Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka kthyer sot për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë
Presidenti thekson se ka vlerësuar se ky ligj, duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet se, “Së pari: Regullimi ligjor në lidhje me detyrueshmërinë e anëtarësimit në Dhomat e Tregtisë dhe Dhomat e Bashkuara të Tregtisë përbën një shkelje kushtetuese referuar nenit 46 të Kushtetutës. Neni 46 i Kushtetutës përcakton se:’Kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm’ duke njohur kështu një parim themelor të të drejtave
themelore të njeriut për të marrë pjesë në organizatat dhe shoqatat, qofshin politike, të biznesit apo tjetër, me vullnetin e tyre. MZHETTS e ka argumentuar vendosjen e anëtarësisë së detyrueshme të subjekteve tregtare në dhomën e tregtisë me faktin se rritja e të ardhurave do t’u mundësojë dhomave dhe bashkimit të dhomave të përmbushin detyrimet që rrjedhin, jo vetëm nga marrëveshjet ndërkombëtare me organizmat si EuroChambers, Association of Ballkan Chambers etj, por të zhvillojnë një aktivitet normal në ofrimin e shërbimeve në funksion të detyrimeve ligjore kundrejt anëtarëve të saj.
“Së dyti: Anëtarësimi absolut i detyrueshëm me anë të pagesës së kuotës së anëtarësisë në dhomat e tregtisë nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë krijon premisat e një takse të fshehtë për biznesin në kushtet që subjektet tregtare kanë vështirësi në realizimin e fitimeve. Ligji 93/2016 përcakton se kuota e anëtarësimit vjetor për çdo person fizik që ushtron aktivitet tregtar është 1000 lek, ndërsa për personat juridik kuota është 3000 deri në 100 000 lekë.
Neni 155 i Kushtetutës përcakton qartë se detyrimet financiare, taksa dhe tatime si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen veç me ligj””, shprehet Nishani.
“Së fundi, referuar prognozës së bërë në mbledhjen e të ardhurave në mënyrë të detyrueshme nga të gjitha subjektet, qoftë persona fizikë apo juridikë, misioni dhe përcaktimet ligjore në lidhje me aktivitetin e dhomave të përcaktuara në këtë ligj nuk e justifikojnë përfitimin e të ardhurave në atë nivel, i cili mund të ishte lehtësisht i krahasueshëm me buxhetin e një ministrie apo institucioni tjetër të rëndësishëm”, thekson Presidenti Nishani. /
Diskutime rreth kësaj post