Protesta e opozitës ka hyrë në ditën e 41 të saj dhe sa më shumë nga çadra këmbëngulet në qëndrimin për qeveri teknike si kusht për zgjedhjet, duket se aq më të shumtë bëhen zërat kundër.
E fundit ishte rezoluta e Partive Popullore Europiane. Nga 19 pikat e rezolutës duket se dy prej tyre kanë të bëjnë edhe me Shqipërinë. Në njërën prej tyre, megjithëse nuk përmend me emër Shqipërinë, problematika duket se i ngjan aktualitetit shqiptar.
Në rezolutë Partia Popullore inkurajon të gjitha forcat politike të marrin pjesë plotësisht në proceset demokratike dhe insititucionet në vendet respektive të tyre dhe të fokusohen në reformat strukturore, për të cilat ekonomia e tyre ka nevojë urgjente.
Për këtë u diskutua këtë të enjte në Top Story, ku Spartak Ngjela e interpretoi rezolutën si një prelud të një reagimi akoma më të ashpër të ndërkombëtarëve ndaj bojkotit të Partisë Demokratike.
“Është prelud para se të fillojë forca. Me interesa të mëdha politike, kështu fillojnë. Nëse nuk do të marrin vesh me ketë gjuhë, Shqipëria për ta është në aleancë antiterroriste”, tha ai.
Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi thotë se investimi më madhor i ndërkombëtarëve është reforma në drejtësi dhe dështimin e saj nuk do ta tolerojnë. Sipas tij, pikërisht kjo reformë garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Reforma në drejtësi garanton zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. Sistemi i drejtësisë është garanti i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, u shpreh Ngjela.
Sipas tij, kërkesa për qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk është thelbi i krizës.
“Epiqendra e krizës është reforma në drejtësi dhe sidomos procesi i Vettingut. Po e bëjnë gjithë këtë për të mbrojtur Saliun”, tha ai.
Ngjela u shpreh se Rama po tregon se nuk është i pavarur. Sipas avokatit, shkarkimi i ministrit Saimir Tahiri tregoi se Kryeministri varet nga ndërkombëtarët.
Diskutime rreth kësaj post