Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar situatën politike në vend, duke e ndalur theksin tek çështja e Ilir Metës, pasi ky i fundit është vënë nën hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sa i takon aferës 700 mijë euro të lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Ngjela paralajmëroi se ka nisur numërimi mbrapsht për të korruptuarit në Shqipëri, ndërsa tregoi arsyet se pse do fundoset Meta dhe zbuloi planin e SPAK sa i takon luftës ndaj të koruptuarëve.
“Korrupsioni i lartë i Shqipërisë është trembur. Dhe kuptohet se shpresën tani e ka te Moska dhe Beogradi. Si ngaherë që, si çdo hajdut i kapur, fantazon një deus ex machina si shpëtimin e tij. Për shqiptarët dje krisi një rrufe shprese: filloi procesi penal për një ish- kryeministër të shtetit dhe të shqiptarëve. Kanë pritur gjatë shqiptarët që të çlirohen nga një histori e ligësisë dhe që është sunduar nga hajdutët që kanë qeverisur vendin të tyre. Shqiptarët, edhe në 30 vitet e fundit, janë drejtuar vetëm me të korruptuar dhe antishqiptarë. Shumica e tyre kanë kullotur në Beograd në Athinë ose në Moskë. Dhe kjo është një histori që të rrëqeth me trishtim. Por koha, më në fund, kuptohet se ka ardhur edhe për shqiptarët, dhe kjo nuk ka qenë fare një rastësi: ajo do të vinte. Se është historia që gjithmonë nuk ka si të mos kthehet aty ku ka nisur. Kjo tani është një “magji” e kohës. Dhe kjo magji kohore nuk ka rëndësi se si vjen në historinë e një populli, por, për rastin e Shqipërisë, kjo po vjen me një forcë madhore në Gadishullin Ilirik. Kjo po vjen nga forca e superfuqisë unike sot në botë: nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj jam i sigurt kur them që korrupsioni i lartë shtetëror i ka ditët e numëruara”, deklaroi ai. Më herët gjatë ditës së djeshme, Ngjela u shpreh në media se nuk ka arsye për t’u zmadhuar dhe se kushdo që ka bërë një krim do mbajë përgjegjësi
. “Do t’i drejtohem popullit, ç’do t’i drejtohesh popullit?! Ke gjykatë. Do shkosh në SPAK. SPAK-un e drejtojnë, ka deklaruar politika amerikane, e drejtojmë ne. Është drejtësia,” u shpreh ai. Sipas tij, nëse Meta është i pafajshëm kjo vërtetohet lehtësisht. “Fakti që sillet kështu si të gjithë të pandehurit e tjerë të akuzuar, është i fajshëm. I pafajshmi shkon e merr pafajësinë në gjyq” , nënvizoi avokat Spartak Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post