Partia Sfida e Gjergj Bojaxhiut. Janë 4 parti komuniste dhe mund të jetë këto parti opozitare.
Nishani: Unë po flas nga pikëpamja si e kuptoj unë dhe si e mendoj unë se e kupton bota dhe shqiptarët demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri. Nëse mendon se mund ta rikuperojmë sistemin e kaluar monist, kuptohet jo në përmasat e dhunës dhe asaj mbyllje, por në kuptimin politik dhe institucional, unë mendoj se nuk mund të rrezikojmë dhe të vëmë në pikëpyetje legjitimitetin e institucioneve që do të prodhohen mbas zgjedhjeve parlamentare, legjitimitetin e Parlamentit, qeverisë, gjyqtarëve e prokurorëve dhe institucioneve që dalin. Pa dyshim që është përgjegjësi edhe e mazhorancës edhe e opozitës që t’i japin jetë demokracisë dhe legjitimitet shtetit shqiptar. Dhënia legjitimitet do të thotë që palët të kenë edhe një respekt reciprok ndaj njëri-tjetrit. Nuk mund të bëhet duke përjashtuar në mënyrë kategorike përmes teknikalitetit njërën palë që ishte më e dobët dhe më e margjinalizuar siç është opozita. Ne kemi përgjegjësinë që në zgjedhje, duhet me doemos (këtu nuk ka asnjë lloj negociate) që qytetarët shqiptarë të kenë të gjitha garancitë që ditën e zgjedhjeve të dalin nga shtëpia pa qenë të shantazhuar dhe të votojnë të qetë dhe të pa qenë të orientuar dhe rezultati të dali ai që qytetari ka hedhur në kutinë e votimit siç ka dashur. Dhe ajo mazhorancë që merr besimin e qytetarëve ka legjitimitetin e plotë qoftë edhe me 70%.
Hila: E gjitha kjo nuk kërkon më thjesht një qeveri teknike. Do të kërkojë një ndryshim të korpusit zgjedhor. Natyrisht kërkon zgjatjen më tej të afatit të këtij Parlamenti apo jo?
Nishani: Unë nuk dua ta shoh me nota pesimizmi apo fataliteti. Në një moment të caktuar, kjo situatë duket sikur është fatale. Ne kemi aq eksperienca. Edhe në të shkuarën ka ndodhur shtyrja e zgjedhjeve. Nuk është ky thelbi. Duke qenë racional, duke mos e ekzagjeruar qoftë shtyrjen e zgjedhjeve, qoftë ndërtimin e mekanizmave që marrin përsipër garantimin e tyre, palët mund të gjejnë kompromis. Unë mendoj si mazhoranca si opozita, e kanë kuantin e nivelit të përgjegjshmërisë, që jo vetëm të ulen në bisedime, të gjejnë një zgjidhje për ta futur vendin në një proces për t’i shpëtuar këtij virusi shumë problematik që është futur në establishmentin politik dhe në sistemin tonë politik.
Hila: Zt.President doni t’i lini pa pushim politikanët këtë radhë…
Nishani: Politikanët e zgjedhur me vullnetin e tyre këtë angazhim. Askush nuk i ka vënë me zor. Unë nuk jam nga ata President që them se më vunë me zor.
Diskutime rreth kësaj post