Parlamenti voton ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Mësohet se 97 deputetë kanë votuar pro dhe 6 të tjerë kundër dhe nje abstenim.Ky projektvendim i propozuar nga Komisioni i Ligjeve mori 98 vota pro, 5 kundër dhe kanë abstenuar 2 deputetë.
Nëntë deputetë do të përbëjnë komisionin që do të hetojë Metën për shkeljet që pretendohet se janë kryer para dhe gjatë fushatës elektorale. Kryetar do të jetë deputeti socialist Alket Hyseni, ndërsa zëvendëskryetar Myslim Murrizi i opozitës. Deputetja socialiste Klotilda Busha do të jetë sekretare e Komisionit Hetimor. Ndërkohë do të jenë edhe 6 anëtarë të tjerë të cilët janë deputetët Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka dhe Arlind Çaçani.
Për zëvendësim janë përcaktuar 3 deputetë të tjerë: Ermonela Felaj, Xhemal Qefaliaj dhe Eugen Bojaxhiu. Do të jenë këta deputetë që do të hetojnë presidentin dhe në fund do të miratojnë një raport nëse ekzistojnë shkaqe për shkarkimin e Metës.
Objekti i punës së këtij Komisioni Hetimor është hetimi dhe verifikimi nëse aktet e kryera dhe deklaratat e dhëna nga Presidenti i Republikës gjatë periudhës përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore 2021 përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Me ngritjen e këtij Komisioni, Kuvendi fillon hetimet ndaj deklaratave të kreut të shtetit, të bërë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të vitit 2021.
Diskutime rreth kësaj post