Politikanët dhe pushtetarët e korruptuar duket se i kanë ditët e numëruara. Të paktën kështu mendon avokat Spartak Ngjela, i cili ditën e djeshme është shprehur se të korruptuarit janë të pashpresë.
Përmes një statusi në rrjetet sociale Ngjela paralajmëroi dje zhvillime të reja, ku theksoi se çlirimi i Shqipërisë nga uzurpatorët dhe hajdutët e popullit është i garantuar deri në fund. Sipas tij, Prokuroria Speciale dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ambasadores Yuri Kim do të sjellë kapitullimin e të korruptuarve.
“Pse duhet të mërziteni! Të inkriminuarit në korrupsion i ka SPAK-u në kompetencë për t’i skualifikuar nga gara për deputetë. Të tjerët – pushtetarë, ministra e kryeministra – kudo ku janë, janë të akuzuar, por që ende nuk iu ka shkuar akuza. Po SPAK, a është i gjithë, si institucion, me Shqipërinë dhe shqiptarët? Po SPAK, a e di që garantimi i tij është i siguruar në Uashington? Po SPAK, e di që, ata gjyqtarë, prokurorë dhe hetues që e përbëjnë si organikë institucionale, do të hyjnë në histori si shpëtimtarë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve? Sigurisht që i di. E pra, kjo është situata historike e momentit në Shqipëri… Dhe të korruptuarit janë të pashpresë. Pse? Sepse çlirimi i Shqipërisë nga uzurpatorët, hajdutë të popullit shqiptar, është i garantuar deri në fund. Kurse shqiptarët po presin me ditë proceset e para dhe sytë ndërkohë i kanë nga Uashingtoni dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë”, – shkruan ai.
Ndërkohë dy ditë më parë avokat Ngjela komentoi edhe thirrjet e ambasadores Kim për politikën që të mos kandidojnë persona me rekorde kriminale në zgjedhje. Sipas tij, amerikanët kanë sjellë një listë konkrete me emra kriminelësh dhe të korruptuarish që nuk duhet të jenë në listat e kandidatëve të 25 prillit.
“Përfundimisht, duke i sjellë në arsyetimin tonë të gjitha argumentet që trajtuam më lart, duke parë realisht dhe të gjitha shenjat dhe ndërhyrjet që po bën përditë politika amerikane në lidhje me antikorrupsionin, shkojmë te bindja që, personat që janë me rekorde kriminale dhe të korruptuarit, nuk do të kenë mundësi ligjore që të mund të kandidojnë për deputetë në zgjedhjet e prillit të këtij viti. Për këtë rast, na duhet të theksojmë gjithashtu se: të gjithë personat e korruptuar janë të identifikuar me provat e ardhura nga shërbimet speciale, në dosje të veçanta. Kjo mendoj se është edhe përgjigjja e saktë e pyetjeve të ngritura përgjatë këtij punimi të shkurtër. Atëherë, na duhet të konkludojmë se: Shqipëria po ndodhet në pragun e pastrimit të madh ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, – nënvizoi avokat Spartak Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post