Avokati i njohur shqiptar Spartak Ngjela, ka vlerësuar se krimi kundër popullsisë çame është një vepër kriminale makabër, që është mbajtur e fshehtë. Por, sipas tij, tani ka ardhur koha që ky krim të dal në pah dhe të trajtohet ndërkombëtarisht.
Përmes një postimi të bërë në Facebook, Ngjela ka paralajmëruar se së shpejti do të ketë zhvillime të reja lidhur me këtë çështje. Ai ka kërkuar nga çamët që të ndjekin rrugën e Kosovës dhe të krijojnë Republikën e Çamërisë.
Reagimi i plotë i Ngjelës:
Republika e Çamërisë dje mbushi 7 vjet nga krijimi i saj
I.
Shumë mirë që ndërkohë ka filluar të lëvizë çështja e Republikës së Çamërisë, dhe që në këto ditë u shpreh me gërma të mëdha prej saj se: së shpejti do të kemi dhe zhvillime të mëtejshme.
Kjo po pritej nga patriotizmi shqiptar, dhe Çamëria duhet të ndjekë rrugën e Kosovës, ndërsa shteti shqiptar dhe të gjitha institucionet e rëndësishme të Shqipërisë dhe të Kosovës duhet të hidhen në sulm ndërkombëtar.
Kjo, sepse të gjitha provat historike janë shpallur botërisht.
Krijimi i një proteste të madhe institucionale në Çamëri do të përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Republika Federale Gjermane, sepse historikisht këta dy shtete e kanë pasur çështjen e Çamërisë në agjendën e tyre.
Krimi kundër popullsisë çame është një vepër kriminale makabër që është mbajtur e fshehtë. Por tani ka ardhur koha që të dalë në pah. Ne shqiptarët e njohim shumë mirë këtë krim, por sot është koha e trajtimit të saj ndërkombtarisht.
Fati i Çamërisë u varros bashkë me fatin e Kosovës, kur fuqitë e madha nuk ia dhanë këto dy krahina të mëdha shqiptare, Shqipërisë së re që po formohej me shpalljen e pavarësisë, në vitin 1912-1913.
Pikërisht këtu qëndron edhe fati i përbashkët që kanë pasur në vuajtje, persekutim dhe shfarosjen etnike të dyja etnitë shqiptare edhe në Çamëri, edhe në Kosovë.
Por ka një rregull historik që thotë se: fati i përbashkët i dy etnive të të njëjtit popull që e kanë kaluar njëlloj rrezikun e shfarosjes nga pushtuesit e tyre; po ky fat i bashkon këto etni në lirinë e tyre që, si rregull, u vjen thuajse njëherësh.
Prandaj: për këtë arsye historike, shpallja e pavarësisë së Kosovës, tani i obligon të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, që të përkrahin me sa të munden lëvizjen që pritet të fillojë në Greqi dhe jashtë saj nga populli i masakruar trim dhe patriot i Çamërisë, për krijimin e Republikës së Çamërisë.
II.
Koha ka ardhur. Shqiptarët e Çamërisë duhet të ndjekim rrugën e shqiptarëve të Kosovës. Historia me dhunë i ndau nga shteti amë të dyja krahinat kryesore të Shqipërisë: Kosovën dhe Çamërinë
Por koha ka ardhur dhe shqiprarët kudo ku janë u duhet të marrin motiv patriotik nga lëvizja e shoqërisë shqiptare çame në Greqi, që nga Janina e deri në Prevezë.
Dhe shenjat janë që do të fillojë kjo lëvizje, se edhe shqiptarët e Çamërisë që janë shpërngulur me dhunë nga tokat e tyre dhe banojnë me shumicë në Shqipëri dhe në Turqi, janë të gatshëm që ta nisin këtë lëvizje patriotike për atdheun e tyre të shumëvuajtur nga hordhitë greke.
Është e sigurt që shqiptarët e Çamërisë do të jenë të gatshëm ta fillojnë lëvizjen mbresëlënëse patriotike për krijimin e Republikës së Çamërisë, realisht në tokat etnike nga ku i kanë dëbuar hordhitë kriminale të Greqisë.
Diskutime rreth kësaj post