Ish-ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka veçuar rolin përcaktues të faktorit shqiptar në finalizimin e Marrëveshjes së Prepës.
Në një intervistë të gjatë në televizionin publik ERT, Kotzias ka zbardhur disa prej “prapaskenave” të negociatave për zgjidhjen e kontestit për emrin kushtetues të maqedonisë. Ai tha se përpjekjet e qeverisë Tsipras filluan në verën e 2015, kur në pushtet ishte Nikolas Gruevski. Kotzias shënoi se këto përpjekje nuk dhanë rezultat.
Në të njëjtën kohë, Kotzias nisi bisedimet edhe me kreun e opozitës së atëhershme, Zoran Zaev, si dhe me Ali Ahmetin, të cilin gjatë intervistës e cilësoi si “liderin natyral të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.
Kotzias tregoi se atëherë i kishte telefonuar sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton. “Më tha ‘nuk bën mirë që takohesh me opozitën dhe me shqiptarët, pse Gruevski ndihet se ndodhet nën presion’. I thashë të mos më telefonojë më dhe të mos përzihet në negociatat që po bën Greqia me FYROM për zgjidhjen e një problemi të rëndësishëm midis tyre. Dhe nuk telefonoi më”,– tha ish ministri i jashtëm grek.
Duke iu referuar kontakteve me palën shqiptare, Kotzias vuri në dukje se “Faktori shqiptar donte zgjidhje. Dhe përbënte një element që ndihmonte avancimin e zgjidhjes, madje edhe kundër dëshirës së Gruevskit”. “Ahmeti dhe Osmani, nënkryetari i qeverisë, ishin aleatët tanë në negociatat. Ky bashkëpunim me shqiptarët dha fryte deri edhe në fazën përfundimtare të negociatave”, shtoi Kotzias.
Diskutime rreth kësaj post