Brenda Partisë Demokratike kanë nisur lëvizjet për krijimin e një grupi që kërkojnë largimin e Berishës. Ditët e fundit shumë emra kanë dalë kundër Berishës si Mark Marku, Fatbardh Kadilli, Agim Doçi, Roland Bejko e të tjerë.
Sipas burimeve, kanë nisur lëvizje për krijimin e një grupi deputetësh, të cilët në shtator do të kërkojnë që ish-kryeministri të mos hyjë në Parlament. Ish-kandidati për kryetar i PD, Fatbardh Kadilli me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook u shpreh se Berisha ka qenë një forcë dhe dobësi e PD por edhe pas gjithë historisë që ai ka lënë pas, është i shmangshëm.
Kadilli tha se kjo shmangie nuk vjen nga mungesa e respektit për të apo se kështu kërkojnë amerikanët, por vjen sepse është jetike për partinë. Sipas tij kjo shmangie do ti japë ish-kryeministrit hapësirën e mundësinë të zërë vendin që i takon për të mirat që ka bërë edhe pse ndodhet në greminë tani, duke iu referuar kështu konfliktit me SHBA.
“Berisha ka qenë forca dhe dobësia e PD. Strukturoi partinë sipas profilit të tij dhe e dominoi me fanatikët e tij sipas kalkulimeve të veta politike. Krijoi mitin e tij. Dishepujt e afërt ishin ata që përfitonin. Por, edhe pas gjithë këtyre, Berisha është plotësisht i shmangshëm. Shmanget kur ai vetë nuk e kupton që duhet të hiqet mënjanë. Shmanget, kur ngulmon të ruajë monopolin e tij dhe të zgjatimit të tij, kryetarit aktual të PD. Shmanget kur nuk lejon PD të ringrihet. Berisha është një institucion në PD që gjithsesi duhet shmangur. Jo për tu hedhur poshtë. Aspak. Por për t’i dhënë shansin që nga gremina ku ndodhet dhe vazhdon të përpëlitet të mund të zërë vendin që i takon për veprat e mira që ka lënë. Shmangia nuk vjen nga mungesa e respektit. Përkundrazi. Shmangia nuk vjen as se e kërkojnë amerikanët, por se ishte prej kohësh e nevojshme dhe sot është jetike për PD”, – tha ai.
Ja pse duhet shmangur Berisha sipas Kadillit
Kadilli po ashtu u shpreh se shmangia e Berishës do të tregojë se PD është akoma dhe më e madhe nga ai. Ai tha se PD ka nevojë për rinovim , duhet të shkëputet nga çdo peng i së shkuarës dhe nga mentaliteti i liderit fals që bën çudira. Sipas Kadillit, Berisha ngurtësoi lirinë dhe demokracinë, prandaj ai duhet të shmanget dhe këtë gjë duhet ta bëjë PD-ja, ajo PD që do më shumë lirinë sesa një lider.
“Shmangia vjen nga besimi se PD është më e madhe se ai, shumë më e madhe se ai. Shmangia vjen nga bindja se ai i ka dhënë PD, por PD i ka dhënë atij shumë më shumë. Shmangia vjen nga bindja se PD duhet të rinovohet dhe të shkëputet nga çdo gjë që e mban peng. Shmangia vjen që ne si parti të plotësojmë misionin tonë. Duhet të shmanget që PD të krijojë një projekt të ri. Larg monopolit të atij që e përdor të mbetet i pashmangshëm. Që të çlirohet PD nga mentaliteti i rremë i liderit çudibërës dhe të gjithë ditur. Për këto, për lirinë dhe demokracinë që aq fort i brohoriti, por që aq shumë i ngurtësoi, Berisha duhet shmangur. Këtë duhet ta bëjë PD. Këtë duhet ta bëjmë ne që duam të kemi PD dhe jo kryetar dhe ish kryetar. Ne që duam më shumë lirinë se sa liderin. Ne që duam demokraci jo autoritet”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post