Avokat Spartak Ngjela e sheh të trembur klasën politike në Shqipëri. Kreu i SPAK, Arben Kraja dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim kanë thënë se viti 2021 do të sjellë hetime të bujshme.
Avokati i ka përshëndetur këto mesazhe, ndërsa ka komentuar dhe zhvillimet në klasën politike shqiptare. Sipas Ngjelës, të korruptuarit i kanë pasur sytë te Moska e Beogradi, por edhe me ndihmën e tyre nuk ia kanë dalë dot të shpëtojnë.
“Tanimë të gjithë shqiptarët e dinë se tre janë organet që do të drejtojnë luftën ligjore dhe me një proces të rregullt ligjor, kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri: Gjykata e Posaçme, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Kurse garanti moral i shqiptarëve, dihet se kush është: është politika amerikane me përfaqësuesen e vet në Tiranë, Yuri Kim. Në fakt, beteja ka filluar, por ajo që po vihet re është fakti se, korrupsioni i të dy krahëve të politikës tani është bashkë. Dhe të gjithë shpresën e ka pasur në Moskë dhe në Beograd. Pikërisht në këtë kohë, elita korruptive shqiptare, dallon se është disi e trembur. Kjo po ndodh, sepse korrupsioni i lartë shtetëror shqiptar e vlerësonte dhe kishte shpresë shumë te afrimi i presidentit amerikan Trump me Moskën. Por, fitorja e Joe Biden-it në Amerikë i ka shokuar”, tha ai. Sipas avokatit, frenimi që politika Trump i bëri çështjes së Kosovës, i dha shumë shpresë korrupsionit shtetëror në Tiranë se çështja shqiptare në Ballkanin Perëndimor nuk do të vijonte ashtu si nisi.
Thirrjet e Metës dhe Berishës
Avokati është ndalur dhe te thirrjet e dyshes Meta-Berisha. Presidenti kërcënoi pak ditë më parë se mund të mbajë një protestë për rrëzimin e qeverisë, ndërsa ish-kryeministri kërkon një 20 shkurt të dytë. Sipas avokatit asnjëri prej tyre nuk bëjnë dot revolucion, pasi pas ju shkojnë vetëm fëmijë.
“Është fitorja e Joe Biden-it ajo që ka hedhur në një sulm absurd “revolucionar” edhe Berishën edhe Metën, me mendimin naiv që mund të krijojnë pështjellim shoqëror, për ta çuar vendin drejt shkatërrimit. Rasti i fundit me revoltën e kalamajve shqiptarë që donin të shkatërronin me zjarr Tiranën, ishte komedia mbyllëse e hallit të madh Meta-Berisha.
Asgjë nuk bëjnë dot dhe sot fakti më domethënës e kuptimplotë është aktiviteti intensiv i ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim”, tha avokati. Sipas tij, ambasadorja
tani me shumë ngulm po ecën drejt formimit të dy organeve të rëndësishëm në luftën antikorrupsion: Gjykatën Kushtetuese dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. “Por, në të njëjtën kohë, dallon fakti që tani është i përditshëm se, të gjithë krerët e korruptuar të të tre partive kryesore, janë bashkë; dhe mendjen e kanë për destabilizimin e Shqipërisë. Më të zjarrtë, për nga pasioni i dëshirës për shkatërrimin e Shqipërisë, dallojnë të jenë Meta dhe Berisha. Por, si komedi hedhin rëndom edhe idenë e një “revolucioni” infantil që askush nuk di se si dhe pse do të bëhet. Fakti që flasin për një revoltë të gjerë popullore pa motiv, kuptohet se psikika e tyre është jashtë kohës. Nuk ka më fatkeq se lideri të cilin nuk e pranon koha e tij”, vijoi ai.
Roli i Bashës
Avokati është ndalur dhe te roli i kreut demokrat Lulzim Basha në këtë mes. Sipas avokatit ai i ka lënë në baltë Metën dhe Berishën pasi nuk u përgjigjet thirrjeve të tyre për revolucion. “Por, pikërisht këtu del edhe kjo pyetje: po Lulzim Basha? Dallon që Basha nuk po iu përgjigjet. Kurse Saliu, nuk e lëviz dot këtë nga kryetar të PD-së, sepse e ka parë, që, në këtë rast, Basha është një e keqe më e vogël, në krahasim me ndonjë tjetër, i cili mund të dalë nga një zgjedhje e re që do të zhvillohej në PD. Gjithsesi, po kuptohet që Basha sikur nuk e pranon marrëzinë Berisha-Meta për destabilizimin e Shqipërisë, sepse edhe Yuri Kim nuk e kërkoi kot në takim.
E gjithë kjo situatë, brenda pështjellimit politik që trajtuam, ka bërë që kjo çështje të përqendrohet në një pikë: tek ambasadorja Yuri Kim”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post