Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe ish-presidenti Bujar Nishani kanë shpërthyer ditën e djeshme në akuza të forta në adresë të kreut të PD, Lulzim Basha. Fillimisht, ka qenë deputeti Noka, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale shprehet se kryeministri Edi Rama largohet nga pushteti kur sipas tij, Partia Demokratike do të çlirohet nga pengu i tij, Lulzim Basha.
Madje zoti Noka theksoi se më 11 dhjetor kur është parashikuar që të mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD i thirrur nga delegatët që mbështesin nismën e ish-kryeministrit Sali Berisha, sipas tij në këtë ditë Partia Demokratike do t’u rikthehet demokratëve dhe nisë rrugëtimi për rrëzimin e Ramës nga pushtet.
“Basha ka 8 vjet që i shërben Ramës duke bërë gjithçka për ta lënë atë në pushtet. Në vend që të largonte Ramën, pengu Basha ka zgjedhur që të largojë demokratët për të ruajtur karrigen e tij dhe për të mbrojtur interesat e tij. Mënyra më e shpejtë për të rrëzuar Ramën është çlirimi i PD nga pengu i tij. Në mënyrë që opozita të realizojë qëllimin, asaj i duhet një lider dhe jo një peng kryetar. 11 dhjetori do jetë dita kur PD do t’u rikthehet demokratëve dhe misionit të saj për rrëzimin e Ramës”, shkruan deputeti i PD, Flamur Noka.
Ndërkohë edhe ish-presidenti Bujar Nishani ka sulmuar dje kryedemokratin Basha. Përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Nishani shprehet se Basha po largohet me turp nga politika.
“Lulzim Basha është tashmë “de facto” i larguar, jo thjesht nga drejtimi i PD, por nga politika shqiptare. Nga politika çdo politikan do të largohet një ditë. Rëndësi ka se si largohesh e për çfarë do të kujtohesh. Lulzim Basha po largohet nga politika me turp, duke shkaktuar veç dëme e pa asnjë rekord për respektin më minimal. Rëndësi tashmë ka ringritja e PD dhe kthimi i betejës së vërtetë politike me regjimin monokratik më të diskretituar në tërë historinë post diktatoriale në Shqipëri”, shkruan ish-presidenti Bujar Nishani.
Diskutime rreth kësaj post