Nga; Nikoll Lesi
Mes kryeministrit te Shqipërisë dhe atij të Greqisë ka marrëdhënie shumë të ftohta, të paktën për momentin, në darkën informale për liderët e Ballkanit Perëndimor, Kryeministri i Greqisë Kiriakos Micotakis nuk ftoi kryeministrin Edi Rama, por ftesën e dërgoi për presidentin Bajram Begaj.
Ky i fundit e ka refuzuar duke nxjerrë si pretekst axhendën e ngarkuar për të hënën dhe nuk e ka parë të arsyeshme të pranojë një ftesë, që do të sfidonte kryeministrin e anashkaluar, Edi Ramën.
Më shumë se një ftesë për Bajram Begajn në takimin informal të liderëve të Ballkanit Perëndimor, zgjedhja që ka bërë Micotakis është anashkalim për Edi Ramën.
Të dy kryeministrat kanë tentuar të ndërtojnë një marrëdhënie miqësore pak kohë më parë, kur Rama ka vizituar Greqinë dhe kur Micotakis erdhi në Himarë për një takim.
Por burgosja e Fredi Belerit dhe vendimi për të mos ta lënë të betohet deri në djegien e mandatit duket se i ka shkatërruar urat e komunikimit mes dy kryeministrave.
Të hënën e 21 gushtit në darkën informale të thirrur nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis në Megaro Maximos nuk do të ketë një përfaqësues të Shqipërisë, ndërsa i vetmi përfaqësues i shqiptarëve do të jetë Albin Kurti.
E ndërsa kanë konfirmuar pjesëmarrjen Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, presidenti i Malit të Zi Jakov Milatovic, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borgiana Christo.
Në diskutim do të marrin pjesë edhe liderët e vendeve të rajonit që janë anëtare të BE-së dhe më konkretisht kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, i Kroacisë Andrej Plenkoviç dhe i Rumanisë Ion-Marcel Ciolakou.
Dreka informale do të mbahet me rastin e 20-vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe “Deklaratës së Selanikut”.
Sipas medias greke, kjo drekë ka si qëllim që kryeministri grek të riafirmojë mbështetjen e Greqisë për perspektivën evropiane të rajonit, e cila bëhet edhe më e rëndësishme në mjedisin e ri të sfidave të krijuara nga pushtimi rus i Ukrainës.
Mosvajtja e Presidentit Begaj ka ruajtur fytyrën e shtetit shqiptar përballë Greqisë e cila ka dashur të ftojë Kryetarin e Shtetit për të denigruar kryeministrin.
Sido të jetë Begaj ka vepruar mirë dhe korrekt në raport dinjitetin e shtetit.
Diskutime rreth kësaj post