Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka theksuar se dy janë çështjet kryesore për Shqipërinë; zgjedhjet e lira dhe të ndershme si dhe lirimi i vendit nga kanabizmi.
Gjatë fjalës në takimin për 104 vjetorin e pavarësisë, Nishani e konsideroi çështjen e kanabisit, si “murtajë” që rrezikon të ardhshmen e vendit.
Nishani: Hapja sa më parë e negociatave me Bashkimin Evropian do të jetë hapi tjetër cilësor që do të na çelë derën për të ecur në rrugën e gjatë të reformave edhe më thella dhe ndoshta më të dhimbshme, por të domosdoshme për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Ajo që mbetet thelbësore e këtij procesi është angazhimi, përkushtimi dhe veprimi i pandashëm i shoqërisë shqiptare dhe aktorëve të saj në përmbushje të standardeve të kërkuara.
Jam i bindur se shqiptarët nuk do të lodhen kurrë në këto përpjekje dhe në këtë rrugëtim. Periudha në vijim është një periudhë me dy prioritete të mëdha; zgjedhjet e lira dhe të ndershme që do të zhvillohen qershorin e ardhshëm dhe lirimin e vendit nga kanabisi, kjo murtajë që rrezikon të sotme dhe të nesërmen. Ne dhe fëmijët tanë, politikën dhe shtetin, demokracinë dhe integrimin.
Në cilësinë e Presidentit të Republikës i ftoj të gjitha palët që sa më shpejtë të bëjnë reformën zgjedhore. Një reformë që do t’u përgjigjet zhvillimeve në vend, duke korrigjuar defektet dhe konsoliduar infrastrukturën zgjedhore. Vendi e ka të pamundur të ballafaqohet me zgjedhje të kontestuara. E kemi jetike nevojën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë shpreh besimin se Shqipëria dhe shqiptarët, institucionet do të dinë të ngrihen në lartësinë e sfidave duke bërë më të mirën për sot dhe për nesër.
Diskutime rreth kësaj post