Avokati Spartak Ngjela përmes një postimi në facebook, ka folur në lidhje me marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Ngjela shkruan se e vetmja rrugë për arritjen e kësaj marrëveshjeje është rruga e forcës Kosovë-Shqipëri.
Postimi i plotë:
Nuk ka asnjë rrugë tjetër me të cilën arrihet marrëveshja e Kosovës me Serbinë: Rruga e forcës Kosovë- Shqipëri është e vetmja.
Këtë duket se po e kërkon edhe politika amerikane. Kryeministri i Kosovës është sak i kësaj rruge. Ky i Shqipërisë as që e kupton dhe as e dëshiron.
l.
Në fakt kjo ka filluar nga Kosova. Kuptohet se Kosova po drejtohet nga politika e fortë amerikane. Nga kuptohet kjo? Kjo kapet mjaft qartë nga kërkesa amerikane që Kosova duhet ta krijojë ushtrinë e vet sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, vijon si tendencë edhe me taksën 100 përqind për mallrat serbe në Kosovë.
Të dyja janë të lidhura dhe sigurisht qëndrojnë te mendimi i ri i politikës amerikane: forca e Kosovës. Por këtu duhet të radhitet edhe Shqipëria.
ll.
Politika serbe është në një qorrsokak mendor, dhe pas taksës 100 përqind dhe ushtrisë së Kosovës, është futur më në fund në pështjellimin e frikës.
Serbia sot është një vjetërsirë historike që nuk qëndron dot, se deri tani ka qëndruar me forcë terroriste antishqiptare, por edhe me përkrahje perëndimore. Ai është një shtet që gjithçka e ka arritur me dhunë dhe sot është i rrethuar me armiq që i kërkojnë revansh territoresh.
Kjo vjetërsirë politike nuk mund të qëndronte dot, sepse Serbia si shtet ka qenë një investim në falsitet, i cili përfundoi në forcë për të krijuar territore me dhunë.
Kjo është teza ime të cilën tani e di gjithkush që ka lexuar historinë e kësaj kohe dhe njeh sidomos historinë e Arbërisë. Por ky është fakti që nuk mund ta pranonte assesi politika amerikane, edhe pse ajo e ndihmoi Jugosllavinë e Titos për interes antisovjetik.
Pas luftës së ftohtë, Amerika ka parë nga Shqipëria për politikën e saj në Ballkanin Perëndimor.
Po tani?
Tani ka ndryshuar gjithçka, por një qënieje që ka jetuar nga dhuna gjithmonë i duhet treguar forca.
Forca si përkrahje amerikane tani po i kërkohet edhe Kosovës, edhe Shqipërisë.
Bota shqiptare duhet të jetë e fortë në Ballkanin Perëndimor – kjo është politika amerikane e cila tani ka dalë hapur.
Por politikat anglosaksone asnjëherë nuk kanë qenë afatshkurtra, mendjeshkurtër janë të shiturit politikanë të Shqipërisë që menduan se ndryshoi politika amerikane.
Kurrë nuk duhet menduar se politikat e një superfuqie mund të jenë afatshkurtra dhe sidomos politika amerikane, e cila sot na e ka ekspozuar këtë politikë albaneze krejt si një doktrinë. Atëherë?
Kjo pyetje duhet ngritur kundrejt politikës aktuale të Shqipërisë. A ka Shqipëria sot një politikë të qartë strategjike për sigurimin dhe zhvillimin e saj ekonomik?
Ill.
Në funksion të kësaj politike force që duhet të ngrënë shqiptarët tani, vjen dhe spikat kërkesa që edhe Shqipëria duhet të fuqizojë urgjentisht ushtrinë e saj.
Unë këtë gjë e kam kërkuar që para dy vjetësh. Por tani kuptohet sak që ka ardhur koha.
Koha ka ardhur, por pyetja që ngrihet këtu është kjo: a ka një kryeministër shqiptar që të jetë me këtë politikë?
Deri tani nuk ka një kryeministër të tillë. Këta kryeministrat tanë, me përjashtim të Pandeli Majkos, si rregull, kanë qenë me fqinjët dhe kundër interesit kombëtar, sepse kanë qenë të korruptuar. Madje ky ka qenë shkaku që, në 25 vjet, këta janë prishur dhe nuk janë pranuar nga politika amerikane.
Deri tani, edhe ky i sotmi kështu ka luajtur: kundër interesit shqiptar dhe me dyshim nga politika amerikane.
Gjithçka që ka lejuar në funksion të politikës së re për fuqizimin e botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, Ramës i është marrë me forcë nga politika amerikane. Dhe ky është fakt.
Rama nuk e kupton dot politikën jashtë interesit të tij, se për asnjë çast nuk e kupton dot që të të jesh kryeministër i kësaj kohe, duhet të njohësh e të realizosh interesin e Shqipërisë. Është nën trysninë e unit absolut, sepse ka dëshirë por s’ka ide. Dhe interesin e tij nuk e sheh brenda interesit kombëtar.
Socialistët nuk e kuptojnë dot këtë gjendje se nuk kanë ide. Prandaj, politika amerikane, Ramës, gjithçka duhet t’ia marrë me forcë, se kuptohet që është i kapur nga reforma në drejtësi. Rama nuk e kalon dot akuzën e Prokurorisë së Posaçme, dhe nuk e ndaloi dot konstituimin e saj ndonëse u lidh edhe me gjeniun e aritmetikës Basha.
Që të fillojë të jetë me shqiptarët, Rama duhet fillimisht të ndalojë naftën e intimiduar cilësisht në treg; dhe duhet të heqë skadencat në mallrat ushqimore të tregut shqiptar.
Tregu shqiptar sot është i gjithë skadencë dhe skarcitet. Kush e bën? Pa kryeministrin kjo nuk bëhet dot.
lV.
Kjo është arsyeja politike që politika e Kosovës është më përpara nga kjo e Shqipërisë. Shqiptarët nuk kanë një kryeministër që të punojë për interesin e tyre. Kurse Kosova sot e ka një kryeministër të tillë. Shenjat janë që, me forcimin e mëtjeshëm të Kosovës, Kosova do të jetë sigurisht lokomocioni që do të drejtojë të gjithë lëvizjen për unifikimin e botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Dhe shpejt do ta shihni që këtë do ta luajë hapur edhe politika amerikane, se shenjat janë dhënë që sot.
Diskutime rreth kësaj post