Seanca në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019 ka nisur sot. Jordan Daci, avokati i Shoqatës së Bashkive tha se gjykata duhet të injorojë opinionin e Komisionit të Venecias pasi nuk duhet të ketë si interes ekuilibrat politike.
“Lidhur me opinionin e marrë nga gjykata, opinioni nuk është detyrues. Ne mendojmë që në tërësi raporti ka pasur pjesë që janë kontradiktore. Thuhet që GJK nuk ka kompetencë për sa i përket shqyrtimit të procesit zgjedhor. Në botë kuptimin tonë është më se e qartë se ky ndryshim, gjykata nuk mund t’i përmbahet vetëm kërkimeve dhe pretendimeve të palëve, por sipas bindjes së saj. Në pikën 47, e pranon që ka kompetencë.
Ne nuk jemi marrë vetëm me procesin, por në disa aspekte si respektimi i lirive dhe drejtave themelore të njeriut. Nëse ne i referohemi parimin e proporcionalitetit, komisioni ka dështuar në përgjigje. Komisioni Venecias ka më tepër opinion politik se përgjigje juridike për pyetjet e dërguara. Ajo e bën për të ruajtur ekuilibrat politike. Por gjykata duhet ta injorojë ketë opinion të komisionit të Venecias pasi gjykata nuk duhet të ketë si interes ekuilibrat politike”, tha Daci.
“Kushtetuesja” do të duhet të marrë një vendim përfundimtar, nëse zgjedhjet ishin legjitime apo jo.
Sipas opinionit final të Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese nuk e ka në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por kjo nuk e pengon që të ushtrojnë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor.
Komisioni i Venecias la në fuqi zgjedhjet e 30 Qershorit dhe nuk këshillonte Gjykatën Kushtetuese që t’i përsërisë zgjedhjet e 30 Qershorit.
Ndërkohë kujtojmë se 6 bashki janë pa kryetar. Mazhoranca është shprehur e gatshme për një përballje të parakohshme elektorale lokale me demokratët.
Presidenti Ilir Meta deri më sot ka refuzuar të dekretojë një datë për zgjedhje në ato bashki, të cilat humbën kryetarin rrugës, pasi nuk pranonte ta njihte “30 Qershorin”, por Partia Socialiste pret që Presidenti të ndryshojë qëndrim pas vendimit nga “Kushtetuesja”.
Në 6 bashki, Shkodër, Durrës, Vorë, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnjë pritet që të zhvillohen zgjedhje të parakohshme lokale.
Shkodra është e vetmja qe drejtohet nga një kryetare me mandat të përfunduar kushtetues, pasi Voltana Ademi vendosi të qëndrojë në detyrë, ndërsa 5 bashkitë e tjera vijojnë punën me kryetar të komanduar.
Diskutime rreth kësaj post